“Uniteti” s’e bën ‘hesap’ Inspeksionin, shkel rregulloren e pushimit të së dielave

05 shtator 2023 | 13:20

Dita e diel u caktua si ditë pushimi nga Komuna e Mitrovicës duke filluar nga e diela e javës së kaluar, shkruan “Mitropol”.

Kjo ditë përcaktohet si ditë pushimi për shumicën e bizneseve dhe veprimtarive, me disa përjashtime. Nga ky rregull përjashtohet gastronomia, parukeritë/sallonet e ondulimit, e pompat e derivateve.

Por, bazuar në sektorin e të rregullores 07/23 e diela përcaktohet si ditë pushimi edhe për veprimtaritë e menaxhimit dhe të trajtimit të mbeturinave, në këtë rast, Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti”.

Mirëpo kjo rregullore u shkel nga KRM “Uniteti” të dielën e kaluar. Të njëjtit u panë duke pastruar, larguar mbeturinat dhe duke larë rrugët të dielën, duke mos e bërë ‘hesap’ fare kërcënimin e Drejtorisë së Inspeksionit me dënime deri në 3 mijë euro.

Në pyetjet e dërguara nga “Epoka e re” nga kompania thanë se nuk ishin të informuar se rregullorja në fjalë përcakton edhe orarin e punës së kompanive për menaxhim të mbeturinave.

“Ne nuk kemi qene te informuar që rregullorja në fjale përcakton orarin e punës te kompanive për menaxhimin e mbeturinave. Por pas pyetjeve tuaja kemi shikuar rregulloren ne fjale dhe kemi pare qe ditëve te pushimit nuk na lejohet te punojmë.”, thanë nga kompania duke u zotuar se nga java e ardhshme do respektojnë rregulloren në fjalë dhe do pushojnë të dielave.

“Ne te dielën e kaluar kemi punuar pa e ditur se është e ndaluar, por qe qëllimi ishte ofrimi i shërbimit te menaxhimit te mbeturinave për qytetaret. Por duke e pasur parasysh se rregullorja e ndalon punën te dielave dhe festave, për ne kjo është e mirëseardhur sepse punëtorët kane nevoje për pushim, pasi qe edhe për Vit te ri e festa te Bajramit na është dashur te punojmë. Pra, ne do ta zbatojmë rregulloren.”, thuhet tutje në përgjigjen e kompanisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
RESTAURANT ANIJA SH.P.K, shpall te pavlefshme certifikatën e biznesit me…