Vdiq Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte në Kosovë

20 tetor 2025 | 13:57

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Jugosllavisë dhe i dënuari i Hagës, Nebojsha Pavkoviq, ka vdekur në moshën 79-vjeçare në Beograd, raporton “Radio Televizioni i Serbisë”.

Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, u dënua nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burg për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999. Ai e ka vuajtur dënimin në një burg në Finlandë.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Pavkoviq është liruar para kohe më 28 shtator, për shkak të shëndetit të tij të dobët.

Trajtimin, pastaj, ai e ka vazhduar në Akademinë Ushtarake Mjekësore në Beograd.

Nga viti 2000 deri më 2002, Pavkoviq ka shërbyer si shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave.

Më 1999, gjatë bombardimeve të NATO-s në Republikën e atëhershme Federale të Jugosllavisë, ai ishte komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave.

Në vitin 2009 ishte shpallur fajtor në Hagë për të gjitha akuzat që e ngarkonin: dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova, në gjysmën e parë të vitit 1999. Vendimi i shkallës së parë është konfirmuar në vitin 2014.

Në maj të vitit 2022, Mekanizmi Ndërkombëtar në Hagë e ka hedhur poshtë kërkesën e Pavkoviqit për lirim të parakohshëm, për shkak të “peshës së madhe të krimeve të tij” dhe “mungesës së rehabilitimit”.

Aktakuza kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë u ngrit në fund të vitit 2003, dhe në vitin 2005 ai ishte ekstraduar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të ishin dënuar edhe ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë, Sreten Llukiq, dhe ish-zëvendëskryeministri i Republikës Federale të Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

Pavkoviq dhe Llukiq ishin dënuar me nga 22 vjet burg secili, ndërsa Ojdaniq dhe Llukiq me nga 15 vjet secili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se…