Uniteti dhe presidenti konsensual po, nëse kapërcehen egot!

22 nëntor 2020 | 12:12

Shkruan: Arben Rogova

Pakënaqësitë për situatën politike dhe ekonomike jo të mirë në vend, janë vazhdimisht në rritje. Të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj gjendje të rënduar dhe zhgënjyese, si: “Gjykata Speciale”, dialogu me Serbinë, ekonomia gjithnjë në rënie, rritja e papunësisë dhe dështimet e bizneseve si pasojë e Covid-19. Ngarkesat dhe shqetësimet si politike dhe ato ekonomike janë paralele. Aktualitetet rreth kandidaturës së presidentit, seancat parlamentare me probleme, Qeveria e brishtë dhe e shantazhuar nga Lista Serbe, po bëhen brengë serioze. Të habitë ky qëndrim neglizhent në këtë kohë krize i klasës politike. NATO është në Kosovë, por jemi ne që duhet ta fuqizojmë shtetin tone!
Këto shqetësime dhe dalja nga kjo situatë sigurisht që kanë zgjidhje. Dhe këto zgjidhje kërkojnë kompromis. Kurse kompromisi nënkupton, së pari Kosova e më pas partia e individi. Pra Partitë parlamentare në këto rrethana duhet të arrijnë marrëveshjet dhe unitetin për këto dy preokupime, Presidenti dhe Qeveria! Por cilat do të ishin dy zgjidhjet e arsyeshme, të cilat janë pa pazare, pa zgjedhje të reja dhe pa rrezik pandemik?
Sa i përket Presidentit, me rrethanat që po përballemi, esenciale është që presidenti të jetë konsensual. Për ta përmbushur këtë kriter, një profil i tillë nevojitet të jetë pa parti. Dhe profile të tillë të edukuar me programe e standarde perëndimore, mjaftueshëm kemi në Evropë e sidomos përtej Atlantikut. Aktualiteti kërkon domosdoshmërisht personalitet të pa korruptuar dhe atdhetar të dëshmuar ndër vite. Edhe atëherë kur Kosova e kërkonte, kemi shumë të tillë që u dëshmuan në luftë. Dhanë çdo gjë në lufte dhe pas luftës nuk morën asgjë. Kurse tani këta atdhetar e bëjnë jetën e tyre si qytetar të suksesshëm në vendet ku jetojnë, duke na prezantuar me suksese të mëdha në fushat e tyre në ato shtete. Përkundër obligimeve të tyre të jetës, këta patriot janë tepër aktiv dhe shumë të preokupuar me zhvillimet në ndërtimin e fuqizimin e shtetësisë së Kosovës. Gjithnjë duke e ditur se problemet me Serbinë ende nuk kanë përfunduar. Pra një profil i tillë do të jetë unifikues dhe i pranueshëm për shumicën e partive parlamentare, por edhe për miqtë e Kosovës.
Edhe Qeveria nëse ka kompromis mund të fuqizohet duke u rindërtuar në formatin gjithëpërfshirëse. Të gjitha partitë pushtetin mund ta ndajnë sipas përqindjes së votave, sa deputet aq pushtet. Kurse jetëgjatësia varet nga kompromiset, mund ta mbajnë deri në fund të mandatit apo të jetë e përkohshme. Përbërja e ministrave mund të jetë më e mira duke i zgjedhë profesionistët nga secila parti; më të suksesshmit, qoftë edhe ish-Ministra. Kryeministri mund të zëvendësohet, mund të vazhdojë aktuali, apo të bëhet me rotacion njëvjeçar. Këta hapa do ta fuqizonin unitetin e partive politike, dhe përballë të gjitha sfidave aktuale do të jemi shumë stabil!
Për dalje nga kjo situatë, elitës politike i nevojitet vendosmëri për t’i kapërcyer egot e orekset e veta dhe të militantëve partiak. Thënë më ndryshe, lidershipi i partive në rrethanat aktuale, nuk duhet assesi të llogarisin në kalkulimet e tyre elektorale, sepse përformimi i mirë i përfaqësuesve të tyre nëpër dikasteret përkatëse, do të rriste simpatinë për partinë përkatëse dhe shtimin e votave. Të gjitha këto kompromise e gatishmëri për shkëputje nga realiteti aktual, varen krejt nga atdhetarizmi e niveli i logjikës shtetërore. Kjo duhet të ndodhë. Shteti i Kosovës është mbi të gjitha.
Nëse nuk ka gatishmëri për shkëputje, i mendoi dy opsione: ose janë primitiv dhe nuk mund të dalin nga egot e interesat personale, ose janë të varur….. e ata e dinë nga kush.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Liria ka emër, UÇK” është një ndër nismat që është…