Veliu e shkarkon shefin e IPK-së dhe emëron të riun, thotë se Sveçla ka shkelur ligjin

16 korrik 2020 | 16:46

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Agim Veliu, ka larguar nga pozita e ushtruesit e detyrës së kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Exhevit Zukën, i cili ishte emëruar në këtë pozitë gjatë kohës sa Xhelal Sveçla i Vetëvendosjes udhëhiqte me ketë ministri. Në vend të tij është emëruar Kushtrim Hodaj.

Lajmin për gazetën “Express” e ka konfirmuar shefi i kabinetit të ministrit Agim Veliu, Bajram Gecaj, i cili ka bërë me dije se Hodaj është emëruar në këtë pozitë më 15 korrik.

“Me datë 15/07/2020, Ministri Veliu ka emëruar z. Kushtrim Hodaj, drejtor i Departamentit për Planifikim, Bashkëpunim, Çështje Ligjore dhe Informim në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ushtrues të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të IPK-së. Paraprakisht, me një vendim të jashtëligjshëm, të datës 23/04/2020, ushtruesi i detyrës së ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kishte emëruar z. Exhevit Zuka, udhëheqës të Divizionit për Planifikim dhe çështje Ligjore, në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të IPK-së”, ka thënë Gecaj.

Ai e ka quajtur të jashtëligjshëm vendimin e Sveçlës, i cili në prill e kishte emëruar Zukajn në këtë pozitë.

“Vendimi ishte i kundërligjshëm pasi që, bazuar në paragrafin 4, të nenit 15, të Ligjit nr. 03/L-231 për Inspektoratin Policor të Kosovës, përcaktohet se: ‘Në rastet e përfundimit të mandatit, shkarkimit apo suspendimit të kryeshefit ekzekutiv të IPK-së, ministri menjëherë cakton njërin nga drejtorët e departamenteve të IPK-së, si ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv deri në përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv të IPK-së’. Z. Zuka nuk ka qenë njëri ndër drejtorët, por ka pasur funksionin e shefit te divizionit. Prandaj, me këtë vendim, ministri Veliu ka rikthyer respektimin dhe zbatimin e rendit dhe ligjit”, është thënë në Gecajt.

Ndryshe, Zuka ishte emëruar si kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës pas shkarkimit të Miradije Kelmendit nga kjo pozitë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Disiplinor i shkallës së parë në Federatën e Futbollit…