‘Ushtarët nuk do të jenë vetëm paqeruajtësit tanë, por edhe ambasadorë të paqes’

09 mars 2021 | 11:46

Sot është mbajtur ceremonia e zbarkimit të kontigjentit të FSK-së në misionin e parë paqësor jashtë vendit.

Me këtë rast, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka thënë se ndihet krenare që ka nënshkruar autorizimin për këtë mision dhe se ushtarët nuk do të jenë vetëm paqeruajtësit tanë të parë, por edhe ambasadorë të paqes dhe imazhi i shtetit të Kosovës.

“Ndihem krenare që kam nënshkruar autorizimin për këtë mision. Ky mision gjashtëmujor i ushtarëve tanë po bëhet i mundshëm falë partneritetit me ShBA, respektivisht me ushtrinë amerikane, ndaj paqeruajtësit tanë do të jenë krah tyre në këtë mision fisnik. Këta djem që po i përcjellim sot, së shpejti edhe vajza, do të jenë nderi dhe krenaria jo vetëm e jona por edhe partnerit tonë strategjik me ShBA-në”.

“Ky kontigjent që po e dërgojmë në shtetin e Kuvajtit, është i vogël në numër por i madh në përmbajtje. Këta djem po e shkruajnë historinë e re të Forcës sonë. Sot Forca jonë po merr rol në sigurinë dhe paqen globale. Me aleatët tanë ushtarak na bashkojnë vlerat e lirisë dhe demokracisë. Këta djem janë edhe djemtë tuaj, misioni juaj është edhe mision i yni. Është paqja dhe besimi në vlerat e përbashkëta që na bëri bashkë dhe ato do t’i bëjmë të mundshme”, ka thënë Osmani, duke shtuar se Kosova ka dëshmuar se nuk di të zmbrapset.

“Siç e keni dëshmuar edhe më parë, ne nuk dimë të zmbrapsemi. Ushtarët tanë do të jenë kudo dhe kurdo që rrezikohen interesat tonë por edhe ato të ShBA-së dhe të aleatëve të tjerë, kushdo që kërcënon ShBA-të dhe aleatët tanë ka kërcënuar edhe Republikën e Kosovës. Në Kosovën tonë, Amerika dhe aleatët tjerë gjithnjë do të gjejnë aleatin e tyre më lojal”.

“Valëviteni lart e më lart e me krenari flamurin tonë të dashur. Suksese dhe u kthefshi faqebardhë e shëndosh. Zoti ju bekoftë të gjithëve, Zoti bekoftë Kosovën dhe SHBA-të”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papa Françesku u kthye në Itali pas vizitës së tij…