Ushtria është fryma dhe shëndeti i popullit

15 maj 2018 | 10:51

Prof. dr. Hakif Bajrami

Nga shkolla kombëtare e Prekazit për progres kombëtar deri në liri, vlera historike dhe filozofike-kombëtare e luftës së UÇK-së 1991-1999 nuk bën të nëpërkëmbet (4)

More, e kemi shtetin dhe ligjet dhe ajo duhet të dokumentohet se “janë grabitës ky e ky, por jo të marrë përmasa një akuzë mizantrope se çlirimtarët paskan bërë çdo gjë të keqe”. Kjo shkollë është kah legalizohet dhe deri-diku është legalizuar me fajin edhe nga disa prijës politikë sot e ish-komandant dje. Por, ju them sinqerisht se askush nuk ka të drejtë që edhe më tej të na e grabitë lirinë, të na e përgojon lavdinë e UÇK-ës, sepse ajo është e kaluara e ndritshme, e sotmja e shansit dhe e nesërmja që të jetë lumturi për çdo qytetar. Këtë fakt si historianë e kemi borxh ta themi publikisht. Pra, jo për ndonjë patriotizëm pompoz, por për një realitet që thumbon dhe po vijnë për tu bërë akuzë e pashëruar. UÇK-ja është pra ushtri e paralajmërimit, ushtri e garancisë dhe për të duhet shkrirë çdo djers të nderohet dhe të ndërtohet, si dhe të funksionojë si çdo ushtri mbrojtëse. UÇK-ja është ushtri e garanci e sovranitet të popullit. Pra, ushtria është fryma dhe shëndeti i popullit.

Edhe njëherë po theksoj se modelit të UÇK-së sot i frikësohen shumë shtete ku të drejtat e njeriut, të drejtat e kombeve që i shtypin në emër të forcës që kanë pasur në të kaluarën. Prandaj, nuk është çudi që ushtria e Kosovës pengohet të avancohet me çdo mjet. Askush sot, nuk e di se sa para i kanë marrë Karla del Ponte, Dik Martinoviq e shumë të tjerë të padukshëm, për ta komprometuar dhe për ta akuzuar, të paktën luftën e UÇK-së. E vërteta të gjitha akuzat janë sajuar nga filozofia e suflerëve të “shkollës së Delfit” antik, diku në mesin tonë dhe në disa gazeta që janë zëdhënëse të Beogradit nëpër botë, gjithnjë në emër të njëfarë objektivizmi dhe me qëllim që të përfitojnë benficione të OJQ-ve me prapavijë meskine, qoftë nga vendet e nxehta, apo të ftohta me klimë siberiane. Shkurtë, këta elefantë dhe këta arinj janë bashkuar në një front, në të cilin do të ngulën shumë keq. Koha nuk punon për ta, ju themi publikisht, pa frikë dhe pa ekuivokë, me ballin lartë se nuk kemi çka të fshehim për luftën tonë të drejtë. Këtu jemi dhe këtu do të jetojmë prej se na falë zoti.

E vërteta, shumë vende të globit më 1998 i kishin dhuruar Serbisë afro 6 miliardë dollarë për ta shkatërruar UÇK-në (vendet arabe i dhuruan Serbisë 2,5 miliardë dollarë, Gjermania 1 miliard, Franca dhe Italia nga 800 milionë dollarë, gjithnjë në “emër të tregtisë private”). Këto para kanë përfunduara në fabrikat ruse dhe serbe dhe UÇK-ja nuk u shkatërrua edhe pse nuk kishte spitale por ishte rreptë e kontrolluar, por jo e vetëpërmbajtur në disa raste. Në këto rrethana spiunët e

okupatorit ose do të vetëvriten për mos të rënë të gjallë në duart e fitimtarëve, ose do të vriten nga punëdhënësit që nuk fituan ashtu si kërkonin.

Tash duke e vërejtur modelin e luftës së drejtë, ShBA në fillim të vitit 1999 do të dali me doktrinë të re duke u mbështetur në Rezolutën 1160 nga 31 marsi 1998 të KS OKB-së, duke u mbështetur në Kaptinën VII të Kartës së OKB-së.

Në këtë mënyrë kombit të robëruar shqiptar do t’i hapet shansi i shekullit për të çliruar, por, prapë do të gjinden forca të balancuara në OKB dhe do të përpilohet në fillim të qershorit 1999 një rezolutë e re nr. 1244 me të cilën Kosova mbetet një koloni moderne, e tipit të kontrolluar nga organizata që mori emrin UNMIK, që më vonë nuk u shua tërësisht, por që i mbeti krah i ndihmës i njëfarë EULEX-i evropian. Sot, prijësit e UÇK-së akuzohen nga brenda dhe nga jashtë, krejt me qëllim që partia shqiptare e sabotimeve të luftës së drejtë, të mbetet në skenë, madje drejtuese pa konkurrencë, pa kontroll, të mos krijohet ushtria siç vepron LDK-ja dhe Vetëvendosja më 2014-n, për njëfarë kapricioziteti, sidomos kjo e fundit.

Lufta në dy litarë për primat politik sot e tutje

Lufta në “dy litarë” e popujve të vegjël në Evropë, kurrë nuk është kuptuar me kohë dhe drejtë. Kjo luftë për Kosovën e ka pasur epilogun e tragjedisë, të cilën Fuqitë e Mëdha edhe më tej e kanë varruar për ta bërë institucion invalid dhe mos të ketë mundësi të këndellët e të vetëvendos si subjekt etnokulturor dhe civilizues evropianë sidomos 1878-1999. Kjo pjesë e Shqipërisë etnike, edhe në kohën e okupimit mesjetar bizantin, bullgar, madje për një kohë edhe vet-okupim serbo-alaban (1286-1355), okupimit të egër osman dhe pastaj serbo-jugosllav ishte njësia administrative më e njohur, më kryengritëse jo vetëm përbrenda shqiptarëve, por edhe në Ballkan në përgjithësi.

Dhe, përgjatë gjithë shekullit XX, për të dalë prej kësaj të keqe dykahëshe, me kohë në Kosovë do të lindë një brez i padisiplinuar, i cili nuk deshi të merret me parada politike, injorancë kjo që e tejkalon shkollën e kodifikuar të ish-pazareve që zakonisht i bënte politika jashtë trojeve tona, pa pjesëmarrjen tonë, pa pajtimin tonë, ku në vend të shkeljes së tokës, shkeleshin së pari hartat, e pastaj vinin të gjitha të këqijat pas tyre të paketuara dhe të kodifikuara si marrëveshje e Fuqive Evropiane.

Së pari, në këtë tokë fatmurge silleshin gjeneralët me nishan okupatorësh, me thika të përgjakura ndaj civilëve, e pastaj silleshin ushtritë dhe kuptohet me program elementin kriminal nga trojet e tyre për ta kolonizuar tokën e “premtuar”. Për fat, për ta bërë copë e grimë atë realitet, doli në skenën historike, sidomos në dekadën e fundit të shekullit XX, me shpirtin e dëlirë një forcë rinore, e cila e kishte pasur ndjenjën dhe ndërgjegjen, shikonte vetëm përpara, duke e ditur se sa i lartë është çmimi i lirisë. Kjo shkollë jo vetëm dje, kur i dinte fare mirë të gjitha gogolizmat e Luftës së Ftoftë, sidomos në Kosovën e pasur me minerale dhe të varfër popullore, e që është në pozitë shumë të vështirë , sepse është identifikuar me lirinë e shenjet, sepse ka të bëjë me pronësinë e luftës së drejtë, sepse njëherësh ka luftuar kundër një shtrese të pa arsimuar, pikërisht në rend të parë në Kosovë, në “qenien” e saj për liri.

Prandaj, nëse pozicioni i asaj lufte objektivizohet dhe pranohet ma në fund nga Fuqitë e Mëdha, duhet të dihet dhe të shkëputet dy mendësia. Dhe, nuk ka dyshim se kjo luftë është zhvilluar në “dy binar”. Njëra ishte ndihmë financiare për Serbinë gjenocidale 1998/1999 nga vendet arabe me 2 miliardë dollarë, Gjermania me 1 miliard dollarë (kredi), Franca me 800 milionë, Italia me 750 milionë. Këto para të “kredituara” dhe të kontrabanduara kanë përfunduar në fabrikat e Serbisë e pjesërisht në fabrikat e Rusisë. Kjo shumë, edhe pse ka qenë e ndaluar të kontrabandohet, ka qenë publike që dje ka mbetur e “pastudiuar”, nga qendrat e fuqisë, të cilat tërthorazi e kanë hisen në tragjedinë e Kosovës, sidomos në pjesën e parë të vitit 1999, kur deportimi i popullsisë shqiptare iu afrua një milionëshit, iu afrua shifrës së programuar të Beogradit që shqiptarët, turqit, boshnjakët dhe romët të zbritën në 49%, ndërsa serbët të avancohen në 51% (Shiko. Programi i partisë radilake serbe 1995).

E pra, duhet të mësohet nga shkenca se afro 80% e popullsisë shqiptare është sjellë buzë kolapsit etno-ekonomik, sepse pushteti me kohë, nga viti 1981 kishte vepruar për një shoqëri të organizuar në Kosovë, për varfëri, për deportim dhe për shfarosje, për djegie të çdo pasurie, të cilat deri me sot askush nuk ia ka përmend të paktën se duhet t’i paguaj dëmet e luftës. Për këtë realitet, besojë se ambasadori i nderuar nuk do të shprehë komplimente kënaqësie.

Me përgjegjësi të plotë e them se në trevat që i ka kontrolluar UÇK-ja, serbët si minoritet kudo në Kosovë kanë qenë më të sigurt se në trevat që i ka kontrolluar Ushtria serbe. Pse nuk verifikohet ky realitet nga ndërkombëtarët është çështje që duhet të thuhet, sepse pastaj do të pushonin akuzat e Dik Martinoviqve të padukshëm, të cilët yshtin për kauza të rrejshme që 16 vjet, pa mundur të gjejnë asnjë argument që gjykimi i tyre të mbetet aksiomë. Por, deri më tash gjyqësia ndërkombëtare në Kosovë me këtë të “prodhimit” vendor në tërësi është treguar e paaftë, dhe e komprometuar. Nuk ka gjykim që nuk është kontestuar, apo që “fajtori” të jetë dënuar deri në 14 vjet, e pastaj të shpallet i pafajshëm!!! Këtu bëhet loja e ri robërimit, e neokolonializmit modern për popujt e vegjël.

Mjerisht edhe pas çlirimit të Kosovës, në saje të Luftës së Drejtë të UÇK-së dhe intervenimit nga ajri i NATO-s, pas qershorit 1999, Kosova mbi 92% mbeti peng i Mbretërimit të OKB-së me Rezolutën 1244. Këtu sikur kanë mbetur të paprekura disa derivate të neokolonializmit, ku neofashizmi kishtar serb, ish UDB-a me tërë arsenalin, qoftë në kontinuitet apo me ndërprerje ndërmerr aksione terroriste, në stilin vet likuidon dhe vet akuzon pastaj siç ka bërë 1981-1999.

Shkurt, paramilitarët e orkestruar nga Beogradi janë ende në ofensivë dhe të paprekur. Këtë fakt UNMIK-u dhe EULEX-i e dinë fare mirë dhe për këtë veprim kanë informata të sakta, por u nevojitën për përdorim intern. Kjo forcë misterioze serbe, që vepron në Kosovë skajshmërisht bashkëpunon dhe rekruton, dhe disa forca ekstra mafioze që fshihen pas njëfarë vehabizmi ultra urrejtës. Këta të rekrutuar sikur nuk kanë “lidhje me islamin”, por çdo gjë e bëjnë në emër të tij ua atribuojnë shqiptarëve, të cilët nuk janë as engjëj në disa mese, por as meleqe në disa “familje”. Politika e UNMIK-ut në këta rrethana sikur nuk i ka evidentuar (1999…..), e nuk i ka luftuar të gjitha garniturat vehabiste, çetniko fashiste serbe, mercenare shqiptare dhe ato që fshihen pas petkut “religjioz” e që nuk janë shqiptar as serbë, as turq e as boshnjak, ashkali jo se jo etj. (Vijon)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për…