
Vardy shihet nga Napoli si zëvendësues i Lukakut
Napoli po përballet me një problem të madh pas dëmtimit të Romelu Lukakut, sulmues kryesor i skuadrës. Lajmi për gjendjen fizike të belgut ka bërë jehonë edhe jashtë Italisë, me mediat britanike që raportojnë për një pistë mjaft të veçantë në merkato për klubin napolitan.
Sipas “Daily Mail”, Napoli po shqyrton mundësinë për të afruar Jamie Vardyn si zëvendësues të përkohshëm të Lukakut. Sulmuesi anglez, i cili më 11 janar do të mbushë 39-vjeç, aktualisht është pa kontratë pas mbylljes së aventurës së tij 13-vjeçare me Leicesterin më 30 qershor. Pas një karriere të jashtëzakonshme me “Dhelprat”, ku u bë simbol i klubit dhe një nga protagonistët e titullit historik të Premier Ligë, Vardy mund të rikthehet sërish në qendër të vëmendjes me një eksperiencë të fundit në Serie A.
Napoli e ka përfshirë emrin e tij në një listë të shkurtër të kandidatëve të përgatitur nga drejtori sportiv Manna. Në këtë listë figuron edhe Nicolas Jackson i Chelseat, por për të vështirësia kryesore mbeten kostot e larta që kërkon klubi londinez për ta lënë të lirë.
Napolitanët po analizojnë opsionet, teksa dëmtimi i Lukakut pritet ta lërë skuadrën të zbuluar në repartin ofensivë në javët e ardhshme.