Varhelyi: Shtyrja e integrimit të Ballkanit nuk është në interes të BE-së

26 prill 2022 | 16:49

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka bërë thirrje për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që të hapet rruga për nisjen e bisedimeve të Shkupit dhe Tiranës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në Forumin për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur të martën në Sofje, komisionari Varhelyi ka thënë se “jam jashtëzakonisht i zhgënjyer që ende po flasim për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendova se e zgjidhëm këtë çështje dy vjet më parë, por kjo tani është kthyer në tryezë”.

Varhelyi ka theksuar se BE-ja nuk ka as kohë dhe as interes që të shtyjë konferencat e para ndërqeveritare me Shkupin dhe Sofjen.

“Të gjitha shtetet anëtare duhet të kuptojnë fuqinë transformuese të procesit të anëtarësimit. Dhe ky është mesazhi që po sjell përsëri në Sofje. Kam qenë këtu para tre javësh dhe do të vij sa të jetë e nevojshme për ta zgjidhur këtë çështje në qershor të këtij viti, sepse lufta në Ukrainë na ka treguar se nuk kemi kohë për të humbur dhe as interes që ky proces nuk vonohet”, ka thënë ai.

Sipas tij, “lufta në Ukrainë dhe mësimet e së kaluarës kanë treguar se procesi i integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet”.

Por, pavarësisht kërkesës së komisionarit i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë, Oliver Varhelyi, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, ka përsëritur se vetoja bullgare për Shkupin nuk do të hiqet pa u përmbushur kërkesa për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

“Është kusht i deklaratës së Kuvendit kombëtar bullgar dhe është konfirmuar nga Këshilli konsultativ për Sigurinë Kombëtare. Në këtë fazë është e rëndësishme që ky kusht të plotësohet para fillimit të negociatave”, ka deklaruar Gençovska në Forumin për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit në Sofje.

Kundërshtimet e Sofjes, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, i ka vlerësuar si luftë politike mes partive bullgare, për shkak të paqëndrueshmërisë së Qeverisë bullgare.

“Lufta politike në një vend fqinj, shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe retorika populiste-nacionaliste nuk mund të jenë pengesë për anëtarësimin e një vendi që ka katër raporte radhazi për të nisur Konferencën e parë ndërqeveritare”, ka thënë në Shkup, kryeministri Kovaçevski.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka përdorur veton për të bllokuar Maqedoninë e Veriut për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian.

Sofja konteston gjuhën dhe identitetin maqedonase duke kërkuar nga Shkupi që të pranojë “rrënjët bullgare” në identitetin e tyre. Bullgaria gjithashtu kërkon respektimin e të drejtave të bullgarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut duke kërkuar përfshirjen e tyre në kushtetutën e këtij vendi, si popull shtetformues.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Ballkanit e ka fituar ndeshjen me rezultat zyrtar…