UP-ja: Provimet e afatit të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë

03 prill 2020 | 15:53

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka njoftuar se në përputhje me mundësitë dhe kushtet reale të krijuara pas përhapjes së pandemisë Covid-19 në vendin tonë, provimet e afatit të jashtëzakonshëm të prillit nuk janë të realizueshme në këtë fazë.

“Njëherësh, ashtu siç jeni njoftuar zyrtarisht, Universiteti i Prishtinës ka filluar përgatitjet për të gjetur format më të përshtatshme për të bërë të mundur realizimin e provimeve virtualisht, në rast se situata do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në muajin qershor, kur zhvillohet afati i provimeve të rregullta, të përcaktuara sipas Statutit të UP-së”, ka njoftuar UP.

Lidhur me këtë, Universiteti i Prishtinës ka theksuar se do të konsultojë dhe do të marrë vendime në kuadër të organeve kompetente dhe më pas do të publikojë njoftim zyrtar për vendimet e marra.

Deri atëherë, sipas UP-së të gjitha pretendimet e tjera mbesin opinione personale ose diskutime të brendshme.

“Menaxhmenti i UP-së garanton, që të gjitha vendimet e marra, do të bazohen në parimin e së mirës në favor të studentëve dhe stafit të tij, si dhe në përputhje me vlerat themelore të arsimit të lartë dhe kornizës ligjore në fuqi”, ka njoftuar UP-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Krahas aktiviteteve të shumta që është duke zhvilluar, Sindikata e…