Ursula von der Leyen: Asgjë nuk do të jetë më si më parë

12 prill 2020 | 09:48

Ashtu si gjithë politikanët kryesorë, Presidentja e Komisionit Evropian po punon gjatë këtyre ditëve më shumë se kurrë në jetën e saj. Fundjava e përfshirë, natyrisht. Por ndryshe nga shumica e të tjerëve, Ursula von der Leyen po kalon edhe natën pranë zyrës së saj në katin e 13-të të Berlaymont, selia së Komisionit Evropian në Bruksel. Mbi të gjitha, pavarësisht lirisë së kufizuar të lëvizjes, ajo mund ta shijojë natyrën; në zyrën e saj ka dy pemë! Intervista e mëposhtme është dhënë për gazetën gjermane Die Zeit.

DIE ZEIT: Politika gjithmonë vendos për fatin e njerëzve, por rrallë aq direkt dhe aq ekzistencialisht sa tani. Si e shikoni ju këtë?

Ursula von der Leyen: Është një situatë e jashtëzakonshme, ashpërsia e krizës peshon shumë mbi supet tona, përfshirë edhe mua. Dhe të mendosh se ky është vetëm fillimi. Dalëngadalë po bëhet e qartë se sa e rëndë po bëhet situata.

Sa do të zgjasë?

Askush nuk e di saktësisht, por do na duhet të jetojmë me virusin edhe për shumë muaj.

Për momentin, ju duhet të reagoni në kushtet e një urgjence të madhe, por në të njëjtën kohë BE po ripërcakton edhe veten në një krizë të tillë. A duhet edhe një reagim strategjik?

Unë tani po jetoj në dy botë në të njëjtën kohë. Njëra është përballimi i krizës ditore. Javën e kaluar, për shembull, caktuam një paketë shpëtimi 100 miliardë euro për kompensimin e punëmarrësve të bllokuar, e cila kursen si klasën e mesme italiane, ashtu edhe industrinë gjermane të automobilave. Me duhet të telefonoj Kinën dhe Italinë për sigurimin e maskave mbrojtëse, pastaj bëj një video-konferencë në mbarë Evropën për ventilatorët, e kështu me radhë e me radhë. Në botën tjetër, më duhet të mendoj: “Çfarë lloj krize është kjo dhe cilat do të jenë pasojat?”

Dhe çfarë lloj krize është kjo?

Një krizë serioze, simetrike, globale, diçka vërtet e re!

A nuk është gjithashtu një veprim gjigant solidariteti midis të rinjve dhe të moshuarve, midis të shëndetshëmve dhe të sëmurëve? A mund të ecet edhe politikisht me këtë frymë?

Njerëzit e kuptojnë se kjo krizë nuk prek vetëm sektorë të caktuar ekonomikë, siç ishte rasti me Lehman Brothers, dhe nuk kufizohet vetëm në rajone të caktuara të botës si Ebola. Kjo është një krizë gjithëpërfshirëse, dhe kjo është arsyeja e kaq shumë solidariteti. Ju po e shikoni që kufijtë nuk ndihmojnë më dhe se të gjithë janë të prekshëm. Dhe e fundit: kriza tregon se sa e rëndësishme është të kesh një sistem shtetëror funksionues.

Pse BE nuk ka të njëtin solidaritet për mijëra refugjatët në ishujt grekë?

Unë e shoh ndryshe. Tetë vende janë të gatshëm të pranojnë emigrantë. Unë shoh punën dhe shqetësimin e OJQ-ve dhe përpjekjet e Komisionit dhe qeverisë greke për të sjellë njerëzit në kontinent, në rast se Corona shpërthen nëpër kampe.

Mund të ketë përpjekje, por nuk ka rezultate.

Ne po punojmë për këtë me Athinën dhe vendet e tjera anëtare të BE.

A ka mundësi që Italia dhe Spanja, veçanërisht më të goditurat nga kriza, janë në atë situatë pasi BE i ka detyruar të kursejnë në sektorin publik dhe sistemin e kujdesit shëndetësor që rezultoi me më pak rezerva sesa sistemi shëndetësor gjerman?

Me siguri që rezervat rezultuan kudo shumë të vogla për këtë pandemi. Sidoqoftë, ne jemi shumë më të pozicionuar në Evropë se të tjerët sepse kemi sistem pensionesh dhe sepse njerëzit në BE janë plotësisht të siguruar. Në SHBA, sektori i kujdesit shëndetësor është i organizuar thjesht në bazë të të ekonomisë së tregut, dhe shumë nuk janë të siguruar – pasoja që po shihen tani. Ky shembull, por edhe deficitet në Evropë, na mësojnë se duhet të krijojmë dhe të mendojmë për sistemet tona shëndetësore shumë më ndryshe. Kjo vlen si për rezervat, ashtu edhe për pagesat e personelit. Sepse virusi tjetër do të vijë, kjo është e sigurt.

Solidariteti nuk është aq i lehtë për BE kur bëhet fjalë për financimin e masave të shpëtimit dhe programeve të rimëkëmbjes ekonomike. Konflikti i krizës greke, veriu kundër jugut, më të pasurit kundër më të varfërve, kërcënimi vazhdon. Ndjeheni më euroveriore apo eurojugore?

Përpiqem të mbush hendekun mes të dyve. Për shembull me “Sure”, programi i mbështetjes së të punësuarve e ndihmon shumë Jugun. Financohet në solidaritet, është i shpejtë dhe i shënjestruar. Kështu e imagjinoj solidaritetin evropian.

Po, por Koronabondet kanë mbetur thjeshtë një emër?

Tani duhet të veprojmë shumë shpejt dhe të vemë në dispozicion shuma shumë të mëdha dhe të tregohet solidariteti evropian. Ai funksionon më së miri me mjetin më të fuqishëm që kemi: një buxhet i fortë, i ri i BE-së. Mbështetet nga të gjithë, është transparent, ka rregulla të qarta, dhe misioni i tij është që të bashkojë ekonominë evropiane. Gjatë buxhetit të ri shtatë-vjeçar, ne mund të përdorim edhe financime në përgjigje të krizës së koronavirusit.

Në këtë krizë po shihet se rrjetet e furnizimit global janë të brishta dhe ndarja globale e punës mund të jetë e rrezikshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet mjekësore. A ka nevojë BE-ja për më shumë vetë-mjaftueshmëri në kujdesin shëndetësor?

Ne kemi dy përparësi në Evropë, dixhitalizimin dhe dekarbonizimin, d.m.th. politikën e klimës. Dixhitalizimi po përjeton një rritje në këto kohë të Koronës. Marrëveshja e gjelbër është dhe mbetet shumë e rëndësishme, por do të plotësohet nga një përbërës i bardhë, i bardhë si ngjyra e ilaçeve. Tani jemi duke e kuptuar që shëndeti është një e mirë publike po aq sa mbrojtja e klimës. Ashtu siç mbrojmë shëndetin e planetit duhet të mbrojmë edhe shëndetin e njeriut.

Kjo është një përgjigje interesante, por jo për pyetjen time për vetë-mjaftueshmërinë mjekësore.

Do të duhet të shohim shumë nga afër zinxhirët e furnizimit. Mësova në këtë krizë se një ilaç për dhimbjen e kokës që të gjithë e kanë në sirtarin e tyre të ilaçeve, nuk mund të bëhet pa Indinë. Dhe tani India është e bllokuar nga virusi. Ne duhet të përmirësojmë gatishmërinë tonë për krizat evropiane. Ne nuk duhet të shkëputemi nga globalizimi, por duhet të bëhemi më elastikë dhe të zgjerojmë rrjetin tonë të furnizuesve. Nuk duhet të jemi të varur vetëm nga një prodhues jashtë BE-së.

A do të thotë kjo që ju dëshironi një globalizim më të butë, më të kontrolluar si pasojë e krizës së klimës dhe koronës dhe për marrëveshjen tuaj Green and Ëhite?

Unë do ta quaja globalizim të ndërgjegjshëm. Ne nuk do të jemi më në gjendje ta shohim globalizimin ekskluzivisht ekonomikisht. Dixhitalizimi, klima dhe shëndeti do të jenë gjithnjë në tryezë, që të tre do të duhet të përfshihen gjithmonë në llogaritje.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Do të duhet të pyesim: Cilat janë kostot e gjelbërta, cilat janë kostot e bardha që duhet të përfshihen? Dhe nëse përfshihen të dyja, cilat marzhe të fitimit do të marrim nga globalizimi? Si rezultat, prioritetet e tjera duhet të përcaktohen. Sepse asgjë nuk është më e shtrenjtë se kjo që ne po përjetojmë tani me Covid-19, ku të gjithë kufijtë e mëparshëm të fitimit janë kolapsuar.

Në këto 15 vjet njerëzit kanë përjetuar tre kriza të globalizmit: financat, klima dhe tani Corona. Dhe ata pyesin veten: Kush më mbron nga pasojat e këtij globalizimi të verbër? Autoritaristët do të bërtasin me entuziazëm: kombi!

Shtetet janë të rëndësishme, por shumë të vogla. Mbylljet e parregulluara të kufijve brenda-evropianë në mesin e marsit menjëherë lanë shenja të thella në tregun e brendshëm dhe i vunë në rrezik furnizimet tona, përfshirë edhe furnizimet mjekësore. Nëse të gjithë mbyllen, askush nuk fiton. Gjërat po shkojnë më mirë sot, kjo edhe falë përpjekjeve të Komisionit Evropian. Ky ka qenë një mësim për të gjithë ne në BE.

Çfarë do të thotë për ju, edhe politikisht, që shoqëria tani po përjeton mungesën e thellë të normalitetit të vet, por duhet të jetojë një situatë rrënjësisht të ndryshme?

Është një përvojë shumë e paqartë. Është thjeshtë e tmerrshme të shohësh njerëz të vdesin, dhe të mos jesh në gjendje ti vizitosh, të mos mundesh të përqafohesh me gjyshërit. Nga ana tjetër, ne duhet të reflektojmë thellë për gjërat e thjeshta në jetë. Tani e kuptojmë më shumë se kurrë se çfarë pasurie janë.

Çfarë tregon kjo krizë për tre sistemet më të fuqishme politike në tokë, SHBA, Kinë dhe BE? Cili sistem aktualisht po provohet më i suksesshëm?

Të gjithë po humbasim. Ende nuk është e qartë se kush do të dalë nga kriza relativisht më i fortë. Kina ishte e para që pësoi krizën dhe tani duket se do të dalë e para. Sidoqoftë, ajo do ta ketë të vështirë të shesë produktet e saj në një treg botëror që po lufton me koronavirusin. Kursi aktual i Kinës bazohet në një rritje shumë të fortë dhe do të shohim se si do të mund të përshtatet strategjia e saj e mëparshme me situatën e re. SHBA e ka fshehur prej kohësh rrezikun e virusit, duke humbur kohë të vlefshme, dhe tani epidemia është duke goditur një sistem të kujdesit shëndetësor që nuk ishte i përgatitur për këtë krizë. Nga ana tjetër, SHBA, me Google, Amazon dhe Facebook, do të përfitojë më shumë nga shtimi i dixhitalizimit që solli kriza e koronavirusit.

Po Evropa?

E ardhmja e Evropës është e hapur. Sigurisht, kjo varet edhe nga zhvillimet në Kinë dhe në SHBA. Ne kemi një avantazh të madh, ky është tregu ynë i madh i brendshëm, i cili na bën relativisht të fortë. Por kjo do të varet nga sa solidare merremi me krizën dhe nëse do të mund të ruajmë zonën tonë ekonomike. Intervistoi: Bernd Ulrich/ DIE ZEIT: Mapo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në…