
Uria që nuk ndodhi kurrë: Si arriti Hamasi të fabrikojë një shpifje gjakderdhëse kundër Izraelit
Në një botë gjithnjë e më shumë të drejtuar nga narrativat sesa nga faktet, e vërteta shpesh bëhet viktima e parë e luftës. Kjo është veçanërisht e dukshme në fushatën groteske të dezinformimit që pretendon se në Gaza po ndodh një urie masive, e shkaktuar qëllimisht nga Izraeli si një mjet lufte – një akuzë që ka marrë formën e një shpifjeje moderne gjakderdhëse kundër shtetit hebre.
Narrativa e një “Urie në Gaza” është kthyer në një fushatë të mirëorganizuar – e amplifikuar nga Hamasi dhe sponsorët e tij në Katar, dhe e përsëritur pa kritikë nga mediat kryesore perëndimore dhe organizatat ndërkombëtare. Edhe pse ekzistojnë vështirësi humanitare, si në çdo zonë lufte, kjo fushatë i ka ekzagjeruar, manipuluar dhe instrumentalizuar këto realitete me qëllim që të përmbysin rolet e viktimës dhe agresorit. Qëllimi: demonizimi i Izraelit, pastrimi i krimeve të Hamasit dhe shmangia e vëmendjes nga uria e vërtetë, e shkaktuar me qëllim nga Hamasi – jo ndaj civilëve të Gazës, por ndaj pengjeve izraelite që mbahen në burgjet e tij prej gati dy vitesh.
Një investigim i publikuar nga tabloidi gjerman Bild më 5 gusht, tregon se si imazhe të inskenuara, video të montuara dhe raporte të fabrikuara janë përdorur për të ndërtuar një imazh të rremë të urisë së përhapur të shkaktuar nga Izraeli. E vërteta, megjithatë, është krejtësisht e kundërta.
Një tjetër hetim i thelluar i publikuar së fundmi nga platforma Jewish Onliner gjurmon origjinën e kësaj fushate si pjesë e një përpjekjeje të mirëkoordinuar për manipulim mediatik global. Ky kërkim zbulon se fushata “#GazaIsStarving” është një operacion i organizuar dezinformimi i udhëhequr nga vende arabisht-folëse – veçanërisht Katari, Arabia Saudite dhe Jemeni – me qëllim ndikimin e opinionit publik anglisht-folës kundër Izraelit. Edhe pse fushata paraqitet si një reagim humanitar i sinqertë, hetimi tregon se ajo amplifikohet përmes entiteteve të lidhura me shtetin, ndikuesve të propagandës (si zyrtarë të regjimit iranian dhe individë të lidhur me Hamasin), dhe strategjive ndërgjuhësore në rrjetet sociale për të maksimizuar rezonancën emocionale, veçanërisht në Perëndim.
Gjithashtu, një tjetër analizë e publikuar nga përdoruesi @antisemitism (“Fushata Kundër Antisemitizmit”) dëshmon se hashtagë si “FamineinGaza”, “HelpGaza” apo “GazaHolocaust” janë përdorur në mënyrë masive dhe janë promovuar nga fabrika bot-ësh për t’i bërë këto hashtagë të jenë ndër më të përhapurit në platformën X (dikur Twitter).
Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka lehtësuar dërgimin e ndihmës humanitare në Gaza në përmasa të paprecedenta – edhe pse është i angazhuar në një konflikt të përgjakshëm në shtatë fronte. Ushqimi, uji, furnizimet mjekësore, energjia elektrike dhe karburanti kanë hyrë në Gaza përmes disa pikave kufitare. Izraeli ka bashkëpunuar me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Programin Botëror të Ushqimit, për të siguruar që korridoret humanitare të mbeten të hapura.
Megjithatë, Hamasi vazhdon të konfiskojë, plaçkitë dhe shpërndajë ndihmat në mënyrë selektive – duke e përdorur urinë si një armë kontrolli, propagande dhe përfitimi personal, me synimin për të mbushur më tej llogaritë tashmë të fryra të liderëve miliarderë të tij.
Kjo realitet u ekspozua qartë në fjalimin emocional të Ministrit të Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar, para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 5 gusht. Ministri Sa’ar foli hapur për mënyrën se si Hamasi ka uritur qëllimisht pengjet izraelite si Evyatar David dhe Rom Braslavski – tani hije të vetes së tyre, që nga rrëmbimi i tyre më 7 tetor – ndërkohë që terroristët e Hamasit hanë mish, peshk, perime dhe fruta të freskëta. Në një imazh tronditës, krahu i trashë dhe i ushqyer mirë i një roje të Hamasit shfaqet pranë trupit të rraskapitur të Evyatarit, i cili ishte detyruar të gërmonte varrin e tij.
E megjithatë, ky tmerr pothuajse nuk u përmend fare në shtypin ndërkombëtar. The New York Times, për shembull, e cila shpesh ka amplifikuar pretendime të paverifikuara palestineze – duke publikuar së fundmi një fotografi të një foshnjeje me probleme shëndetësore paraprake si “provë” të urisë në Gaza, një veprim që gjeneroi një valë urrejtjeje ndaj Izraelit dhe për të cilin u detyrua të tërhiqej – refuzoi t’i vendoste në faqen e parë imazhet e tmerrshme të pengjeve izraelite. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili shpesh është i zëshëm në dënimin e Izraelit, qëndroi në heshtje. Kjo heshtje nuk është neutralitet – është bashkëfajësi.
E vërteta është e dhimbshme: Hamasi i urit pengjet izraelite ndërsa shtiret se kujdeset për civilët e Gazës. Autoriteti Palestinez paguan paga për terroristët. Dhe një pjesë e madhe e mediave perëndimore vazhdon të shërbejë si kanal për propagandën terroriste, duke zbatuar një standard të dyfishtë të turpshëm: nëse vjen nga Hamasi, pranohet, besohet dhe publikohet menjëherë; nëse vjen nga Izraeli, kërkohen prova të pafundme.
Po jetojmë në një botë të përmbysur: agresorët paraqiten si viktima. Të rrëmbyerit dhe të dhunuarit injorohen, ndërsa rrëmbyesit dhe përdhunuesit marrin platforma dhe simpati. Kjo përmbysje morale nuk është thjesht e turpshme – është e rrezikshme. Problemi nuk është vetëm që Hamasi publikoi një video të një pengu skeletik duke gërmuar varrin e vet në një tunel. Problemi është që Hamasi e di që mund ta publikojë këtë video – dhe prapë shumë njerëz në Perëndim do të mendojnë se ata janë “të mirët”.
Shtetet me një histori regjimesh që kontrollonin mendimin dhe fjalën janë zakonisht të parat që e njohin një fushatë të projektuar për të manipuluar ndërgjegjen publike. Në të kaluarën, kjo bëhej përmes forcës së hapur – sot realizohet përmes ndikimit të rafinuar dhe të fuqishëm të rrjeteve sociale. Nuk është rastësi që drejtuesit kryesorë të këtyre fushatave të ndikimit janë regjime autoritare dhe totalitare, që shfrytëzojnë me mjeshtëri hapjen dhe dobësitë e shoqërive demokratike për të formuar narrativat globale në favor të tyre.
Në botën e sotme të gënjeshtrave virale dhe indinjatës së politizuar, e vërteta duhet mbrojtur me guxim. Dhe e vërteta është kjo: nuk ka asnjë uri të qëllimshme të shkaktuar nga Izraeli në Gaza. Por ka një fushatë të orkestruar mbi “urinë”. Dhe ka pa asnjë dyshim uritje të qëllimshme të pengjeve izraelite në duart e një regjimi terrorist gjenocidal.
Le të mos harrojmë kurrë: viktimat nuk mbajnë pengje. Dhe nëse Hamasi do të dorëzohej dhe do të lironte pengjet, lufta do të përfundonte menjëherë.
Tamar Ziv, Ambasadore e Izraelit në Kosovë