Veprimtari Sali Bislimi ftohet në Asamblenë Nacionale të Francës

25 prill 2026 | 12:57

Veprimtari Sali Bislimi, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, ishte i ftuar në një drekë zyrtare në kantonin Jura, ku prezentë ishte edhe ish-ministri i Industrisë së Francës, aktualisht deputet në Asamblenë Nacionale, Marc Ferracci, të cilin e cilësoi si mik të tij të afërt dhe një nga njerëzit më pranë presidentit Emmanuel Macron.

Sipas Bislimit, gjatë takimit u diskutua edhe për Kosovën dhe sfidat me të cilat ajo përballet në procesin e integrimeve evropiane. Po ashtu, pjesë e bisedës ishin edhe çështjet e fqinjësisë së mirë me Zvicrën, në një periudhë që ai e përshkroi si të vështirë për ekonomitë liberale dhe politikat që i mbështesin ato.

Ai theksoi se qëllimi i vizitës lidhej edhe me zgjedhjet konsullore që mbahen çdo pesë vjet për shtetasit francezë jashtë Francës, proces përmes të cilit, sipas tij, zgjidhen përfaqësuesit konsullorë në ambasada për t’u shërbyer interesave të qytetarëve francezë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Mjedisit dhe Kulturës në qeverinë e Jurës, Jean-Paul Lachat.
Gjatë bisedës, Bislimi tha se është pyetur për prioritetin e tij në këtë periudhë, duke u përgjigjur se prioritet mbetet lirimi i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Haga.

Ai bëri të ditur se ka marrë edhe një ftesë për një takim në Asamblenë Nacionale në Paris, ku pritet të diskutohen më gjerësisht lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Francës, ndërsa shprehu besimin se së shpejti do të realizojë vizitën e tij në kryeqytetin francez.

Në fund, Bislimi shprehu falënderim të veçantë për mikun e tij franko-zviceran, Didier Receveur, për ftesën dhe organizimin e takimit, duke theksuar se Kosova duhet të riafirmohet si vlerë evropiane në rrugën e saj drejt integrimit në familjen evropiane.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…