Vazhdohet afati i konkursit për pranimin e policëve të rinj në veri

26 janar 2023 | 13:01

Policia e Kosovës e ka vazhduar afatin e konkursit për punësimin e pjesëtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë, për të plotësuar pozitat e lira në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi, që fillimisht është shpallur nga 5 deri më 26 janar, do të shtyhet deri më 10 shkurt, ka konfirmuar Policia e Kosovës për “Radion Evropa e Lirë”.

Mirëpo, ky institucion nuk ka ofruar hollësi se sa aplikacione ka pranuar deri më tani, nëse ka aplikuar dikush nga radhët e komunitetit serb, apo ish-policët nga veriu i Kosovës që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Policia ka thënë shkurtimisht se kriteret për punësimin e punonjësve të rinj të policisë mbeten të njëjta dhe se publiku do të informohet me kohë për hapat e mëtejshëm.

“Policia e Kosovës, përmes video-mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, çdo herë ka inkurajuar dhe vazhdon t’i inkurajojë, dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Policisë.

Qeveria e Kosovës pati bërë me dije më 12 janar, se konkursi për rekrutimin e policëve të rinj është i hapur për të gjithë ata që plotësojnë kriteret dhe se Kosova nuk dëshiron të përjashtojë askënd nga institucionet apo të “zëvendësojë serbët me shqiptarë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar pjesëtarët e komunitetit serb, veçanërisht ata që nuk kanë punuar asnjëherë në institucionet e Kosovës, të aplikojnë në konkurs.

Ky konkurs është shpallur pas dorëheqjes së rreth 550 serbëve nga pozitat e tyre në veri të Kosovës, në nëntor të vitit 2022, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Megjithatë, në konkurs nuk përmendet numri i policëve të rinj që do të punësohen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milan është shumë afër transferimit të sulmuesit italian, Nicolo…