Veprat e Kadaresë në suedisht

18 shtator 08:43

Qerim Kryeziu

Në kritikën letrare suedeze me të drejtë shkruhet se shkël­qimi në krijimtarinë voluminoze të Ismail Kadaresë nuk vjen nga jashtë si rrjedhojë e studimeve, kritikave apo komenteve që bëjnë të tjerët për veprën e autorit, por buron nga brenda – nga vetë thellësia e mendimit krijues dhe mjeshtëria brilante e rrëfimit që zotëron Ismail Kadare. E mendimi i tij krijues është krahasuar me të drejtë me kreativitetin e pashoq të Shekspirit, Markezit, Xhojsit, Kafkës, kurse stili shkrimor i tij, krejtësisht autonom, me disa nga veçoritë stilistike të këtyre shkrimtarëve.

Ky konstatim këtu vjen pas gjithë atyre leximeve që iu bënë veprave të Kadaresë të përkthyera në suedisht. Në të vërtetë, përkthimi i parë i një vepre të Kadaresë në suedisht ndodhi 47 vjet më parë, atëherë kur edhe u përkthye vepra lapidar e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (Den döda armens general 1973).

“Gjenerali…”, aq sa duket nga të dhënat që kemi mbledhur, është vepra e parë e një shkrim­tari shqiptar e përkthyer në suedisht. Deri me sot dolën në suedisht dymbëdhjetë vepra të Ismail Kadaresë. Disa prej tyre janë ribotuar siç ishte rasti me ribotimin e njëkohshëm të tri romaneve (“Kronikë në gurë”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Dimri i vetmisë së madhe”) në fillim të vitit 2015. Atëbotë përjetova dy emocione: kënaqësinë sa lexoja shtypin sue­dez që vlerësonte ribotimin dhe befasinë kur, teksa bëja poro­sinë e veprave, u ballafaqova me këtë për­gjigje të librares: “Është edhe yni, zotëri!” pas dëshirës sime për të sqaruar se Ismail Kadare është shkrimtari më i madh shqiptar. U befa­sova sepse për një çast m’u duk sikur gruaja e bukur me sytë e kaltër si thellësitë e Baltikut, përpiu shkrimtarin tonë të madh, falë mjeshtërisë të të cilit bota lexon vlerat e tij letrare.

Veprat e Kadaresë botohen nga shtëpitë botuese me më renome në Skandinavi. Kështu, bie fjala, shtëpia botuese “Albert Bonniers förlag” (më e vjetra në Suedi, e themeluar në vitin 1837, boton afër 100 tituj të rinj në vit, gjysma e botimeve të saj janë letërsi botërore), ka botuar këto vepra: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gurë”, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Kamarja e turpit”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H”, “Pallati i ëndrrave”, “Përbindëshi”, “Lulet e ftohta të marsit” dhe “Prilli i thyer”.

Romanin “Dasma” e ka botuar shtëpia “Oktoberförlaget” në vitin 1976. Ribotimet e fundit në vitin 2015 i bëri shtëpia tjetër botuese “Modernista” e mirënjohur për botimin e shkrimtarëve nobelistë.

Den döda arméns general (Gjenerali i ushtrisë së vdekur), përktheu Britt Arenander, Bonnier, 1973

Britt Arenander është shkrimtare, gazetare dhe përkthyese e shquar në Suedi. Ka përkthyer nga frëngjishtja në suedisht edhe këta autorë të njohur: Jean Rhys, Vikram Seth, Elie Wiesel etj. “Gjenerali…” është romani i parë i Kadaresë botuar në suedisht. Kritika e vlerësoi shumë duke nënvizuar madje se “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” është romani më madhështor për luftën, i shkruar pas Luftë së Dytë Botërore që kundërshton pikërisht luftën. Gjithë krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë e shquajnë tonet komike, groteske, vetëkritike, tragjike, mitike e pacifiste.

  

  1. Krönika i sten (Kronikë në gurë), përktheu Britt Arenander, Bonnier, 1975

 

Në këtë vepër është kapur gjithçka nga vështrimi syshqiponjë i shkrim­tarit, thotë kritikja e njohur në Suedi, Ann Lingebrandt. Një djalë shqiptar, kureshtar, evokon fëmijërinë e kaluar në qytetin e gurtë të Gjirokastrës. Mirëpo “Kronikë në gurë” është larg çdo udhëtimi nostalgjik në të kaluarën. Vepra është shkruar me një sensibilitet epshor dhe titulli i saj do të mund të tingëllonte bukur edhe si “Kronikë në gjak” përfundon Lingebrandt.

Romani pasqyron Shqipërinë e viteve ’40. Ngjarjet e thurura nga perspektiva e fëmijës alternohen me kronikat zyrtare të kohës që duken sikur të jenë të shkruara në gurë. Lufta, dhuna, besëtytnitë, të këqijat mund të munden vetëm me dashuri, fantazi dhe kreativitet – thotë botuesi i veprës.

 

  1. Bröllopet (Dasma), përktheu Lars Åke Augustsson, Oktoberförlaget, 1976

 

Romanin “Dasma” e përktheu në suedisht Lars Åke Augustsson, i cili është shkrimtar, përkthyes dhe gazetar i njohur në Suedi. Kritika letrare dhe lexuesit e shumtë në Suedi e vlerësuan romanin si vepër interesante dhe dëfryese njëkohësisht. Romani pasqyron ndryshimet shoqë­rore të kohës në Shqipëri, rindërtimin e vendit në vitet ’60. Në roman shquhen edhe dimensionet e tjera tematike si: rinia- dashuria-dasma, pasojat e mbetjeve feudale në Shqipëri, fenomeni i gjakmarrjes (temë shqetësuese te Kadareja), sabotimi politik etj.

 

  1. Den hårda vintern (Dimri i vetmisë së madhe), përktheu nga frëngjishtja Marianne Eyre, Bonnier, 1980

 

Romanin e përktheu nga frëngji­shtja në suedisht Marianne Eyre. Eyre ka përkthyer në suedisht veprat e portugezëve Antonio Lobo Antu­nes, Jose Saramango etj., si dhe nga frëngjishtja në suedisht veprat e Kadaresë, Regines Deforges etj. Në vitin 2015 ky roman u ribotua nga shtëpia botuese “Modernista”. Kritika letrare në Suedi e konsideron këtë vepër si roman kolektiv që pasqyron Shqipërinë e kohës përmes një kori zërash, prej atij të pastruesit të rrugëve e deri te diktatori, prej thashethemeve të fqinjëve e deri te lojërat e mëdha politike në kryeqendër.

 

  1. Stäppgudarnas skymning (Muzgu i perëndive të stepës), përktheu nga frën­gjishtja Lillemor Gustavsson, Bonnier, 1983

 

Është viti 1958 dhe studenti Ismail Kadare ndodhet për studime në Moskë. Lajmi i kundërshtive mes vendit të madh komunist dhe Shqipërisë së tij të vogël përhapet shpejt në kryeqendrën sovjetike. Në korridoret e Institutit “Gorki” Kadare takon studentë e shkrimtarë nga gjithë bota. Autori e ndien veten të huaj, si të pashtëpi, përherë e më shumë të izoluar. Përballë kësaj ftohtësie ruse e kulturës së huaj është origjina e shkrimtarit, vendlindja e tij ajo që e mban të fortë e të ekuilibruar. “Muzgu i perëndive të stepës” nuk është roman zbulues, ka të bëjë më shumë me ndjenjat e shkrimtarit dhe me atë se si Kadare perceptonte absurditetin e dikurshëm të Bashkimit Sovjetik në kohën kur vetë ishte student në Moskë. “‘Muzgu…’ është një roman thërres për frikën, dashurinë dhe thyerjet e mëdha politike të kohës” – thuhet në uebportalin skandinav Boksampo që prezanton letërsinë më të mirë botërore.

 

  1. Nischen i muren (Kamarja e turpit), përktheu nga frëngjishtja Marianne Eyre, Bonnier, 1986

 

Kadare njeh mirë strukturat burokra­tike, ekspansioniste, totalitare të Peran­dorisë Osmane. Në “Kamaren e turpit” autori spikat bukur një skenë të teatrit gjakatar të Perandorisë. Në këtë skenë të quajtur kamare turpi ekspozoheshin kokat e prera të kryengritësve. Në roman lexojmë mizorinë, vrazhdësinë, gjenezën kriminale të kësaj Perandorie. Në këtë kamare kokat e prera nuk vjetrohen kurrë. Këtu një ditë ekspozohet edhe koka e prerë e pashait shqiptar Ali Tepelena. E pashai i gjorë shqiptar, si mik i ushtarakut francez Napoleon e poetit anglez Lord Bajron, ëndërronte të bëhej një ditë si Skënderbeu i dikurshëm.

 

  1. Vem förde hem Doruntine? (Kush e solli Doruntinën?) Përktheu nga frëngjishtja Marianne Eyre, Bonnier, 1988

 

Në një qytet të vogël të Shqipërisë, në mesjetën e dikurshme, një vashë me emrin Doruntinë kthehet një natë në shtëpinë-mbretërinë e fëmijërisë.

Brenda gjen nënën e dëshpëruar, të gjorë e të pakurorë. Nënës i thotë se më solli Konstantini e nëna sapo ndërpret vajtimin e djemve të vrarë përfshirë, edhe vetë Konstantinin. Atëherë, kush e solli Doruntinën? Pyetja bashkë me subjektin plot tension t’i kujton subjektet tragjike të letërsisë antike greke të cilat Kadare i njeh për bukuri. Përfundimi mistik i ngjarjes shqe­tëson policinë dhe kreun e kishës. Ngjarjet vihen në një perspektivë më të gjerë historike, shohim tensionet fetare brenda kishës katolike e ortodokse dhe problemet politike midis oksidentit e orientit. Dhe epilogu do të ishte i thjeshtë sikur Kadare të mos kishte ndërtuar këtë vepër mbi bazën e legjendës shqiptare për besën e cila në këtë vepër është në epiqendër.

 

  1. Bergens Homeros (Le dossier Homeros) Përktheu nga frëngjishtja Agneta Westerdahl, Bonnier, 1990

 

Dy irlandezë vijnë në Shqipëri për ta studiuar traditën e këndimit popullor. Tekstet e këngëve janë të vjetra, tradita e këndimit e lashtë, shtrihet deri në kohët homerike. Irlandezët kureshtarë besojnë se vetëm në Shqipëri ky vjershërim i lashtë homerik bartet deri në kohën tonë në formë të kënduar. Mirëpo kjo vizitë e irlandezëve me qëllim studimi nuk shikohet si e tillë në Ministrinë e Brendshme. Irlandezët (dhe teknika e tyre regjistruese) merren si spiunë të shtetit e pushtetit popullor. Prandaj jepet alarmi. Irlandezët vazhdojnë të studiojnë këngët, e pushteti vazhdon t’i hetojë studiuesit nga të gjitha anët. Ajo që më së shumti fascinon në këtë vepër – thonë komentuesit e shumtë suedezë – janë fragmentet e këngëve mitike që ritregohen dhe variacionet ndërmjet varianteve të tyre të ndryshme. Pikërisht kjo u interesonte studiuesve. “Dosja H” është një thjerrëz e fuqishme drite lëshuar mbi botën shqiptare në ndryshim dhe, përveç kësaj, është vepër e këndshme që lexohet me ëndje disa herë, shkruan botuesi.

 

  1. Drömmarnas palats (Nëpunësi i pallatit të ëndrrave) Përktheu nga frëngjishtja Agneta Westerdahl, Bonnier, 1992

 

Pikërisht në këtë roman Kadare shfaqet si një Kafkë shqiptar – thotë studiuesja Ann Lingebrandt. Kafka shqiptar projekton mjeshtërisht në vepër një sagë të errët për burokracinë e një perandorie të errët si vetë mak­thet. Rrëfimi në këtë roman nuk ka të bëjë shumë me fatin e njeriut të vogël nën tirani, aq sa ka të bëjë me fatin e keq të gjithë kombit të përpirë nga tirania e okupimit. Alegoria e këtij romani nuk e ka humbur aktua­litetin as sot. “Pallati i ëndrrave” jep mundësi të pashtershme interpretimi, thotë Lingebrandt. Kjo prozë e Kadaresë është e kalibrit të Shekspirit, Kafkës apo Xhojsit. Është prozë ekzemplar, medaljon i rrallë i letërsisë evropiane. “Pallati i ëndrrave” ribotohet pas 23 vjetëve nga shtëpia botuese “Modernista” në Stockholm.

 

  1. Monstret (Përbindëshi), përktheu nga frëngjishtja Agneta Westerdahl, Bonnier, 1994

 

Në këtë vepër Kadare niset nga lufta e Trojës, nga miti për tradhtinë e Helenes së bukur, nga xhelozia e Parisit e Menelaos dhe nga dinakëria me kalin e Trojës – Përbindëshin. Një histori antike kjo që reflekton në kohën tonë, në dashurinë e Gentit e Lenës si personazhet kryesore të kësaj vepre. Një furgon i kohës së sotme merr përmasat e kobshme, si ato të kalit të Trojës në antikë. E brenda këtij furgoni përbindësh fshihen njerëz që presin një sinjal të vetëm për të dhunuar si në antikë qytete, shtete. “Përbindëshi” mund të thuhet se është një lloj shpjegimi modern i Iliadës së Homerit. Alegoria e romanit është e lidhur ngushtë me të ashtuquajturën demokraci të kohës. “Ky roman, si një sagë mitike, si një përshkrim modern dhe si një vizion i frikshëm i ardhmërisë, është veçanërisht i realizuar dhe një nga më të bukurit në letërsinë e sotme evropiane” – shkruan shtëpia botuese “Bonniers” me rastin e botimit.

 

  1. Aprils frusna blommor (Lulet e ftohta të marsit), përktheu nga frëngjishtja Dagmar Olsson, Bonnier, 2003

 

Romanin e përktheu Dagmar Olsson. Zonja Olsson ishte historiane e letërsisë dhe studiuese e njohur e gjuhës frënge. Edhe në këtë vepër stili i rrëfimit te Kadare është fantastik. Ai thur legjendat shqiptare në romanet e veta në mënyrë të shkëlqyer. Nga leximi fiton njeriu një përfytyrim tjetër, të ndryshëm nga realiteti që Shqipëria e Kadaresë ka jetuar në të vërtetë. “Përfytyrimi im për vendin e autorit pas leximit është sa romantik e përrallor, aq edhe heroik e tragjikomik” – thotë gazetarja e të përditshmes “Helsingborg dagblad”, Mari Rydström. Në romanin “Lulet e ftohta të marsit”, Kadare me dorë të lehtë e të sigurt mjeshtri, vë Shqipërinë e përgjumur përballë traditave shekullore, reali­tetin e përditshëm pas letargjisë komuniste përballë ëndrrave domethënëse për ardhmërinë.

 

  1. Grymma april (Prilli i thyer), përktheu nga frëngjishtja Dagmar Olsson, Bonnier, 2007

 

Ky roman qëmton një dimension tragjik të shoqërisë shqiptare të dirigjuar nga normat kanunore. Ngjarjet e romanit zhvillohen në fillim të shekullit XX në pjesën veriore të Shqipërisë atje ku, sipas kanunit, çdo vrasje duhej të paguhej me vrasje. Fenomeni i gjakmarrjes reflekton edhe në shumë romane të tjera të Kadaresë. Studiuesja Carina Waern thotë se romanin e shquan një lloj joshje e qartë sugjestive. Është shkruar mirë dhe të prekë shpirtërisht me përmbajtjen tragjike. Tregimet e shumta të këtij romani ta kujtojnë stilin shekspirian apo kafkian të të rrëfyerit – thotë Carina Waern.

Veprat e Kadaresë botohen, lexohen e vlerësohen shumë në Suedi. As autorët e tjerë botërorë, tashmë nobelistë, nuk janë përkthyer e botuar në suedisht sa Ismail Kadare. Cilido botim i Kadaresë në Suedi apo gjetkë nderon në radhë të parë kreativitetin dhe gjenialitetin artistik të autorit dhe në radhë të dytë çmon shumë shqipen si gjuhë – shqipen e të gjithë atyre bashkëkombësve të shkrimtarit që sot e mirëpresin librin e tij anembanë botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Poeti dhe përkthyesi nga Maqedonia e Veriut, Shkëlzen Halimi, nën…