“Ushtrim dëgjimi” apo përballje strategjike?

16 gusht 2025 | 22:35
Shkruan: Hisen Berisha

Përballja Trump – Putin mund të cilësohet si takim që sfidon ekuilibrat globalë. Ai riktheu vëmendjen e opinionit ndërkombëtar te raportet mes dy fuqive më të mëdha ushtarake dhe politike. Pesha e tij shtohet nga fakti se u mbajt në një moment delikat, kur rendi ndërkombëtar po sfidohet nga konflikte të hapura, rivalitete gjeopolitike dhe krizë besimi ndaj institucioneve multilaterale. Trump, i rikthyer në skenën ndërkombëtare me doktrinen e tij politike po pozicionohet si lideri që mund të negociojë drejtpërdrejt me kundërshtarët strategjikë të Amerikës. Ndërsa Putinit, takimi i ofroi shansin për të thyer izolimin politik e diplomatik të shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe për t’u paraqitur si partner i barabartë me SHBA-në.

Pritjet nga ky samit ishin të larta, por kontradiktore. Një pjesë e liderëve botërorë shihnin mundësi reale për uljen e tensioneve mes dy vendeve, sidomos për garën bërthamore dhe kontrollin e armatimeve strategjike. Po ashtu, takimi mund të shihej si rifreskim i marrëveshjeve të sigurisë, apo të paktën si hapja e një kanali të qëndrueshëm komunikimi mes dy presidentëve – interes i përbashkët për të parandaluar përshkallëzimin e rrezikut global. Nga ana tjetër, skepticizmi mbeti i theksuar në kampin euroatlantik, ku shumë vende të BE-së dhe NATO-s e shohin afrimin Trump–Putin si kërcënim për unitetin perëndimor dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Në qendër të pritjeve ishte lufta në Ukrainë. Putin synon të legjitimojë kontrollin mbi territoret e pushtuara, ndërsa Trump, megjithëse ka deklaruar disa herë se mund të arrijë marrëveshje “brenda 24 orëve”, përballet me sfidën e balancimit mes interesave amerikane, presionit të aleatëve europianë dhe premtimeve të tij për fundin e luftës. Çdo hap i tij që perceptohet si lëshim ndaj Kremlinit do të ngrejë shqetësime serioze në Kievin zyrtar dhe kryeqytetet e Evropës Lindore.

Tema të tjera të pritshme për diskutim ishin energjia dhe tregtia globale, me theks të veçantë tek roli i Rusisë në furnizimin me gaz dhe ndikimin e saj në tregjet ndërkombëtare të naftës. Po ashtu, prania ruse në Lindjen e Mesme, Afrikë e Azi Qendrore, si dhe ndikimi i saj në sigurinë kibernetike globale. Trump e përdori këtë samit për të demonstruar stilin e tij të diplomacisë direkte, duke u distancuar nga burokracia tradicionale, ndërsa Putin u përpoq ta shfrytëzonte për të projektuar imazhin e një fuqie që nuk mund të anashkalohet.

Suma sumarum, takimi Trump–Putin testoi jo vetëm raportin personal mes dy liderëve, por edhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare. Për SHBA-në dhe aleatët e saj, dilema mbetet: a do të sjellë ky dialog stabilitet të qëndrueshëm, apo do të prodhojë ndarje të reja në kampin perëndimor? Për Rusinë, ishte mundësia për të treguar se, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit, ajo mbetet aktor kyç që ndikon në çdo proces global. Për Trump-in, ky takim është pjesë e strategjisë për të rikthyer Amerikën në qendër të negociatave të mëdha me impakt ndërkombëtar, duke dëshmuar se vetëm ai mund të menaxhojë raportin kompleks me Putinin.

Kritikët e Trump, takimin e interpretuan si “një dështim i rëndë politik: viktima e agresionit mbeti jashtë tavolinës, ndërsa agresorit iu dha hapësirë për të imponuar narrativën e tij”.
Po ashtu, Trump u akuzua për legjitimim të Putinit dhe për “heqjen dorë nga kërkesa për llogaridhënie mbi krimet e kryera në Ukrainë”. Evropa, e trembur nga Rusia, reagoi me urgjencë duke theksuar se “pa përfshirjen e Ukrainës çdo dialog është i pakuptimtë dhe i rrezikshëm”.

Pikëpyetja më e madhe që ngre Takimi i Alaskës është: a i afroi vërtet palët drejt paqes? Apo shërbeu forca si kriteri mbi të cilin imponohen zgjidhjet? A i dha ky samit Putinit mundësinë të dilte nga izolimi dhe të prezantohej si partner i respektuar ndërkombëtar? Në këtë kuptim, kurtoazia diplomatike u shndërrua në armën më të fortë të Putinit: një pretekst për t’u shpëtuar stigmatizimit si kriminel ndërkombëtar. Në vend që të sillte paqe, ky samit shënoi një precedent të rrezikshëm ku agresori shpërblehet me legjitimitet, ndërsa viktima mbetet jashtë.

Pavarësisht vërejtjeve dhe interpretimeve kritike, mbetet fakt se vetëm SHBA dhe lidershipi amerikan mund të imponojnë procese që çojnë drejt paqes dhe stabilitetit global. Besimi im në doktrinën e Presidentit Trump qëndron në këtë pikë: fuqia dhe vullneti amerikan mbeten garancia kryesore se agresioni nuk do të shpërblehet dhe se paqja do të imponohet si interes universal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka refuzuar kategorikisht çdo propozim për…