Uran Ismaili prezanton planin e detajuar për parkun qendror, 8 hektarë në qendër të Prishtinës

13 tetor 2021 | 11:59

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga PDK-ja, Uran Ismaili, ka prezantuar projektin për ndërtimin e Parkut Qendror, në qendër të qytetit prej 8 hektarësh.

Ai e ka quajtur një projekt me shumë rëndësi për të dhe qytetarët e i cili do ta përmirësojë dukshëm cilësinë e jetës në qytet.

“Për disa javë rresht unë kam fol për Prishtinën e Gjelbër. Mirëpo këtë projekt e kam jashtëzakonisht me rëndësi, prandaj edhe jemi përkushtuar shumë që këtë projekt ta planifikojmë në mënyrën më të mirë, që ai të bëhet i mundur dhe ta ndryshojë jetën tonë për të mirë”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se dëshiron ta bëjë Prishtinën një qytet të gjelbër.

“Unë dua ta bëjë Prishtinën qytet të gjelbër. Projekti im më i madh e më ambicioz për Prishtinën e gjelbër është projekti për ta ndërtuar Parkun Qendror të Prishtinës – mushkëritë e reja të Prishtinës. Plani im është që deri në tetor të 2024-tës, Prishtina të ketë Parkun Qendror 8 hektarë, në qendër të Prishtinës. Lokacioni i parkut qendror të Prishtinës do të jetë midis qytetit, përgjatë stadiumit ‘Fadil Vokrri’ dhe Pallatit të Rinisë”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se do ta bëjë zhvendosjen e ndërtesave dhe parkingjeve të administratës publike.

“Do t’i rigjeneroj hapësirat tjera publike, për transformimin e tyre në hapësira të mëdha e të gjelbërta të qytetit tonë. Kemi me e ruajtur vetëm një ndërtesë, ish-ndërtesën e burgut dhe kemi me e kthyer në muze, në përkujtim të një periudhe të dhimbshme të Prishtinës sonë. Parkingu i madh prapa Pallatit të Rinisë do të transformohet në park, me hapësira të gjelbërua, shtigje për ecje, vrapim e amfiteatër publik. Parku Qendror do të ofrojë shtigje të reja të gjelbërta, për ti dhënë më shumë oksigjen qytetit e qytetarëve ajër të pastër e hapësirë për çlodhje gjatë ditës”, ka thënë ai.

Më tutje, Ismaili i ka ftuar të gjithë qytetarët e Prishtinës që ta mbështesin planin e tij për Parkun Qendror me votën e tyre këtë të diel.

“Sepse me këtë votë nuk zgjidhet veç kryetari i ardhshëm i Prishtinës, por vendoset edhe për Prishtinën e së ardhmes e cila është e gjelbër, e shëndetshme, digjitale e bëhet destinacion jo vetëm për qytetarët e saj, por të gjithë ata që vijnë dhe e shijojnë Prishtinën”, ka thënë Ismaili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Daljet e shpeshta dhe mbështetja që kanë treguar kohët e…