Ulet tarifa për depozitim të monedhave në BQK

09 shkurt 2022 | 11:25

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për lehtësim të qarkullimit të parave të gatshme në ekonomi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës këtë fillimvit ka rishikuar tarifat që i aplikon ndaj bankave për transaksionet e ndërsjella monetare.

“Rrjedhimisht, është zvogëluar tarifa për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro në BQK nga 5,00% në 3,75%. Ky ndryshim do të jetë efektiv nga data 1 mars 2022. Vendimi për zvogëlimin e tarifës për depozitimin e monedhave metalike të denominuara në euro është marrë në mbledhjen e Bordit Ekzekutiv të BQK-së”, ka njoftuar BQK-ja.

BQK-ja ka theksuar se pret që tarifa e ndryshuar të ndikojë në ngritjen e qasjes si të qytetarëve ashtu edhe të bizneseve në shërbimet e bankave vendore me para të gatshme.

“Përndryshe, kostoja aktuale për BQK-në për realizimin e operacioneve të lidhura me aktivitetin bankar të depozitimit të monedhave metalike vazhdon të mbetet e konsiderueshme. Sa i përket furnizimit me monedha metalike të denominuara në euro, që nga viti 2015, tarifa e aplikueshme për bankat vendore për tërheqje është 0,00% (falas)”, ka njoftuar BQK-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri  i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë sot disa shembuj…