Vdes në burg Aldrich Ames, kush ishte agjenti i famëkeq i CIA-s që shiti sekrete te sovjetikët

07 janar 2026 | 18:43

Aldrich Ames, një oficer i CIA-s që u shndërrua në një nga agjentët e dyfishtë më famëkeq në historinë e Shteteve të Bashkuara, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Ish-oficeri i kundërzbulimit, i cili po vuante një dënim me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht, ndërroi jetë të hënën në Institucionin Federal të Korrektimit në Cumberland, Maryland, raportoi CBS News.

Ames u burgos më 28 prill 1994 pasi pranoi se i kishte shitur informacione sekrete Bashkimit Sovjetik dhe më pas Rusisë.

Ai komprometoi mbi 100 operacione të fshehta dhe zbuloi identitetin e më shumë se 30 agjentëve që spiunonin për Perëndimin, duke çuar në vdekjen e të paktën 10 burimeve të inteligjencës së CIA-s.

Nga borxhet te tradhtia

Duke kërkuar para për të shlyer borxhet, Ames deklaroi se në prill të vitit 1985 kishte filluar t’i jepte KGB-së emrat e spiunëve të CIA-s, duke marrë një pagesë fillestare prej 50 mijë dollarësh.

I njohur nga KGB-ja me emrin e koduar Kolokol (“Këmbana”), Ames arriti të identifikonte pothuajse të gjithë spiunët e CIA-s në Bashkimin Sovjetik, për çka u shpërblye ndjeshëm.

“Në habinë time të vazhdueshme, KGB-ja më njoftoi se kishte lënë mënjanë për mua 2 milionë dollarë, si shenjë mirënjohjeje për informacionin”, tha ai në një deklaratë prej tetë faqesh të lexuar në gjykatë.

Gjatë nëntë viteve, Ames pranoi se kishte marrë rreth 2.5 milionë dollarë nga Bashkimi Sovjetik për tradhtinë e tij ndaj SHBA-ve.

Këto para financuan një stil jetese luksoz, përfshirë blerjen e një makine Jaguar, pushime jashtë vendit dhe një shtëpi me vlerë 540 mijë dollarë, ndonëse paga e tij nuk kishte kaluar kurrë 70 mijë dollarë në vit.

Karrierë në ngritje, jetë personale në rënie

Karriera 31-vjeçare e Ames në CIA nisi në vitin 1962, kur i ati, analist në agjenci, e ndihmoi të punësohej pasi kishte braktisur studimet universitare.

Ai u martua në vitin 1969 me agjenten e CIA-s Nancy Segebarth dhe u dërgua në Turqi si oficer kundërzbulimi për rekrutimin e agjentëve të huaj.

Tre vite më vonë u rikthye në SHBA, ku filluan të shfaqeshin problemet me alkoolin dhe martesa e tij nisi të shkatërrohej.

Pavarësisht disa shkeljeve serioze të sigurisë, përfshirë lënien e një çante me dokumente të klasifikuara në metro, Ames u dërgua në vitin 1981 në Mexico City.

Atje njohu bashkëshorten e dytë, Maria del Rosario Casas Dupuy, atashe kulturore në ambasadën kolumbiane dhe burim i CIA-s, e cila më vonë u akuzua si bashkëpunëtore.

Vdes në burg Aldrich Ames, kush ishte agjenti i famëkeq i CIA-s

Gruaja e dytë e Ames, Maria del Rosario Casas Dupuy, u akuzua si bashkëpunëtore e tij.

Pas kthimit në SHBA në vitin 1983, Ames u emërua shef i departamentit të kundërzbulimit sovjetik të CIA-s, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme për alkoolin.

Ndërsa karriera e tij po ngjitej, jeta personale po rrënohej. Krahas detyrimeve financiare ndaj ish-bashkëshortes, ai po financonte edhe stilin e jetesës së Rosarios, përfshirë pasionin e saj për blerje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një video e presidentit amerikan Donald Trump, e regjistruar gjatë…