Uni lirik në rravgim me shpirtin e njëjtë

22 shkurt 2024 | 10:50

Alisa Velaj

Mendohet se Henri Poincarë, matematikani i njohur francez është shprehur: “Matematika është arti i dhënies së të njëjtit emër gjërave të ndryshme”.

Ndërkohë pretendohet se ky citat është përshtatje e tjetrit, citat të mëparshëm ku thuhet: “Poezia është arti për t’i dhënë emra të ndryshëm të njëjtës gjë”.

Ky përkufizim për artin e poezisë m’u kujtua ndërsa lexoja poezitë e Agron Sheles. Uni lirik i poetit rravgon drejt hapësirave, kohëve dhe vendeve të ndryshme për të zbuluar tek të gjitha këto shpirtin e njëjtë poetik. Ky shpirt është i njëjtë në dy kahje; i njëjtë në shfaqje të ndryshme të tij në kohë, hapësira e vende të ndryshme, dhe i njëjtë me shpirtin e unit lirik. Ky i fundit zbulon në fund të çdo rravgimi se ajo që ka zbuluar ka qenë thjesht vetvetja. Arsyeja jepet kthjelltazi në vargjet e poezisë “Ky jam unë” (kuptim asketik).

“Ky jam unë nuk di të ndryshoj / Ngelem përherë një shqetësim i ditës”.

Ta pranosh hapur mosndryshimin, jo në sensin e mohimit të ndryshimit, por në të qenit thelb i patjetërsueshëm njerëzor, përballë gjithçkaje tjetër që tjetërsohet, vdiset, humb, bën pjesë padyshim te ato triumfet e vogla të përditshmërisë si pjesë e përjetësisë, relatives, të ikshmes njerëzore në raport me absoluten. Uni lirik duket sikur e rrëfen çdo “ngjarje” si një epilog. Gjithçka ka ikur, është përjetuar në shpirtin e tij, në ditë, në natë, në stinë, në kohë dhe ky “unë” po na shpalos epilogun e ngjarjes. Prolog nuk ka dhe s’ ka pse të ketë. Epilog po. Kur gjithçka merr fund për të nisur dhe njëherë nga e para, si fëmija që madhërohet duke kaluar përditë në të njëjtat udhë, ajo që ngjall kureshtja është thelbi i rravgimit, bash kur udhëpërshkrimi i unit lirik bëhet udhë e këngë edhe e recepientit të tekstit poetik.

Në gjuhë flake jehon marshi i padukshëm

para absolutes së përjetshme

………………………….

Para nesh shtrihet e njëjta panoramë”

                                   “Sakrificë”

Marshi i padukshëm me vendmbërritje panoramat e njëjta, por të pagëzuara me emra të ndryshëm, është rravgimi ynë i qëllimtë ose i paqëllimtë. Qenia humane sakrifikon për aq sa mundet në metafizikën e saj. Kudo shtegton rravgim quhet, tjetër se një vend i caktuar në një çast të caktuar i jep ngjyrat e tij, llojin e dritës me të cilën qenia i ndriçon skutat e shpirtit dhe trajtën e duhur për atë pjesë kohe. Është kjo sakrifica? Patjetër se po. Uni lirik, në përsiatje për të rigjetur e dlirësuar veten, sakrifikon atë që nuk duhet të jetë, për t’u bërë ai që duhet të jetë: një shqetësim dite, një dhimbje nate apo pikëllim i pakohë. Në këtë akt sublim, shmanget udha ku uni lirik (nënkupto qenia) ndesh shpirtra të pabukur, dhe bekohet peizazhi ku udhët të pjekin me shpirtin e njëjtë.

Në rrugët e mia kam ndeshur dhe shpirtin e njëjtë

fluturuar dritës që zgjohej në vegim”

                                    “Përpjekje“

Ekzistenca e shpirtit në poezinë e Sheles vendoset në kontekst të pakohë. Rravgimi rreh të perceptohet prej të shkuarës, ndodhisë reale dhe kujtimeve nga e ardhmja. Ajo që perceptohet si gjendje kthjelltësie është trualli ku qëndrojnë fort të tri kohët e njeriut. Nëse ndodhitë duken si të padukshme në pamje të parë, apo të pandodhura, nga ideja se të shëmbëllehet në sy e në vetëdije e njëjta panoramë, mprehja e vështrimit kap nuancat e vërteta të asaj që po vjen. Në pamjet e përsëritura të botës duhen sy që dinë të vështrojnë përtej të dukshmes dhe shpirt që të ndjejë vibrimet më të thella të universit, pjesë e të cilit jemi nga lindja deri në përjetësi. Takimi i shpirtrave të njëjtë përbën ata banorë të tokës që e dinë se shkallët e universit nuk janë të pamundura për t’u ngjitur. Mjaft të rrokësh me sy të kthjellët kuptimin e pafundësisë.

“Çdo ardhje duket e padukshme

por thellë në gjenezë fsheh parardhësin e paralindur

fsheh dhe pasardhësin e palindur

gjymtyrë të një trupi në rendje.”

               “Shkallë universi”

Të thuash dritë

është si të prekësh të gjitha ngjyrat e kohës

të shohësh kuptimin e pafundësisë

me sy të kthjellët

mbi të gjitha errësirat.”

   “Kalipso”

Arti poetik i dhënies së të njëjtit emër shfaqjeve të ndryshme të shpirtërores gjendet si dukuri në shumë prej vargjeve të Sheles. Për ta parë se si ndodh i tërë ky “procedim poetik” po i referohemi poezisë “Unë jam”, e cila brof në vetëdijen e lexuesit në formën e kredos poetike.

Unë jam

Unë jam thjesht një imazh i ardhur,

ndoshta formë e ngulitur në tokë

plasaritjes glob, ku shëmbëlltyra ime më ngre në këmbë

më zgjon,

për çdo ditë hap shtegun e dritës

dhe vegimit më shtyn, si vela nëpër det.

 

Unë jam thjesht një lule gjaku

rrënjëzuar thellë memories kohë,

pritur kaq gjatë, lindur të nesërmes

frymë e frymës që gjithë qiejt i sundon.

 

Unë jam Ju!

Ju jeni mua!

Vizion që na mbledh hartave të botës

trajtës tonë në ngjyrë fosforeshente

universit dritë

ekzistencë e përjetshme e një shpirti të rilindur.

Në strofën e parë ardhja e njeriut në tokë perceptohet si hyrje e bëftë prej realitetit qiellor. Është njeriu i njëjtë nëpër realitete dhe lindje të ndryshme, por ku të dytat lindje dhe realitete kanë si shkakësi të parat. Shëmbëlltyra e njeriut nuk projektohet si shtegtim prej qiellit në tokë, por si trupëzim i ëndrrës dhe dëshirës qiellore në botën e qenieve të vdekshme. Njeriu ekziston së pari si shpirt. Mandej trupëzohet pasi imazhi kryen rravgimin e tij mishtor. Me ngulitjen në tokë, lëshimin e rrënjëve në humusin e sendeve dhe frymorëve të prekshëm, fillon e hap shtegun e dritës së tij. Drita e imazhit të ardhur padyshim se nuk ka të njëjtën substancë me dritën e gjetur. Përndryshe nuk kish pse të hapte shtigje drite, aty ku kjo është e pranishme. Hapja e një shtegu është akti i mbjelljes së dritës qiellore në tokë. Rravgimi pra nuk paraqet qenien tokësore në sakrificën dhe përpjekjen e tij për t’u ngjitur përmes shkallares së universit drejt dritës qiellore. Por kemi njeriun e lindur në realitetin qiellor që me dritën e tij në shpirt vjen e ngulet si qytetar i tokës, duke hedhur aty themelet e një dritë të tjetërllojtë. Shpirtërorja merr kështu pamje të ndryshme në varësi të botëve ku është e destinuar të shfaqet.

Në strofën e dytë shohim se trupëzimi i imazhit të ardhur të qenies dhe trupëzimi i tij në mish e gjak, është ndodhi që nuk varet prej frymorit. Poeti shkruan se njeriu është “frymë e frymës që gjithë qiejt i sundon”. Pra imazhi i ngulitur në tokë, nuk është vullnet i njeriut. Është vullnet dhe vendimmarrje hyjnore.

Strofa e tretë nis me vargjet: “Unë jam ju/ Ju jeni mua”. Teksti i poezisë jep mesazhin se rravgimi në vertikalitetin qiell tokë nuk është dukuri e veçuar. Është akt universal dashurie. Poezia vjen në formën e monologut. Zëri që rrëfen rravgimin e tij, të diktuar nga fryma e frymës, i mëshon pa ekuivok idesë se gjithë raca njerëzore e ka në themelet e saj prej fillimit të fillimit qytetarinë qiellore. Dritën dhe pavdekësinë e kësaj qytetarie.

Funksioni i dyfishtë i poezisë, si arti i dhënies emra të ndryshëm të njëjtës gjë, ose pagëzimit me me të njëjtin emër fenomeneve të ndryshme shpirtërore haset fund e krye në poezinë lirikë të Agron Sheles. Në disa raste mbizotëron funksioni i parë e në të tjera ai i dytë. Lirikat e humbjes e përtëritjes së kohës së dashurisë rrokin një kohë që është e përjetshme për aq kohë sa dashuria vazhdon. Nostalgjia shfaqet si nostalgji për dashurinë, madje edhe atëherë kur e dashura ka ndodhur të harrohet fare. Ajo, e dashura, mund të vijë gjithashtu e rimishëruar në trajta të tjera malli e dhimbje, pafajësije dhe rilindje imazhi dashuror. Në thelb të rilindjes mund të jetë një metaforë antonimike, apo ndjellje e kundërt e asaj çka përbën domethënien e shenjuesit në semantikën më së pari të perceptueshme.

Sot ra borë

dhe ti u riktheve sërish

në fjolla të dlirta

dhe vallëzim drerësh

atje në pyllin e shtëngatave të dhimbshme”

   “Rikthim”

 

E dashura zjarrmon me kujtime përmes flokëve të borës, ku këto të fundit janë të dëlira si shpirti i dashurisë. Vallëzimi i drerëve është simbolika e shumëfishtë e dhimbjes për të shkuarën që rreket të vijë jo me ngulm, por përmes përfytyrimit të shpirtit që ngarend hareje në vallëzimin e imazhit më të bukur dimëror: drerëve. Aty dhimbja, aty pafajësia, aty dëshira për ta ngjallur dhe njëherë në të tashmen mallin që ka ecur i pashuar në honet më të thella të njeriut.

Në poezinë “Sonte nuk dua t’i zbres shkallët” shpirti i njeriut zbulon, habitet, tronditen dhe në fund mrekullohet me gjetjen e vetvetes në tokat e dashurisë. Katër gjendjet përkojnë me katër vargjet: “Sonte e pashë veten njëlloj si një sfinks guri”, “Sonte e pashë veten dhe si hije / avitur dritares së Poe-së”, “Sonte e pashë veten dhe si mëkatar” dhe në fund “Sonte e pashë veten dhe si njeri”. Në mitologjinë greke, sfinksi paraqitet si një krijesë me kokë njeriu (kryesisht gruaje), trup luani dhe krahë shqiponje. Kështu ndihet uni lirik, në një lloj gjendje turbulluese. A ia shkakton figura e gruas së papërcaktuar këtë mjegullnajë identitare përballë dashurisë? Teksti mbetet i hapur për një mori interpretimesh. Mandej i përhumburi gjen hijen e tij brenda hijes së mjegullës, kthjellohet se ka qenë nën strehën e një mëkati shumë të errët dhe në stadin e fundit pasi arratiset nga hija e vdekjes, gjen vetveten (njeriun) përmes dashurisë. Hija e avitur dritares së Poe-së është klithma e nënkuptuar “kurrë më” e korbit. A është gruaja e kobshme që i tjetërson natyrën shpirtit dhe e gurëzon në statujë sfinksi, apo njeriu i vdekur prej mosdashurisë që rilind me gjetjen e dritës së saj? Shkallët e zbritura në titull nënkuptojnë rënien dhe duket se paraqesin një unë lirik që monologon nga pozitat e të ringriturit nga hija e vdekjes.

Poezia “Zambaku në liqen” ka në narracionin e saj lirik një lloj ironie të lehtë, apo trishtim që sjell mosnjohja e tjetrit në dashuri. Ajo njeh aromën e parfumit në vjeshtë e dimër, por jo veten dhe dashurinë. Njeh lulet, por nuk vështrimi i shpirtit nuk  mbërrin te zambaku në liqen. Zambaku simbol i burrit, ndërsa liqeni simbol i dashurisë. Sytë e saj të pakredhur në ujëra kanë humbur thellësinë, kthjelltësinë dhe dashurojnë dukjet. Ai në të kundërt kundron qiparisin, simbolin dual të vdekjes e ringjalljes. Janë dy subjekte kaq të ndryshme, që streha e dashurisë vetëm i ndan. Mënyra se si ndodhemi pastaj përballë shpirtit të dashurisë, si përpara pasqyrës së shpirtit të njëjtë, identifikon profilin dot human përballë tjetrit, vetes dhe dashurisë.

Poeti e kërkon shpirtin e njëjtë në marrëdhëniet me shpirtrat e humbur dhe të rilindur befas. Në raport me veten kur ndjehet në errësirë dhe thërret dritën e fjetur shpirtit, të cilën e nanuris dhe e zgjon. Në raport me tjetrin / të tjerët kur ka mall për gjysmën tjetër të dashurisë intime, apo shpirtin universal të dashurisë. Kur mundet ta gjejë i gëzohet kësaj të fundit. Kur fushëpamja e dashurisë i tkurret, ai bëhet murg që ëndërron një pyll të tërë me qiparisin. Me etjen e të zhuriturit për shpirtra të gjallë, jo për hije shpirtrash. Uni lirik ia njeh vetes cakun se deri sa mundet të dojë. Ajo që nuk di janë zanafillat ku nis shkretimi. Por sapo parandien se vijnë erërat e shkretëtirës nis ravgimin drejt klimës më të njelmët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një seancë shtesë të mbajtur dje lidhur me ecurinë…