
Ura e re mbi lumin Ibër drejt përfundimit, Durmishi: Hapja pritet në fillim të shtatorit
Një nga dy urat që po ndërtohen mbi lumin Ibër, pas dy muajsh punimesh, po shkon drejt përfundimit, kjo pasi sot është duke u shtruar shtresa e asfaltit mbi urë, ndërsa nesër planifikohet vendosja e sinjalistikës.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një prononcim për Telegrafin tha se po presin raportin preliminar të testimeve të urës për të siguruar që ajo është gati për përdorim.
“Jemi duke punuar intensivisht, sot po bëhet shtresa e asfaltit, nesër do të vendoset sinjalistika, dhe po presim raportin preliminar të testimeve”, tha Durmishi.
I pyetur nëse pritet që ura të hapet në fillim të shtatorit, ai u shpreh me optimizëm: “Gjithsesi në fillim të shtatorit”.
Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.
Përfundimi i ndërtimit të urave pritet në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.
Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.