Urgjentisht të rithemelohet Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës

22 dhjetor 2020 | 11:19

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka mbajtur të hënën takimin e parë me grupin punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ky institut ishte themeluar në vitin 2011, por me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila atëkohë drejtohej nga Ramush Haradinaj, është mbyllur në vitin 2018. Ndërkaq të hënën ministri Selimi ka diskutuar me anëtarët e grupit punues për përgatitjen e analizës për themelimin e mekanizmit për hulumtimin e krimeve të luftës.

Duke folur për rëndësinë që do ta ketë Instituti për Hulumtimin e Krimeve, ministri Selimi ka thënë se pas themelimit të këtij instituti do të angazhohen 100 studentë të cilët do të merren me hulumtimin në terren. Ministria e Drejtësisë në tetor të këtij viti kishte riproceduar në Zyrën e Kryeministrit kërkesën për përfshirje në rend të ditës, ku ishte aprovuar propozimi i MD-së për ta themeluar grupin punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ky institut në përbërjen e tij pritet të ketë akademikë, profesorë, aktivistë të çështjeve të luftës, familjarë të personave të pagjetur dhe përfaqësues nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.

Në lidhje me rithemelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për gazetën “Epoka e re” ka folur ish-drejtuesi i këtij instituti, profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu.

Ai ka thënë se mbyllja e këtij instituti në vitin 2018 ka qenë një vendim absurd. Salihu ka theksuar se është skeptik rreth iniciativës për rithemelimin e këtij instituti.

“Nuk është dashur në atë kohë të mbyllet ky institut, edhe pse ka qenë i themeluar me vonesë në vitin 2011. Ky institut ka pasur një staf modest dhe ka pasur shpenzime modeste, po ashtu edhe buxhetin e ka pasur modest. Kemi bërë dhjetë publikime. Tani po bëhen dy vjet qëkur është mbyllur ky institut. Tashmë ka filluar kjo iniciativë për rithemelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, por edhe kjo iniciativë është me vonesë. Unë u kam bërë thirrje deputetëve që ta problematizojnë këtë çështje, që instituti të jetë funksional. Mbyllja e këtij instituti në vitin 2018 ka qenë absurde. Jam skeptik për iniciativën për rithemelimin e këtij instituti”, ka thënë Salihu.

Ai këtë skepticizëm e bazon në vonesat që po bëhen për rithemelimin e këtij instituti. “Iniciativa është filluar që gjashtë apo shtatë muaj dhe deri më tani kemi formuar njëfarë grupi i cili ka filluar përgatitjet, e që këto përgatitje do të marrin kohë edhe gjashtë muaj. Derisa të rekrutohet stafi dhe të stabilizohet ky institut do të shkojë edhe një vjet ose dy vjet. Rithemelimi i institutit është dashur të bëhet në mënyrë urgjente. Është dashur të bëhet brenda tre muajve. Të shpallet një konkurs publik për organogramin dhe për stafin, pra për njerëzit që duhet të angazhohen aty”, ka thënë ai.

Salihu ka bërë thirrje që në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të mos punësohen individë me lidhje familjare. “Në këtë institut nuk duhet të shkojnë militantë të partive si halla, teze e dajë, qysh kanë bërë deri më tash. Në Institutin për Hulumtimin e Krimeve duhet të punësohen ekspertë, 13 ose 14 veta. Duhet të kenë kushte optimale, në mënyrë që në tri-katër vjetët e ardhshëm të punohet intensivisht për evidentimin e të gjitha krimeve që janë kryer nga forcat paramilitare, ushtarake dhe policore serbe”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka shtuar se këto krime që ka bërë Serbia duhet të dokumentohen dhe të botohen në libra shqip dhe anglisht. “Këto krime duhet të dokumentohen përmes librave në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Besa, ku është e nevojshme, edhe serbe. Gjithashtu, këto krime që janë kryer nga forcat paramilitare, ushtarake dhe policore serbe duhet të botohen edhe formë digjitale. Një profesor i Sarajevës thotë: ‘Do të ishte krim tjetër nëse nuk evidentohen ato krime’. Ne e kemi për obligim që të flasim për këto krime që ka bërë Serbia”, është shprehur profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu.

Ai ka thënë se Instituti për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë duhet të ketë mbështetje maksimale në punën që pret.

“Ky institut duhet të ketë mbështetje maksimale. Së pari me kuadro, pastaj me objekte dhe me infrastrukturë tjetër që ka nevojë. Pra, duhet t’i shkohet kësaj pune seriozisht. Është bërë një lëshim dhe vonesë e madhe në këtë drejtim. Sa më shumë që shkon koha, edhe më vështirë do të jetë që të dokumentohen këto krime. Edhe familjarët të cilëve u janë vrarë fëmijët, prindërit, nuk duan tash të flasin, sepse ritraumatizohen. Në këtë institut duhet të ketë të punësuar edhe psikologë, juristë dhe ekonomistë”, ka theksuar profesor Salihu.

Ai ka përmendur rastin kur Ali Izbegoviq, në kohën sa ishte kryetar i Bosnjës, me dekret të veçantë kishte themeluar Institutin për Krime të Luftës, i cili edhe sot ende ekziston.

“Në vitin 1991 Ali Izbegoviq me dekret të veçantë e ka themeluar Institutin për Krime të Luftës. Ai institut ende punon me 14-15 veta. Çdo masakër dhe çdo varrezë masive e ka fotografuar dhe evidentuar. Edhe ne duhet të veprojmë kështu, edhe pse jemi vonuar shumë”, ka thënë profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu.

(Mal Qorraj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që Kosova të ketë zgjedhje brenda…