Vataj: PDK-ja po tregon se është e hapur për njerëz të rinj

15 prill 15:22

Kryetari i ri i degës se PDK-së në Therandë, Ramë Vataj, ka falënderuar anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie në këtë qytetet për besimin që ia kanë dhënë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se PDK-ja në Therandë do të jetë shtëpia e të gjithë qytetarëve me ide dhe vullnet për të punuar në frymën e “Dekadës së Re”.

Sipas tij, edhe në këtë proces zgjedhor PDK-ja po tregon se është e hapur për njerëz të rinj, me ide të reja, për të zhvilluar vendin.

 Postimi i plotë i Vatajt:

Të nderuar anëtarë, simpatizantë, struktura të Degës dhe nëndegëve të PDK-së në Therandë!

Dje është mbajtur Konventa zgjedhore e PDK-së së Degës në Therandë, dhe me shumicën e votave të delegatëve të zgjedhur me një proces të rregullt, nga të gjitha nëndegët, jam zgjedhur kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës, në Therandë.

Me këtë rast, falënderoj të gjithë mysafirët nga Qendra e Partisë që ishin të pranishëm në pjesën ceremoniale, zv. Kryetarin e PDK njëherit zv. Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, z. Enver Hoxhaj, ministrin e MKRS z. Kujtim Gashi dhe znj. Luljeta Veselaj-Gutaj, deputete në Kuvendin e Kosovës; ndërsa në veçanti të gjithë delegatët që me votën e tyre më dhanë besimin të udhëheqë Degën.

I falënderoj të gjithë kandidatët tjerë që ishin në garë për Kryetar, për frymën bashkëpunuese dhe demokratike që ka mbretëruar gjatë gjithë procesit të votimit, po ashtu edhe delegatët të cilët kanë treguar durim dhe sjellje dinjitoze për një kohë të gjatë të procesit të votimit dhe numërimit të votave.

Edhe këtë herë, PDK ka treguar se është e hapur për njerëz të rinj, me ide të reja, për të zhvilluar vendin, për të kontribuar konform përgjegjësive që merr secili individ që i jepet mundësia. PDK, ka potencial intelektual e atdhetar, dije dhe guxim për të vazhduar rrugën e shtetndërtimit, dhe ngritjes së mirëqenies jo vetëm në Komunën e Therandës por dhe në tërë Kosovën.

PDK në Therandë do të jetë shtëpia e të gjithë qytetarëve me ide dhe vullnet për të punuar në frymën e “Dekadës së Re”, duke respektuar parimin e profesionalizmit dhe mundësisë së barabartë për angazhim në fushat ku mund të jep kontribut më së shumti. Së bashku mundemi dhe do të vazhdojmë drejt ndërtimit të së ardhmes më mirë për qytetarët e komunës së Therandës.

Do të jem kryetar i të gjithëve, simbol i unitetit të të gjitha kategorive sociale dhe intelektuale, duke dhënë shembull personal të respektimit të dinjitetit të secilit, dhe do të bashkëpunoj me të gjithë të interesuarit për të kontribuar për të mirën e të gjithë qytetarëve.

Faleminderit lidershipit të PDK për mbështetje në besimin e dhënë.

Sinqerisht, i juaji,

Ramë VATAJ.

Lajme të sponsorizuara