Veprimtaria atdhetare e Imer Graincës

14 shkurt 2026 | 17:50

Shkruan: Skender Haliti

Imer Grainca ishte një veprimtar politik kombëtar që vdiq më 7 shkurt 2026, pas një sëmundjeje të rëndë shumëvjeçare. Ai jetonte në Gjermani që nga fillimi i viteve 1990. Për herë të parë u burgos në nëntor të vitit 1979, kurse për herë të dytë në vitin 1986. Herën e parë e mbajtën në burg katër vjet. Fillimisht ishte dënuar me gjashtë vjet, por dy ia hoqën. Për të njëjtën vepër, para demonstratave të vitit 1981, dënimet ishin më të buta. Çka do të thotë “dënime më të buta”? Serbia nuk dënonte asnjëherë ndryshe, veçse me logjikën e ndëshkimit që i nxirrte nga qarkullimi idetë atdhetare për një periudhë sa më të gjatë; shkurt: ajo i dënonte idetë, jo veprimet. Shprehja “dënime më të buta” është relative, jo vetëm në raport me mjediset e tjera jugosllave, por edhe me vetë Kosovën në kohë të ndryshme. Çka dënohej gjetkë në Jugosllavi me muaj, këtu dënohej me vite. Pastaj, edhe në Kosovë, pas vitit 1981, gjithçka filloi të trajtohej ndryshe, sepse i njëjti akt politik konsiderohej shumë më i rrezikshëm se përpara, kështu që edhe reagimi i shtetit ishte më i ashpër. Në vitin 1986 e dënuan me një vit e gjysmë, por dikujt ky dënim duhet t’i jetë dukur shumë i ulët, kështu që Gjykata Supreme e Kosovës ia shtoi edhe një vit; kështu, ai doli nga burgu pas dy vjetësh e gjysmë. Pas burgut të dytë u detyrua të shkonte ushtar dhe, pas ushtrisë, të mërgonte.

Me Imer Graincën njihem që nga shkolla e mesme. S’ishim në të njëjtën klasë, por në të njëjtën shkollë, në gjimnazin e përgjithshëm të qytetit. Shkolla na bashkoi në politikë. Në mesin e viteve 1970 filloi organizimi për veprim politik alternativ. Në fillim, grupi ynë veproi vetëm në qytet e rrethinë; pas fillimit të studimeve të anëtarëve të grupit, rrjeti u zgjerua edhe në qytete të tjera.

Lëvizjen për Çlirim Nacional e Social, Imeri me shokë e formoi gjatë viteve ’70, ku nga shokët u zgjodh kryetar i kësaj organizate.

Kur ishim në shkollën e mesme, Imer Grainca, Xhabir Morina, Enver Topalli, Emrush Xhemajli e Rexhep Delolli vinin shpesh te unë. Babai im, Xhafer Haliti, u fliste për përvojën e tij në Tivar, për masakrën e madhe atje ndaj shqiptarëve. Përvoja e keqe me çdo formacion politik e ushtarak serb ishte e përgjithshme, kështu që Masakra e Tivarit s’ishte diçka e papritur. Imer Grainca i njihte mirë marrëdhëniet problematike me serbët gjatë luftës nga rrëfimet e Ibrahim Graincës, i cili qe dënuar pas përfundimit të luftës nga shokët e tij partizanë si nacionalist, për konsekuencën e tij politike.

Ajo që bënin shërbëtorët e Serbisë në politikë i irritonte njerëzit. Shoqëria shqiptare ishte e etur për një veprim ndryshe, alternativ, kështu që veprimi politik brenda mekanizmave të shtetit s’përbënte veprim nga i cili mund të rezultonte ndryshimi. Politika zyrtare ishte politikë kundër shqiptarëve. Por angazhimi politik jashtë këtyre mekanizmave ndiqej nga shteti serb si veprim ilegal, domethënë jashtë ligjit. Ata që bënin jetën publike i kishin ligjet e tyre. Pushtetarët përcaktonin se çka ishte brenda dhe çka ishte jashtë ligjit. Ishte një traditë e gjatë historike që ata që e kishin pushtetin të bënin ligje të tilla që përcaktonin se çka ishte e lejuar dhe çka jo. Ligjet përcaktoheshin nga dobia e tyre praktike. Një ligj ishte i dobishëm vetëm kur mund të përdorej kundër kundërshtarëve të atyre që ishin në pushtet. Kriteri ishte kundërshtari, dhe kundërshtari ishte ai që nuk pajtohej me pushtimin. Nuk ekzistojnë ligje universale që e nxisin veprimin e arsyeshëm, por ligje njerëzore që përdoreshin kundër një dore njerëzish që, parimisht, nuk mund të pajtoheshin me një politikë që bazohej në shtypje dhe sundim. Ligjet e kësaj kohe ishin ligjet e politikës së Kuvendit të Prizrenit, forumit politik që i hodhi poshtë parimet e Konferencës së Bujanit të vitit 1943, e cila kërkonte bashkimin politik të Kosovës me Shqipërinë, dhe i zëvendësoi ato me parimet e veta që e shpallnin bashkimin e Kosovës me Serbinë, domethënë që e legalizonin ripushtimin. Dhe të veproje sipas këtyre ligjeve do të thoshte t’i shërbeje një elite të korruptuar. Në këtë mënyrë krijohej një hendek mes nesh dhe atyre. “Ata” ishin pushtetarët, “ne” ishim të kriminalizuarit. Kjo ishte një mënyrë kriminalizimi politik, kriminalizim që lidhej me rrjedhoja të rënda politike dhe sociale. Kjo politikë prodhonte detyrimisht polarizim, e ndante shoqërinë kosovare në dy blloqe që i kundërviheshin njëri-tjetrit. Rruga e lehtë ishte ajo e pushtetit; rruga e vështirë ishte ajo e popullit. Imer Grainca ndoqi rrugën e dytë, e cila edhe Ibrahim Cërnillën e kishte çuar në burg.

Në vitet 1970, saktësisht më 1978, u shënua 100-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Sot shkruhet për këtë organizëm politik, që u krijua në vigjilje të Kongresit të Berlinit, si për një organizatë politike islamike që e krijoi vetë Perandoria Osmane, e cila nuk pajtohej me frymën e Kongresit të Berlinit. Por sa qëndron një pretendim i tillë? Faktet tregojnë se këto pretendime pasqyrojnë pakënaqësitë objektive të Perandorisë Osmane, e cila e dinte se pas këtij kongresi ndërkombëtar do të dilte pa një pjesë të territoreve të saj, territore këto që ishin shqiptare; kështu që shqiptarët ishin të prekur konkretisht nga kjo politikë që favorizonte fqinjët e tyre sllavë, serbët dhe malazezët. Hapësira e Nishit në këtë kohë u spastrua etnikisht nga shqiptarët. Shqiptarët ikën, kurse varret që lanë pas, Serbia i rrafshoi me tokë. Në postromanin e Bajram Kosumit “Enciklopedi imagjinare” tregohet edhe se kush ishin ata që i fshinë këto gjurmë shqiptare. Gjenetika e popullatës te popullsia serbe tregon se gjurmët shqiptare gjenden ende në gjakun serb. Mbi 40% e serbëve sot mbajnë në vetvete gjene shqiptare. Para disa kohësh, gazetari Marin Mema, në një emision televiziv, e prezantoi Jagodinën, një qytet i vogël serb, jo shumë larg Beogradit, si një vendbanim me prani të dikurshme të madhe shqiptare, gjë që deri në momentin e transmetimit kishte qenë krejt e panjohur.

Në mëngjesin e 11 nëntorit të vitit 1979, në mesin e të arrestuarve isha edhe unë. Pas arrestimit, më çuan në Burgun e Gjilanit. Më vonë më transferuan në Burgun e Mitrovicës. Një ditë, gardiani serb me mbiemrin Zec më solli gazetën “Rilindja” në qeli. Nuk e hapi derën, por ma shtyu me këmbë gazetën, gjë që më irritoi dhe edhe unë reagova, duke e shtyrë me këmbë jashtë gazetën. Për gardianin serb, ky gjest i imi u interpretua si një revoltë që duhej ndëshkuar. U kthye, e hapi derën e qelisë sime, më nxori në korridor dhe më rrahu. Diku aty afër, në një qeli, kishte qenë edhe Imeri, i cili e kishte vëzhguar rastin. Kur dola në shëtitje, nga një qeli dëgjova zërin e tij të përkrahjes, gjë që në atë moment më dha shumë zemër për të qëndruar. Imeri më thoshte që torturën ta kuptoja si një formë kalitjeje dhe jo thjesht si një poshtërim. Në një mjedis burgu, fjalë të tilla kanë vlerë të madhe. Atë mbështetje morale të Imerit nuk e harroj kurrë.

Një kujtim tjetër lidhet me periudhën pas daljes së tij nga burgu i dytë. Shkova në Cërnillë, në një ditë me shi. Sali Mustafa – Cali ishte në Zvicër. Përmes tij shpresoja ta ndihmoja Imerin, por përpjekjet e mia dështuan. Imeri u detyrua të shkonte në ushtri. Si e ka kaluar atje, e dinte vetëm ai.

Dikur edhe unë u detyrova të ikja nga Kosova. U vendosa në Gjermani, jo shumë larg nga Imeri. Komunikonim. Pas paraqitjes me aksione të armatosura të UÇK-së, një ditë erdhi në banesën time Imeri. Detyra e tij ishte se si mund ta ndihmonim me ndonjë njeri të pushkës. I tregova se kisha ndonjë kontakt me njerëz të tillë që mund ta ndihmonin UÇK-në. Ne arritëm të telefononim Rexhep Bislimin. Rexhepit s’ia tregova emrin tim, por ai e dinte se kush po e thërriste. E pyeta për një ekip futbolli. Ai menjëherë e kuptoi përse e kisha fjalën dhe më tha se kishte një ekip të mirë. Imeri u gëzua që rrjeti i UÇK-së u zgjerua edhe në Ferizaj. Rexhepi, me aksionet e tij, na bëri krenarë si një luftëtar i madh.

Me Imerin kam qenë edhe në Düsseldorf të Gjermanisë, kur u promovua libri i Veli Llakajt. Plani ushtarak “Shpërthimi” i Ushtrisë së Shqipërisë e gëzonte Imerin, i cili e konsideronte si një obligim elementar.

Në foto: Imer Grainca dhe Skender Haliti në Prishtinë, në vitin 1979.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha, Ismail…