Vance: ShBA-ja dhe Irani janë afër marrëveshjes
ShBA-ja dhe Irani ende duhet të zgjidhin disa pika të mbetura pezull para se të arrihet një marrëveshje për luftën, ka thënë zëvendëspresidenti JD Vance.
I pyetur nga BBC nëse presidenti Donald Trump ishte afër nënshkrimit të një marrëveshjeje, Vance tha se është ende herët për të thënë “kur ose nëse” të dyja palët do ta finalizojnë një marrëveshje.
Marrëveshja raportohet se do ta zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe do të nisë bisedimet për të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.
Më herët të enjten, zyrtarë amerikanë i thanë BBC-së se dy vendet kishin rënë dakord për një kornizë marrëveshjeje, në pritje të miratimit nga Trump dhe udhëheqja iraniane.
Por agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim raportoi se marrëveshja nuk ishte finalizuar apo konfirmuar.
Duke folur të enjten në mbrëmje, Vance tha se negociatorët po “shkonin para dhe mbrapa për disa çështje”.
“Nuk jemi ende aty, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, u tha ai gazetarëve.
SHBA-ja prej kohësh ka kërkuar që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit shumë të pasuruar dhe të heqë dorë nga rezervat ekzistuese, të cilat teorikisht mund të përdoren për krijimin e armëve bërthamore.
Vance mbajti një ton optimist gjatë deklaratës në Uashington, duke thënë se SHBA-ja beson se iranianët po negociojnë “me mirëbesim”.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit fillestar mes SHBA-së dhe Iranit më 8 prill, Trump ka sugjeruar vazhdimisht se të dyja palët janë afër një marrëveshjeje dhe se negociatat po përparojnë, por deri tani nuk ka pasur rezultate konkrete.



