Urime, profesor!

09 dhjetor 2019 | 18:37

(Më 8. 12. 2019 u mbajt koncerti i Filarmonisë së Kosovës. Në program ishte “Requiem” i W. A. Mozart)

– Koncerti i Filarmonisë së Kosovës

Mr. Elife Podvorica

Aiii… s’jam fajtore unë pse është salla e vogël dhe s’ka bileta për të gjithë. Po fliste Arta me zë të nervozuar dhe e ndier në faj para bashkëfolësit të saj në telefon…

Nuk arrita as ta pyesja se çfarë kishte që nuk shkonte, sepse ajo me t’u përballur me mua filloi me po atë tingull të më thoshte: “Mami, pasnesër duhesh të jesh me kohë, përndryshe mbetesh pa vend. Dhe ulu në rendin e parë ashtu siç të ka hije, sepse je profesoreshë e të gjithëve aty pothuaj, andaj mos bëj siç e ke shprehi, të ulesh e fundit, apo të mbetesh në këmbë, se të vjen keq se një plak ka mbetur në këmbë”!

Natyrisht që unë e zhgënjej çdoherë, asnjëherë nuk ulem në vendin e parë… kësaj radhe do ta zhgënjeja edhe më shumë, vendosa të mos shkoj fare! Ku të vij ajo ditë e mos të ketë vende të lira për muzikën artistike…

“Grua, të gjitha biletat që i kam të rezervuara në emrin tim, i dërgova te mysafirët e caktuar dhe më vjen keq, por asnjë nuk më ka mbetur për ty!”, ishte arsyetimi i Bakiut.

Ok-ej… ishte përgjigjja ime!

Nuk ishte çfarëdo koncerti ky, sepse do të luhej “Requemi” i Mozartit, të cilin unë e di përmendësh që nga nota e parë. E kam kënduar si studente këtu në Kosovë, por edhe në Slloveni me “Slovenski Komorni Zbor” në vitet ’90 sa jetoja e veproja atje.

Atje ishin edhe solistët! Dy vendorë, pra shqiptarë dhe dy të huaj. Sopranoja që kishte llojin e zërit tim, kishte mbërritur nga Franca që disa ditë dhe natyrisht bashkëshorti im, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, është nikoqiri. E në këso raste ai përkujdeset jo vetëm për mbarëvajtjen e provave deri në ditën e koncertit, por edhe për gjëra të tjera si: vendi ku do të hanë dhe kalojnë kohën gjatë pjesës tjetër të ditës! Dhe, në bazë të reagimit të tyre të mirë, e di që ndahen çdoherë të kënaqur nga mikpritja e bujaria shqiptare.

E sonte gjersa koncerti në këto çaste veç ka filluar, po i përfytyroj njerëzit që vijnë grupe-grupe. Disa me nxitim, disa të tjerë me të qeshura e llafe. Ardhjen për në koncert e kishte konfirmuar edhe stafi diplomatik i ambasadave të huaja këtu te ne.

Edhe kryeministri në ardhje i Kosovës.

Derisa po paramendoja sallën e stërmbushur, emocionet e solistëve para se të dilnin në skenë, disi natyrshëm u zhvendosa në një tjetër përfytyrim… në një tjetër moment…

… dy a tre vjet pas luftës, ata 16 instrumentistë sa kishte Filarmonia e Kosovës atëkohë, kishin organizuar një program artistik të cilin donin ta bënin edhe nëpër qytetet e tjera. Ideja ishte që njerëzit të kultivoheshin me muzikën artistike. Pjesë e këtij programi isha edhe unë. Shoku im i klasës, A. Gashi dhe S. Badivuku më kishin ftuar të merrja pjesë me nja dy-tri vepra.

E prita me shumë kënaqësi ftesën. Sapo isha kthyer nga aktiviteti im 10-vjeçar profesional në Slloveni. Ata e kishin dëshirën që edhe unë ta zija hapësirën time artistike këtu në Kosovë. E unë pikërisht për këtë isha kthyer.

Qyteti i parë që do të fillonte aktiviteti koncertal ishte Ferizaj. Dirigjent ishte profesori i nderuar (tashmë i ndjerë), Bahri Çela!

Derisa po afrohej momenti i daljes në skenë, kisha emocione të forta! Po dilja të të këndoja para shqiptarëve, gjë që nuk e kisha bërë për dhjetë vjet.

Ishte ftohtë aty në prapaskenë, pa nxemje. Ashtu, duke u dridhur nga të ftohtit, kishim bërë provën gjenerale. Jashtë në korsën e qytetit shiheshin me qindra të rinj e të reja që ecnin varg e varg rrugës kryesore, mu përbri sallës së Qendrës së Kulturës, aty ku po mbahej mbrëmja koncertale.

Dhe ishte shumë e natyrshme që të mendoje se ajo sallë e vogël s’kishte si të zinte atë numër të madh njerëzish! Por, por… kur dola para orkestrës, duke u përshëndetur e rënduar nga emocionet e mia, më në fund kur mora guximin t’i ngritja sytë të shihja njerëzit para vetes sime… ç’të shihja unë e gjora!!! Katër-pesë veta në sallë! Edhe ata ishin familjarë të artistëve të orkestrës. Pa, pa! Gati sa nuk klitha nga çudia e Zotit! Po ku ishin njerëzit??? Zgurdullova sytë dhe gati sa harrova t’i jepja shenjë dirigjentit për të filluar pjesën që do të këndoja.

“Ave Maria” ishte vepra që kisha përzgjedhur për të kënduar. Ishte kjo vepër e Verdit e cila u dedikohej njerëzve që kishin shkuar nga kjo botë dhe në këngë zhvillohej ai momenti kur ne të gjallët u përkushtohemi me raste atyre dhe lutemi për shpirtin e tyre. Sa herë e këndoja gjatë provave vokale të miat në shtëpi, çdoherë, ama çdoherë qaja në dy-tre vargjet e fundit!

Më kishte vdekur vëllai gjatë luftës dhe sa herë e bëja atë lutje përmes tingujve të këngës, më dilte fytyra e tij përpara. E këndoja me shumë emocion.. sepse ishte e vetmja mënyrë që t’i përkushtohesha atij dhe të zbrazja dhimbjen time për atë humbje aq të madhe familjare që kisha përjetuar!

Kur dola nga skena e kuptova që ai grumbulli i të rinjve që po shëtiste qendrës së qytetit, as që e kishte ndërmend të vinte sepse këtë “lloj” muzike nuk e përfillte fare.

Atëherë, kur dola në veprën e radhës, dola me pallto dimri, sepse të ftohtit në sallë po më kërciste nofullat e zërin duhej ta ruaja, sidomos për koncertin final që do të bëja në Prishtinë.

Gjersa po këndoja pjesën e dytë, ishte një Arie operistike me kërkesa vokale e interpretuese dhe në momentin kur duhej ta këndoja tingullin më të lartë në të, u fikën dritat. U hutova jashtë mase se çfarë ndodhi, por këndimin e vazhdova. Disa aty më të gjindshëm ndezën dy-tre qirinj sa ti shihnin partet për t’i luajtur me instrumentet e tyre. Në momentin kur po i afrohesha fundit të pjesës dhe po rritej intensiteti interpretativ, njërit prej orkestruesve i morën flakë partet nga flaka e qiriut dhe, e tronditur nga era që po ndieja, ktheva kokën prapa dhe pashë se ishte djegur krejt partitura…

“O Don fatale, o Don crudell”. Ishte fundi i pjesës!!!

Këtë arie e doja shumë, më përshtatej për zërin tim dhe e këndoja me shumë qejf. E kisha kënduar edhe në Slloveni disa herë. Por, njërën nga këto hera natyrisht se nuk do ta harroj kurrë.

Ishte koncerti i fundvitit për Krishtlindje dhe në sallë ishin më shumë se 1 500 veta që kishin ardhur për ta dëgjuar koncertin. Në mesin e publikut mora vesh se kishte qenë edhe një çift shqiptar. Nuk ishte e zakonshme aspak që në një koncert slloven, të kishte edhe qytetarë shqiptarë. Ishte Ramadan Hetemi dhe ish-bashkëshortja e tij, znj. Hazbije, e cila në Kosovë kishte qenë gjyqtare për 12 vjet. Në këtë kohë edhe ata jetonin në Lubjanë, me znj. Hazbije e kisha një miqësi. Kishin vendosur të vinin në koncert, pa me paralajmëruar. Z. Hetem kishte edhe nja tre biznesmenë ndërkombëtarë me vete dhe kurrë nuk e harroj atë kënaqësinë e tij dhe krenarinë që në një koncert të tillë Galla ishte një shqiptare në skenë.

Ishin vitet ’90 atëherë kur bota po priste fatkeqësinë e madhe me popullin e Kosovës nga pushtuesi serb. Bosnja ishte shkatërruar e tëra, Kroacia gjithashtu dhe atëkohë pritej momenti i shpërthimit të gjenocidit në Kosovë, ashtu siç u bë në Bosnjë. E ne shqiptarët që jetonim midis popujve të ndryshëm evropianë, me mish e me shpirt përpiqeshim të tregonim që ne ishim popull ndryshe nga sa na kishte propaganduar Serbia për dekada të tëra.

Këto përpjekje i bënin edhe artistët shqiptarë ngado që ishin në atë kohë. Shumë prej tyre u kthyen që ta jepnin kontributin e tyre në vend të vet. Në kohën kur unë isha kthyer ishim vetëm katër solokëngëtare me fakultet të kryer që vepronim këtu në Kosovë.

Hallooo… ishte zëri i mikes time që më shkëputi nga kjo valë kujtimesh.

I tregova se në çfarë vorbulle kujtimesh kisha hyrë dhe ajo krejt natyrshëm, si kur të ishte një bisedë të lënë për gjysmë, vazhdoj të ma kujtojë koncertin e Munihut. Ajo po fliste thua se koncerti kishte ndodhur dje e jo më 28 nëntor 1998. Ashtu me tre çamarrokët e saj, duke u endur poshtë e lartë nëpër qytetet ku jetonin shqiptarë, kishte arritur shumë gjëra për mobilizimin e popullatës në mërgatë, në ndihmë djemve të UÇK-së!

Dhe një ndër aktivitetet shumë të rëndësishme ishte edhe propaganda para popullit vendës në mënyrë që t’u hiqeshin paragjykimet që kishin krijuar për shqiptarët dhe edhe ata të kishin mirëkuptim për ndihmë popullit të Kosovës.

Edhe kjo është shqiptare? e patën pyetur disa qytetarë gjermanë, gjersa unë në skenë po këndoja “Ave Marinë” e G. Verdit dhe po lutesha për gjithë qenien shqiptare.

– Po. Shqiptare është. Ajo tjetra që e përcjellë në piano është artiste sllovene.

Ua kishte kthyer ajo me sytë e mbushur me rruaza lotësh nga gjithë ovacioni i publikut në sallë ku po përformonin edhe shumë artistë shqiptarë që jetonin e vepronin në Evropë, kryesisht në Gjermani.

Sa shumë dhimbje kishim atëherë, në festën e flamurit! Edhe aty po qaja me “Ave Marinë”.

Shumë nga ata artistë u kthyen menjëherë pas luftës në mënyrë që përvojat dhe dijen e tyre artistike që e kishin marrë nga institucione shumë të avancuara evropiane, ta sillnin këtu në Prishtinën e rrënuar nga lufta që ende i vinte era barot.

Nga këto katër solokëngëtare, pas luftës profesoresha të cantos, tashmë janë bërë me qindra. Nuk mund ta them numrin saktësisht, por ajo që është shumë e saktë është numri i solokëngëtarëve të Filarmonisë së Kosovës që sonte janë duke kënduar “Requiemin” e Mozartit nën dirigjimin e prof. Rafet Rudi.

Ai sonte shënon 70-vjetorin e lindjes dhe 40-vjetorin e punës së tij të palodhshme si pedagog dhe kompozitor i muzikës klasike! Urime, profesor!

Koncerti i sotëm bartë me vete edhe një mesazh të madh: sensibilizimin e opinionit kundër dhunës së gruas në Kosovë.

Amen!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas zhvillimeve të fundit në Federatën e Futbollit të Kosovës…