VEPRIMTARIA ATDHETARE E SHKRIMTARIT SYLEJMAN KRASNIQIT

20 qershor 2023 | 13:54

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha

Fjalë rasti e mbajtur në tubimin përkujtimor të shkrimtarit Sulejman Krasniqit nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës në Prishtinë

Atdhetari, Shkrimtari, poeti, dramaturgu, publicisti Sylejman Krasniqi u lind më 15 tetor 1934 në Hoçë të Vogël të Komunës së Rahovecit, në një familje atdhetare. Qysh si i vogël merr pjesë nëpër odat e burrave, dëgjon me vëmendje bisedat e pleqve të mençur dhe, si të thuash, pjekët e burrërohet para kohe. Qysh në moshë të re brumohet me taban kombëtar për të qëndruar deri në fund vertikalisht dhe për t’u angazhuar me të madhe për lirinë e atdheut. Si nxënës i dalluar në mësime, ai kishte filluar që të merrej edhe me veprimtari patriotike. Sipas aktgjykimit P.nr. 5/53, në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit, thuhej se në gjimnazin e Prizrenit, i cili atë kohë kishte nxjerrë intelektualë e atdhetarë të shquar, Sylejman Krasniqi shoqërohet me nxënës përparimtarë, të cilët krahas mësimit bartnin mbi supe çështjen e pazgjidhur kombëtare shqiptare. Edhe pse ishin të rinj, ata ishin të vetëdijshëm se vetëm me rezistencë të organizuar mund të kontribuonin për Kosovën e robëruar.

Pikërisht për këtë qëllim formojnë grupin ilegal- kombëtar shqiptar, në të cilin ishin përfshirë konviktorët, Sylejman Krasniqi, Selim Daut Krasniqi nga Tërpeza e Drenicës, Mehmet dhe Isa Gashi nga Kijeva e Llapushës, Fehmi Hoti nga Krusha e Madhe dhe Isuf Gashi nga Randobrava. Ky grup, fillimisht shkruante dhe shpërndante trakte në tërë rrugët e Prizrenit, ndërkaq njëra nga objektivat e me pastajme ishte informimi i popullit për keqtrajtimin e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Sylejman Krasniqi s’bashku me grupin ilegal, në programin e organizatës si qëllim suprem të saj kishin vu angazhimin dhe luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Brenda dy viteve, sa veproi organizata, rreth saj dhe në të u anëtarësuan intelektualet atdhetar, që ishin kryesisht të rinj. Ata, në ato vite kishin kryer disa aksione në Rahovec e në fshatrat për rreth. Sipas të dhënave që i disponojmë, edhe në grup por edhe më vonë, Sylejman Krasniqi kishte zhvillua një luftë të rreptë kundër sistemit okupues, duke e përgatitur masën se Serbia, Jugosllavia e Titoja janë armiqtë kryesor të popullit shqiptar, dhe me çdo kusht duan ta asimilojnë e ta shkatërrojnë atë.

No description available.
Më 1952, sa punonte si mësues, në shkollën fillore të Damjanit, e grisë fotografin e Titos, duke e hedhur në mbeturina, ngase i kishte thënë një kolegu “ja, ai atje e ka vendin”. Ishte nevrikosur tej mase kur po atë vit ishte fillua me hapjen e shkollave në gjuhën turke, ngase tej mase ishte frikësua se pas kësaj qëndron diçka më e madhe dhe më e lig. Frikësohej se në këtë mënyrë do të fillojë asimilimi i shqiptarëve dhe shpërngulja e tyre për Turqi. Haptas propagandonte që shqiptaret të mos shkojnë në ushtrinë jugosllave, ngase nga atje po na vijnë në arkivole. Në çdo hap ishte kundër sistemit okupues dhe të vetmen zgjidhje e shihte në bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ngase, jemi një popull, kemi një gjuhë dhe duhet të jemi një shtet, thoshte ai.
Gjithsesi, duhet shtuar se historia e poetëve dhe e poezisë shqipe në ish Jugosllavi mund të thuhej se ndoshta ishte më tragjikja në Evropë. I ashtuquajturi “realizëm socialist” si në asnjë vend tjetër të botës, ka shterpëzuar dhe vrarë gjysmë shekulli të kulturës sonë kombëtare. Kundër krijuesve shqiptarë është ushtruar një dhunë dhe një masakër i programuar dhe i padëgjuar ndonjëherë. Dhe, ishte krejt e pritur se në një sistem totalitar për shqiptaret siç ishte Jugosllavia, që të vërehen, që të survejohen dhe që të hetohen poetet siç ishin Sylejman Krasniqi, Adem Demaçi, Rexhep Elmazi, Beqir Musliu e shumë të tjerë.

E sot, mund të shprehemi edhe kështu se disidenca e par e klasës politike okupuese ishin patriotet e shumtë dhe ishin, pikërisht poetët. Poetet ishin ata, që me një gjuhë tjetër e shprehen urrejtjen ndaj robërisë dhe dashurin e madhe ndaj lirisë. Ata në këto katrahura e vorbulla të historisë nuk kursyen as jetën. Andaj, sistemi komunist jugosllav, i frikësohej tej mase zërit të poetëve, ndaj kishte vendosur të përdorte grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre punëtoret e UDB-es dhe hetuesit e shumtë për t’i ndjekur ata. Në ish-Jugosllavi, nuk dënoheshin vetëm poetët e shkrimtarët, por në të dënoheshin edhe veprat e tyre, madje përdhoseshin edhe varret ku preheshin eshtrat e tyre. Kush zinte në gojë emrat e “poetëve antijugosllav” kryente një herezi të madhe e mund të përfundonte në biruca, pa gjyq. Sylejman Krasniqi u dënua me 1, 2 muaj burg se kishte lavdërua Fanolin e madhe e kishte përqeshur Titon. Ditët më të rënda të burgut i mbajti në Rahovec, Prizren dhe në Kallugjersko Bare në periudhën 1952-1953.

Pas daljes nga burgu jeta e tij ishte bërë e padurueshme në Kosovë. Ngado që lëvizte, çdo germë që shkruante dhe çdo fjalë që fliste ndiqej e survejohej nga UDB-ja e asaj kohe. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Vendi ishte kthye në një Had të vërtet e të llahtarshëm. Dënimet kapitale që shqiptoheshin ndaj tyre, shpesh i linin vendin vrasjeve apo burgut të përjetshëm. Në fund të fundit, ishte po e njëjta gjë. Mbyllur në qelitë e kobshme, Sylejman Krasniqi, e shumë poet të tjerë të burgosur lanë nëpër birucat e pista të burgjeve, anë e kënd Jugosllavisë, vitet më të bukura të jetës, duke u kthyer në shtëpi me vragat e torturave mizore. Shumë prej tyre s’arritën ta gëzonin as lirinë e vonuar. Përballë një terrori të tillë, nisin përpjekjet për ta braktisur tokën e dashur. Të paktit poetë që mundën të arratiseshin, duke kaluar telat me gjemba të kufirit shqiptaro-shqiptar. Në qershor të vitit 1958, dy vjet pas aksionit të tmerrshëm të armëve, gjatë të cilit u rrahën barbarisht pothuaj të gjithë burrat shqiptarë, pleq e të rinj, Sylejman Krasniqi detyrohet të arratiset në Shqipëri.

Marrja e këtij vendimi të rëndë dhe pastaj rruga e gjatë dhe e mundimshme për kalimin e hekurt të kufirit, e kishte goditur rëndë në mendje e në zemër shkrimtarin. Persekutimi nuk kufizohej vetëm në territorin e ish-Jugosllavisë, por UDB-eja famëkeq i përndiqte kudo që shkonin dhe iu rëndonte jetën. Më tepër se lodhja dhe sakrifica që kishte bërë për ta gjetur shpëtimin dhe dashurinë vëllazërore, e kishte goditur pritja e “ftohtë” dhe provokimet e rënda e të njëpasnjëshme të sigurimit shtetëror të Shqipërisë. Thellësisht i befasuar, por asnjëherë i zhgënjyer dhe i thyer moralisht, kalon disa vjet në kampet e refugjatëve si “emigrant jugosllav” në jug të Shqipërisë. Me gjithë këtë katrahurë, Sylejman Krasniqi ishte i përgatitur moralisht dhe i fortë fizikisht për t’iu bërë ballë këtyre sfidave të papritura e absurde të kohës. Ai para së gjithash e mbi gjithçka tjetër e donte Shqipërinë dhe shqiptarët.

Me kalimin e viteve, shkrimtari Sylejman Krasniqi, fiton të drejtën e shkollimit në Universitetin e Tiranës, ku mbaron me sukses Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Një kohë ka punuar si mësues i shkollave të mesme në Mat dhe Tiranë, ndërkaq nga viti 1982, ka dalë shkrimtar në profesion të lirë. Sylejman Krasniqi radhitet ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare. Ashtu siç e pat cilësuar vite më parë miku i tij Dritëro Agolli. Ai ishte Balzaku i shqiptarëve. E disa të tjerë e vlerësojnë si “shkrimtar i të vërtetës historike, ndërsa një kategori tjetër e kritikëve thonë se ka qenë “shkrimtar i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave”. Sylejman Krasniqi vërtet ka qenë shkrimtar i së vërtetës historike dhe simbol i rezistencës e i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes. Shpirti i tij prej atdhetari ishte minierë! Jeta e tij ishte dramë, vepra e tij ishte model. Ai ishte një figurë komplete si njeri, një intelektual i një kalibri të lartë, një shkrimtar i shquar dhe një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Këtë e dëshmoi me punën dhe veprën e pavdekshme të tij. Ajo që e detyroi që të arratiset për në Shqipëri ishte mu kjo, përkushtimi për të bërë të pamundurën për çështjen Kombëtare.

Sylejman Krasniqi me veprën e tij na lë si trashëgimi apoteozën e heroizmit, patriotizmit, sakrificës, përkushtimit dhe trimërisë së shqiptarëve. Ai, me të gjithë personazhet e tij, personalitete të historisë kombëtare, i frymëzoi shqiptarët kudo që ndodheshin, në përpjekjet e tyre për t’u çliruar nga pushtimi. Vepra e tij ishte një frymëzim i madh për të gjithë ata shqiptar që e donin Shqipërinë, dhe për ata që ranë në burgje anë e kënd Jugosllavisë dhe për ata që bënë luftën e fundit çlirimtare në Evropë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Lavdi atdhetarit Sylejman Krasniqit.
Prishtinë, 9 qershor, 2023

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyra kryeministrit përmes një njoftimi për medie ka bërë me…