Vatikani, si Kuvendi i Kosovës!

08 maj 2025 | 14:18

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Tym i zi për Papën, tym edhe më i zi për Lenkën: Pasi Papa Françesku shkoi atje nga ku nuk ka kthim, Kuvendi i Kardinalëve – Konklava, më 7 maj mbajti votimin e parë për zgjedhjen e Papës. Nëse del tymi i zi nga oxhaku i Vatikanit nënkupton se askush nga kardinalët nuk i ka fituar votat e domosdoshme prandaj duhet votimi i radhës, deri sa të dalë tymi i bardhë kur sekretari i Vatikanit del në ballkonin e katedrales së Shën Pjetrit dhe thotë: “Habermus Papam”, “U zgjodh Papa  i Ri”. Edhe marioneta numër 1 që e ka uzurpuar pozitën e bashkëdrejtuesit të udhëheqjes së mbledhjeve të Kuvendit për zgjedhjen e kryetarit/es dhe kryesisë së Kuvendit për të 12 herë po mundohet, me 100 mijë manipulime kundërkushtetuese, të dalë në ballkonin e zyrës së deputetit Albin Kurthi e të thotë: “Habermus Lenka Haxhiu”, në shqip: “U zgjodh Lenka Haxhiu”, të shoqëruar nga një tym i bardhë. Po nuk po ndodhë se nuk po ndodhë, më parë do të zgjidhet Papa i Vatikanit, se Lenka Haxhiu Papeshë e Kuvendit të Kosovës! Lenka Haxhiu është marionetë numër 2.

Në Vatikan është një rregull se tymi që del nga oxhaku është nga djegia e fletvotimeve të zgjedhjes së dështuar ndërsa në Kuvendin e Kosovës, marioneta numër 1. që i ka uzurpuar dhe turpërisht po i keqpërdorë mundësitë që ia ka siguruar mosha e jo kapaciteti profesional apo intelektual nuk përfill asnjë procedurë jashtë “Rregullave të Kurthit”. Nuk ka fletvotime, nuk ka me çka ta ndezë zjarrin nga do të duhej të dalë tymi i bardhë e jo sikur deri më tani që po del tymi Shvartz  – katran.  Mjerë për ne kush është duke na udhëhequr!

Letra e Lumit të Xhikës për shokun Albin Kurthi: Letra e Kurthit dërguar kryetarit të LDK-së, Lumit të Xhikës me nënshkrim të Albin Pusit ishte si dhurata që ia bënë grekët spartanëve e që njihet si “Kali i Trojës”. Dihet mirë se çfarë fati pati Sparta pasi e pranoi këtë “dhuratë”, të njëjtin fat do ta kishte edhe LDK-ja po ta pranonte “dhuratën e Kalit të Trojës” nga Kurthi. Letër më dinake, më përçarëse, më nënçmuese, më fyese dhe më të poshtër në aq pak rreshta, moti nuk kam lexuar! Pas kësaj letre u aktivizuan “akademikët” e LV-së në me krye Mehmet Krajën e LV-së, Agim Bahtirin. Ishin mbresëlënëse psherëtimat e Haxhi Qamilit, Dilmal Qishës, Sorre Ximit, Narkomanëve të Prizrenit, Titanit pa Tru etj. që lusnin LDK-në të pranojë “dhuratën greke të Kurthit”. Madje ishte një budalla, i pari në mesin e budallenjve tjerë që kërkonte që Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme ku do të votohej për letrën e Kurthit. Këtë mbledhje nuk e propozoi anëtari i LDK-së por i LV-së. Deri ku ka shkuar puna! Më duhet të pranoj se psherëtimat e LV-së ishin më me pasion se psherëtimat e të burgosurve që torturoheshin në burgun që ndodhej në “Kanale Grande” në Venedik e që për mrekulli i përshkruante Manzoni në veprën e mrekullueshme: “Il ponti dei sospiri” apo “Ura e psherëtimave”. Edhe në radhët e LDK-së kishte mbetje mercenarësh të Vojsa Osmanit që u magjepsën me “dhuratën e Kurthit”. Pastaj, e lexova përgjigjen e Lumit të Xhikës drejtuar Shkëlqesisë së Tij, Diktatorit në detyrë, Albin Kurthit. Moti nuk kam lexuar letër më të strukturuar që e lë lakuriq Kurthin duke e zhveshur nga përrallat e tij për bllokim të opozitës, në njërën anë sikur edhe një refuzim gjentil për opozitën për krijimin e qeverisë nga opozita. Në gjendjen që jemi, opozitës në asnjë mënyrë nuk i duhet qeveria e pakicës sepse asgjë nuk fiton, as Kosova e as opozita. Madje, në aspektin e përfitimit strategjik pikërisht opozita do të duhej të ishte jetësisht e interesuar që Kurthi ta formojë qeverinë e pakicës me 61 – 62 deputetë. Taktikisht Kurthi do të fitonte në afatin disa muajsh duke blerë kohë për ta shpëtuar qeverinë dhe ministrat super të korruptuar. Në planin afatgjatë do ta thyente qafën, pa mundësi “shërimi”, politik dhe kombëtar! Kurthi do të detyrohej të marrë vendime të vështira dhe të dhimbshme me Emilly Bronte Rexhepin, të damkosurin Damka, me faraonin Krasniq dhe Komandant Nenadin nga Zona Operative e Luvaxhës sikur edhe me komisarin politik jugosllav Jeton Qurroi. Që, të gjithë së bashku nuk i kanë as 9000 vota. Letra e Lumit të Xhikës është impresive, 100 mijë herë më e sofistikuar se ajo e Kurthit. Letra e Kurthit dëshmon qartë se Dezhona Mihalidis nuk ishte në ditë më të mira kur shkroi aso letre.

“Zagarët” virtual: Nëse dikush del jashtë “Rregullave të Kurthit” pashmangshëm do të përballet me përndjekjen e cyberzagarëve që nuk lënë zorrë pa e gërryer, personale dhe familjare në mbrojtje të Liderit Suprem, Diktatorit Kurthi 1. Lirim Mehmetaj është një gazetar që nuk bënë asgjë tjetër përveç se e kryen punën ashtu si e kërkon morali njerëzor dhe profesional. Dhe pamëshirshëm sulmohet nga “lehësit virtual”. Pushkatohet publikisht që të frikësohet dhe pamundësohet puna e tij që themel, ndërtim, mbindërtim dhe kulm e ka shtyllën kurrizore profesionale ashtu siç ia ka caktuar perëndia dhe anatomia. I njëjtë është edhe rasti i Shenoll Muharremit. Aktualisht, kjo dyshe e pakorruptuar profesionalisht, mendërisht dhe materialisht është bërthama e masës kritike të veprimit opozitar. As i njoh e as nuk i kam takuar por krejtësisht i përkrah, cep më cep. Më parë Kimete Berishën,  sajbërzagarët e patën pagëzuar Qimete Berisha. Tash, po të njëjtit e kanë ripagëzuar përsëri Kimete Berisha. A thua pse?

Zgjedhjet në Shqipëri: Arben Hito, mik i familjes sime dhe pronar i hotel “Iliria” në Sarandë, më postoi një intervistë të Bacës Adem Demaçi, shumë vite më parë ku jep vlerësime për Sali Berishën dhe Edi Ramën. Po ta dëgjoni këtë intervistë nga zhvillimet e mëpastajme, parashikimet e Bacës Adem janë aq të sakta sa që Nostradamusi dhe Baba Vanga do të dukeshin qesharakë dhe amatorë në parashikimet e tyre. Largpamës ishte Baca, po kujt t’ia hapë sytë?!

Besoj se Rama do të jetë te 50 përqindëshi i votave, nuk ka alternativë më të mirë për Shqipërinë. Shqipëria ndryshoi për të mirë në kohën e Edi Ramës. Nuk jam i majtë, përcaktimi im politik është çështja kombëtare që nënkupton nacionalizëm pozitiv. Këtë nuk e ka siguruar Sali Berisha. Është në konflikt me kohën, i ka ngecur dhe ngelur ora biologjike dhe politike. As La Civita, me 6 milionë dollarë nuk i ndihmon. Shpresoj dhe uroj që partitë e reja të sigurojnë hapësirë për veprim. Ata që po deklarohen për një Shqipëri Madhështore e kanë të qartë se janë e kundërta e madhështisë, vetëm mund ta turpërojnë Shqipërinë. Shqipëria mbi të gjitha!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komandanti i Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, (KOMFT), Hysen…