Vajza e Bedri Hamzës del me një shkrim për babanë: Një mandat po përfundon, gjurmët mbesin në Mitrovicë

28 shtator 2025 | 17:10

Një shkrim përmbledhës për mandatin dhe punët e kryera nga Bedri Hamza në Mitrovicë, e bëri vajza e tij Doruntina Hamza.

Ajo përshkroi transformimin e qytetit si rrjedhojë e punës katër vjeçare të Hamzës:

Tani, kur babai po e përmbyll mandatin si Kryetar i Komunës së Mitrovicës, e di se qyteti do të vazhdojë të flasë përmes veprave që ai la pas me punë, përkushtim dhe dashuri.

Kur një prind e lë fëmijën e tij në çerdhen e re, apo në çerdhen kryesore të rinovuar, ai e bën këtë në një vend që babai e ndërtoi me mendjen dhe zemrën e një prindi vetë.

Kur një nxënës hyn në njërën nga 10 shkollat e rinovuara, ai mëson në një hapësirë që është kthyer në simbol të dinjitetit për çdo fëmijë dhe mësimdhënës.

Kur mitrovicasit ecin rrugëve “Mbretëresha Teutë”, “Dëshmorët e Kombit”, “Ali Zeneli”, “Lah Nimani”, “Bislim Bajgora” apo nëpër lagje të ndryshme, ata ecin mbi punën e tij të heshtur, por të palodhur.

Përgjatë lumit Ibër, në të dy anët e qytetit, shetitorja është një ndër projektet e tij më të dashura. Ecja aty është bërë pjesë e përditshmërisë, dhe gjatë kësaj ecjeje, mbi qytet qëndrojnë krenare shkronjat e ndriçuara të UÇK-së, simbol i sakrificës dhe i lirisë.

Sot, sporti, kultura dhe rinia gëzojnë 320% më shumë mbështetje, ndërsa Mitrovica është bërë kampione në shumë disiplina sportive, duke sjellë krenari për qytetin.

Biblioteka e qytetit, për herë të parë me një shtëpi të vetën, hapi dyert për të gjithë. Shtëpia e librit, më në fund, ka vendin që e meriton.

Qendra e Mjekësisë Familjare, më modernja në rajon, së bashku me 13 qendra të tjera të ndërtuara apo rinovuara në këto 4 vite, kujdeset për shëndetin tonë me përkushtim. Në çdo ndërtesë të re apo të rinovuar, e kam parë përkushtimin e babait, të pranishëm në çdo detaj.

Nëse dëshiron ta shohësh Mitrovicën si në pëllëmbë të dorës dhe të ecësh përgjatë shtegut që të çon drejt pamjes së bukur të qytetit e të përfundosh ne ballkonin panaromik, ajo pamje është vizioni i tij, i ndërtuar me dashuri, shpresë dhe dinjitet.

Një mandat përfundon, por gjurmët mbesin, në kujtesën e Mitrovicës dhe në zemrën e mendjen time, që gjithmonë do të jetë krenare për gjithë rrugëtimin e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur për pezullimin e…