
Unë kryeministrin e takoj mesatarisht katër herë në javë
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë mbrëmë, në Interaktiv të KTV-së, se raportet e tij me kryeministrin në detyrë, kryetarin e partisë Lëvizja Vetëvendosje, janë më të mira se kurrë më parë. “Raportet janë më të mira se kurrë. Jemi më afër se kurrë, më të fuqishëm se kurrë më parë. Unë kryeministrin Kurti e takoj mesatarisht katër herë në javë, shkoj në kryeministri, bisedojmë për problemet e Kosovës. Të gjitha ato që i keni dëgjuar në media janë spekulime. Dua të siguroj për qytetarët se raportet tona janë të shkëlqyera. Nuk kemi kurrfarë kundërthëniesh për mënyrën se si duhet të ecim përpara, për mënyrën se si i konceptojmë problemet e Kosovës. Unë e kam fushën time, tash jam ministër, ai është kryeministër dhe raportet tona janë shumë të mira. Faktikisht, unë nuk i quaj këto që i keni parë në disa portale të lajmeve. Këto ishin pyka. Lajmi është ndryshe. Do portale shesin pyka dhe unë mendoj se këto pyka nuk janë pa pare. Propaganda që një makineri e tërë punëtorësh marrin rroga dhe marrin për diçka të tillë, me bo si propagandë dhe të pavërtetë, të cilën më detyrojnë pa nevojë me i demantu portalet e ndryshëm që m’i numërojnë edhe ditët. Faktikisht, jam bo aq i rëndësishëm sa po numërojnë edhe dita e 12-13 kur flas apo nuk flas. Nuk jam këtu për t’u dhënë arsyetime. Propaganda kurrkund në botë nuk është gratis. Kushton. Kushton edhe në Kosovë. Nuk e di kush është në gjendje me harxhu këto qindra mijëra euro për me shpikë një pykë që nuk e ka efektin as sa fija e kashtës. Është shqetësim i panevojshëm për disa qytetarë. Shpiken teori që nuk jam në VV apo dua ta ndaj VV-në. Këto janë të paqëndrueshme. Kjo nuk është gazetari. Është propagandë e ulët prapa së cilës unë konsideroj se ka para të ndyta”, ka thënë Konjufca.
(B. D.: ‘Epoka e re’)