Varianti i ri i koronavirusit identifikohet edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi

21 dhjetor 2020 | 01:43

Lajmi u bë i ditur të dielën nga udhëheqësja teknike e Organizatës Botërore të Shëndetit për koronavirusin, Maria Van Kerkhove.

Varianti i ri Covid-19, me origjinë nga Anglia juglindore, është identifikuar në Danimarkë, Holandë dhe deri në Australi.

“Ky variant është identifikuar në Danimarkë, në Holandë dhe kishte një rast edhe në Australi”, tha ajo për BBC.

“Është shqetësuese që virusi po përhapet dhe se ka kaq shumë mutacione. Ne e kuptojmë që nuk shkakton sëmundje më të rëndë nga informacioni paraprak që Mbretëria e Bashkuar ndau me ne, por ende po bëhen studime tek pacientët e shtruar në spital me këtë variant.”, shtoi ekspertja.

Sipas Kerkhoves, së më shumë përhapet ky virus, aq më shumë mundësi ka ai për të ndryshuar.

“Sa më gjatë që përhapet ky virus, aq më shumë mundësi ka për të ndryshuar. Pra, ne me të vërtetë duhet të bëjmë gjithçka që mundemi tani për të parandaluar përhapjen, “shtoi ajo.

Nga frika e variantit të ri të koronavirusit disa shtete të BE-së ndalojnë fluturimet me Britaninë

Disa shtete të Bashkimit Evropian kanë ndërprerë fluturimet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe të tjera shtete po e shqyrtojnë një mundësi të tillë, nga frika se një variant i ri i koronavirusit, i shfaqur në Angli, mund të përhapet edhe në pjesë të tjera të kontinentit evropian.

Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika, Austria, Suedia, Italia dhe Bullgaria kanë njoftuar për kufizime në udhëtimet me Mbretëriën e Bashkuar, raporton AP.

Franca do të ndalojë të gjitha udhëtimet nga Britania për 48 orë nga mesnata e së dielës.

Gjermania do të ndalojë pothuajse të gjitha fluturimet nga Britania nga mesnata, sipas një urdhri nga Ministria e Transportit. Me disa përjashtime, të tilla si për aeroplanët e transportit të mallrave, avionët që vijnë nga Britania nuk do të lejohen të aterojnë.

Holanda ka ndaluar fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar, për të paktën deri në fund të këtij viti, ndërkaq, Belgjika ka urdhëruar një ndalesë 24 orëshe që nis mesnatën e së dielës, për fluturimet nga Britania. Austria dhe Italia thanë se po ashtu do të ndalojnë fluturimet që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, por nuk njoftuan se kur do të hyjë në fuqi kjo ndalesë.

Edhe Suedia do të vendosë kufizime të udhëtimit për pasagjerët nga Britania.

Bullgaria do të mbyllë kufijtë e saj ajrorë, detarë dhe tokësorë për udhëtarët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar nga mesnata deri në 31 janar, për të parandaluar importimin e llojit të ri të koronavirusit, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë.

Republika Çeke ka thënë se do të vendosë masa më të ashpra të karantinimit për qytetarët që arrijnë nga Britania.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë së Turqisë njoftoi se për shkak të mutacionit të koronavirusit, ky vend ka ndaluar fluturimet nga Britania e Madhe, Danimarka dhe Holanda.

Britania e Madhe të shtunën, më 19 dhjetor, vendosi masa më të ashpra kundër koronavirusit, në prag të Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Kryeministri britanik, Boris Johson tha se varianti i ri i virusit është 70 për qind më i transmetueshëm sesa virusi aktual dhe se masat e ndërmarra kanë për qëllim që të parandalojnë përhapjen e mëtejme të tij. Ky lloj i ri i virusit është përhapur në Londër dhe në pjesën jugore të Anglisë.

Johnson megjithatë shtoi se “nuk ka të dhëna që sugjerojnë se varianti i ri është më i rrezikshëm apo shkakton sëmundje më të rëndë”, apo edhe se vaksinat e prodhuara kundër koronavirusit do të jenë më pak efektive ndaj këtij varianti të ri të virusit

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq njoftoi sonte se vendi i…