Vendoset gurthemeli i shtëpisë muze të kullës së atdhetarit Shaban Mangjolli

14 gusht 2019 | 12:25

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ka bërë me dije se sot është vendosur gurthemeli i shtëpisë muze të kullës së atdhetarit Shaban Mangjolli.

 Ai ka thënë se mbi themelet e kësaj shtëpie muze përjetë do të zë rrënjë edhe një copë e kujtesës sonë historike për rrugëtimin tonë nga robëria deri te liria, çlirimi dhe shtetndërtimi i Republikës së Kosovës.

“Sa herë që, rinia dhe vizitorë tjerë të vijnë në këtë Kullë të krenarisë shqiptare, gjithnjë dhe gjithmonë do ta ndjejnë se populli shqiptar, lirinë e tij e shkroi me gjakun e vet”, ka shkruar Gashi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Sot, njëzetë vjet pas çlirimit të Kosovës, dekada të tëra pas luftërave të Azem Bejtës, Shaban Polluzhës, Tahir Mehës, kryetrimit të UÇK-së, Adem Jasharit, e vendosëm gurthemelin e Shtëpisë Muze, Kullës së luftëtarit guximtar dhe sypatrembur të Drenicës dhe të mbarë shqiptarisë, atdhetarit, Shaban Mangjollit, njërit ndër luftëtarëve më besnikë të Lëvizjes Kaçake, bashkëluftëtarit të Azem Bejtës e Shaban Polluzhës.

Jeta e Shaban Mangjollit, sikur edhe e bashkë kohanikëve të tjerë trima, Ahmet Delisë, Ramë Islamit, Shaqir Smakës, Halit Bajramit, Hazir Ramës, Kamber Loshit, Sejdi Metës, Isuf Rexhës, Shote Galicës e shumë të tjerëve, ishte luftë e pa ndalur për mbrojtjen e tokave të parëve tanë, luftë për nderin, krenarinë e rrënjëve tona, gjakut, identitetit dhe emrit shqiptar.

Jam i lumtur dhe shumë i nderuar që në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, së bashku me popullin trim të Drenicës po e vendosim gurthemelin e Shtëpisë Muze/Kullës së atdhetarit, Shaban Mangjolli, të cilin shkrimtari e kishte portretizuar si “Kaçaku i gjatë si një Flamur”!

Mbi themelet e kësaj Shtëpie Muze, Kullës së Shaban Mangjollit, përjetë do të zë rrënjë edhe një copë e kujtesës sonë historike, për rrugëtimin tonë, nga robëria deri te liria, çlirimi dhe shtet ndërtimi i Republikës së Kosovës.

Sa herë që, rinia dhe vizitorë tjerë të vijnë në këtë Kullë të krenarisë shqiptare, gjithnjë dhe gjithmonë do ta ndjejnë se populli shqiptar, lirinë e tij e shkroi me gjakun e vet!

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Senati italian ka shtyrë për të martën e 20 gushtit…