Veprimet e fundit të Speciales “tejkalojnë” mandatin e saj, “tentativa për t’i mbuluar dështimet”

31 tetor 2023 | 14:29

Bastisja e shtëpisë së Bashkim Smakajt, ish-kryeshefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe ish-këshilltarit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga hetuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të hënën dhe marrja e dokumenteve “sensitive” për avokatin Anton Nrecaj, tejkalon “fushëveprimin e mandatit të Prokurorisë Speciale”.

Për Nrecajn, mandati i Prokurorisë do të duhej të fokusohet në hetimin e krimeve të supozuara që janë bërë gjatë periudhës së luftës dhe se për konfiskimin e dokumenteve të ndjeshme në situata të proceseve gjyqësore, organet e hetuesisë “do të duhej të kenë leje speciale që të kenë qasje dhe të marrin mandatin për konfiskimin e këtyre dokumenteve ndjeshme”. “Konfiskimi i dokumenteve të klasifikuara si të ndjeshme apo si top sekrete të konfiskuara dje është shkelje e procedurës ligjore dhe tejkalim i mandatit të Prokurorisë Speciale dhe si të tilla këto informacione ‘prova’, gjykata do të duhej t’i hedhë poshtë si të papranueshme dhe jo relevante për mandatin që ka kjo gjykatë”, tha ai për “Albanain Post”.

Nrecaj ka theksuar se veprime të tilla të hetuesisë vetëm sa e komprometojnë edhe më shumë punën Dhomave te Specializuara dhe mandatin e saj, derisa ka shtuar se “në situata të tilla parashtrohet pyeta kush do të mbaj përgjegjësinë nëse këto informata rrjedhin respektivisht dalin në publik?”. “Cenimi i rendit dhe sigurisë së Republikës se Kosovës do të vihej në rrezik në situatë të tillë, veprimet e hetuesisë me veprimet e fundit joligjore, janë tentativa e fundit për të mbuluar dështimin e Prokurorisë Speciale për t’i argumentuar pretendimet për aktakuzat e ngritura ndaj ish-krerëve të UÇK-së”, shtoi ai.

Ndryshe nga Nrecaj, avokati tjetër Taulant Hodaj, thotë për “Albanian Post” se këto bastisje janë si vazhdimësi e bastisjeve që janë bërë edhe më herët ndaj ish-këshilltarëve të Thaçit i cili po mbahet në paraburgim si i akuzuar për krime lufte. “Janë bastisje në vijim që bëhen nga prokuroria për dyshimet në lidhje me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. Këto bastisje janë për raste të reja dhe nëse iniciohen bëhen raste të reja dhe nuk bashkohen me rastin e z. Thaçi dhe të tjerët që janë të akuzuar për krime lufte”, potencoi ai.

Prandaj, Hodaj mendon se nga shtëpia e ish-kryespiunit të Kosovës mund të mos jenë marrë nga hetuesit edhe dokumente sensitive. “S’ka lidhje siguria kombëtare këtu, sepse ata janë bastis në kapacitete tjera e jo në kapacitetin e ish-shefit të AKI-së. Për më shumë, çdo ish zyrtar i agjencisë dhe institucioneve tjera nuk ka të drejt që dokumentacionin sensitiv ta mbajë në shtëpi”, ka shpjeguar ai.

Në vlugun e bastisjeve të hetueseve të Speciales, cak i tyre të martën ishte shtëpia e ish-këshilltarit tjetër të Thaçit, Artan Behami, i cili një ditë më parë kishte kritikuar Gjykatën Speciale se është duke dënuar vetëm shqiptarët, duke e quajtur atë “fashiste”.

Ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ka konfirmuar të për “Albanian Post” se është duke zhvilluar “operacione të vazhdueshme” në Kosovë.

Megjithatë, Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, potencon për “AP” se është vështirë që të jepet një mendim se cilat janë arsyet e bastisjeve të objekteve të caktuara e të cilat janë të ndërlidhura me personat në fjalë, pa pasur informata të sakta të cilat sigurisht janë cekur në urdhrin e prokurorit apo në vendimin e panelit i cili ka lëshuar leje që të bastisen këto objekte. “Por, rregullorja e procedurës së provave i ka listuar qartë se në cilat kushte mund të bëhen këto veprime nga ana e prokurorisë. Dhomat e Specializuara të Kosovës sipas ligjit kanë kompetencë lëndore për veprat penale të krimeve të luftës dhe të krimeve kundër njerëzimit të cilat kanë ndodhur në periudhën kohore 1998-2000”.

Alija shpjegon se Specialja ka kompetencë që t’i proceson edhe veprat penale që kanë të bëjnë kundër pengimit të administrimit të drejtësisë të cilat mund të ndodhin në kohën aktuale.

Edhe në shkurt të këtij viti ekipet policore të EULEX-it me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar kishin kryer bastisje në banesën e Adil Behramaj, këshilltar politik i ish-presidentit Thaçi, aksion që kishte nisur rreth orës 08:30 mëngjesin e 22 shkurtit e kishte përfunduar në mbrëmje.

EULEX-i ka kryer bastije edhe në banesën e familjarëve të dëshmorëve, Fahri e Bahri Fazliu, në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë, në shtator të këtij viti, nën arsyetimin se të njëjtët kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë, derisa procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është duke vazhduar në Hagë.

Ndryshe, më 3 prill në Hagë ka nisur gjykimi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në komunat me shumicë serbe në Kosovë është rritur kërkesa…