
Veprimet e shteteve të BE-së nxisin bashkimin kombëtar Kosovë-Shqipëri
Gazetari dhe drejtuesi i televizionit “Klan Kosova”, Adriatik Kelmendi, ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” se bashkësia ndërkombëtare sot është mbështetësja kryesore e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Edhe pse kundërshtohet ashpër nga shtetet kryesore të Perëndimit, veprimet e tyre nxisin gjithnjë e më tepër bashkimin kombëtar.
“Ironikisht, bashkësia ndërkombëtare sot është mbështetësja kryesore e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse kundërshtohet ashpër nga shtetet kryesore të Perëndimit, veprimet e tyre nxisin gjithnjë e më tepër bashkimin kombëtar”, ka shkruar Kelmendi.
Postimi i plotë i tij:
Ironikisht, bashkësia ndërkombëtare sot është mbështetësja kryesore e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe pse kundërshtohet ashpër nga shtetet kryesore të Perëndimit, veprimet e tyre nxisin gjithnjë e më tepër bashkimin kombëtar.
Kosova, ndonëse ka shpallur pavarësinë në mënyrë të koordinuar dhe është pranuar nga shumica e shteteve demokratike, nuk po sheh së fundmi t’i bëhet presioni i duhur Serbisë për ta njohur pavarësinë. Për më tepër, presioni është kthyer kah Kosova, duke i kërkuar “të japë diçka”. Çka të japë më tepër se sa gjaku i civilëve të vrarë, dëbimet, djegiet, shkatërrimet që iu bënë nga Serbia?!
Atëherë, pse na njohën kështu si na njohën?!
Çka bëri ndërkohë Serbia, kjo Serbia gjenocidale, që tash u dashka të shpërblehet?!
Kosova, shteti që u krijua nga vetë bota perëndimore, është lënë e vetmja pa liberalizim vizash, sikur qytetarët e saj të ishin me ndonjë sëmundje të rrallë ngjitëse. Poshtërsi më të madhe s’ka! Është kaluar secili kufi me këtë qasje.
Njësoj, Shqipëria, edhe pse plotëson kriteret, i vëhen pengesa të reja në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Nëse ka standarde të dyfishta për shqiptarët, cilat rrugë po mbesin?
Rruga e bashkimit kombëtar?! Ok, pra. Mbase është koha të punohet seriozisht në këtë drejtim.