Veprimtaria edukativo-arsimore, kombëtare e luftëtarit të lirisë Alush Krasniqi, është kurorëzim i një personaliteti të pavdekshëm

14 janar 22:23

Lajmi për vdekjen e ish mësuesit tonë, kolegut në procesin edukativo-arsimor, veteranit të UÇK-së e humanistit Alush Osman Krasniqi na preku emocionalisht shumë.

Ceremonia e varrimit filloi me akademi komemorative në SHFMU “Bajram Curri” në Drenoc të Malishevës. Hapjen e akademisë komemorative dhe udhëheqjen e saj e bëri kolegu i tij i punës arsimtari Amrush Morina, i cili e filloi me një fjalë miradie dhe një minutë nderim ndaj personalitetit të mësues Alushit.

Edhe Daut Morina, drejtor i SHFMU “Bajram Curri” foli për vlerat e  personalitetit të mësues Alushit që nga lindja deri në frymën e fundit të tij…

Fjalë rasti nga DKA-ja në Malishevë pati edhe drejtoresha e Arsimit, Arbrësha Krasniqi. Njëherit drejtoresha dikur e kishte edhe si mësimdhënës, me ç’rast paraqiti vlerat e personalitetit të një mësuesi shembull e fisnik në edukimin e brezave në frymën e patreiotizmit…

Nga radhët e veteranëve të UÇK-së foli kryetari i OVL-së në Malishevë dhe anëtari i Kryesisë në Perishtinë z. Metush Kryeziu, i cili e vlerësoi lart kontributin e mësues Alushit gjatë luftës çlirimtare… Njëherit z. Kryeziu na njohu me telefonatën ngushëlluese të z. Nasim Haradinaj nga Haga, i cili kishte marrë lajmin e vdekjes së bashkëluftëtarit të tij me shumë pikëllim… z. Kryeziu ju drejtua familjes së nderuar e të gjithë kolegëve, miqve për dhimbjen thellë dhe kontributin e mësimdhënsit Alush Krasniqi e veteranit të UÇK-së.

Për ta përmbyllur këtë akademi  komemorativ foli edhe bashkëveprimtari i mësues Alushit i kohëve  të vështira të viteve 80-ta të shekullit të kaluar, ish i burgosuri poliotik, ish deputeti e  veprimtari z. Halit Krasniqi. Pas fjalimit ngushëllues, veçoi një pjesë të veprimtarisë, duke theksuar organizimin e përbashkët në nxjerrjen e shtypit illegal të dy revistave në vitin 1981, ato revista siç ishin: “Republika e Kosovës” dhe “Zëri i Nxënsit”. Në nxjerrjen e këtyre revistave kishin kontribuar edhe Refki Krasniqi i cili kishte siguruar shaptilografin…, pastaj sigurin në objektin shkollor në “Bajram Curri” e kishin bërë Hamëz Morina, Refki Krasniqi e Kapllan Krasniqi, ndërsa autorët e shkrimeve me shaptilograf ishin Halit Krasniqi e Alush Krasniqi… Pushteti i regjimit jugosllav i kishte rënë në gjurmë këtyre revistave, me çrast burgoset, Halit Krasniqi. Përkundër torturave Halit Krasniqi nuk e kishte nxjerrë asnjë emër të bashkëveprimtarëve. Gjatë atyre kohërave në ilegalitet ishin shtypur edhe revistat në mëgrim nga Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka. Që do të thotë,  në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar ishte nxjerrë shtypi ilegal   në Drenoc e në mërgatë…

Pastaj ceremonia fetare e varrimit u bë në prezencën e mijëra qytetarëve të të  gjitha niveleve, pranë varrezave te xhamia e fshatit Drenoc të Malishevës.

Mësues Alush  Osman Krasniqi rrjedh nga një familje patriotike, babai i tij ishte  hoxhë, i cili ishte edhe i  burgosur nga ish regjimi politik gjatë shërbimit ushtarak…, kusheriri i afërt Vesel Selman Krasniqi u dallua si një personalitet i veprimtarisë që i hyri në punë shumë çështjes së Kosovës e në vitet 90-ta të shekullit të kaluar në bashkëpunim me Anton Çetën  u dallua edhe në Pajtimin e gjaqeve mes shqiptarëve…

Mësues Alushi u lind në Drenoc të Malishevës më 1958, mësimin fillor e filloi dhe përfundoi në vendlindje, ndërsa atë të  mesmen në gjimnazin e Kijevës “Luigj Gurakuqi”, Shkollën e Lartë për arsim teknik në Prishtinë. Punën e mësimdhënsit e filloi në shkollën fillore “Bajram Curri” në Drenoc më 1980. Paralelisht si mësimdhënës e filloi veprimtarinë patriotike, duke kontribuar në nxjerrjen e shtypit illegal ashtu sikur edhe theksova më lart… Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi serb i Sllobodan Milloshoviqit, edhe në sistemin e arsimit ishte  vështirësuar gjendja edukativo-arsimore gjatë viteve 90-ta të shekullit të kaluar, në kohë  kur hezitohej të mirrej pozita e drejtorit, mësuesi Alush nuk hezitoi, por e mori me guxim e përgjegjësi profesionale, duke e ushtruar në kohërat më të vështira deri pas luftës çlirimtare. Gjatë fillimit të luftës çlirimtare, mësuesin Alush e kemi në mesin e celulave të para  të UÇK-së, duke dhënë një kontribut të madh në çlirimin e vendit. Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, i pushoi detyra e drejtorit, por si një arsimdashës prapë e tregoi veten, duke marrë

ditarin e mësimdhënësit deri në frymën e fundit të tij.

Kontributin e mësues Alushit e gjejmë edhe si një familjar i mirë, duke kontribuuar me bizneset private që kishte menaxhuar. Ai përveç familjes, kontribuoi edhe për familjet me nevojë, për të treguar humanizmin e tij…

Vdekja e mësues Alushit nuk ishte pikëllim vetëm për familjen e tij, por ishte pikëlluese edhe për kolektivin e tri shkollave në Drenoc ku punoji: në “Bajram Curri”, “Xhevë Krasniqi-Lladroci” e “Visar Krasniqi”. Për të gjithë veteranët e UÇK-ë e mbarë miqtë e tij mësues Alushi do të mbahet mbend në shumë veprimtari, por veprimtaria edukativo-arsimore, veprimtaria kombëtare dhe veprimtaria e luftëtarit të lirisë është ajka e të gjitha atyre që jep një kurorzim të një personaliteti të pavdekshëm.

Shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së ngushtë, kolegtivit të tria shkollave në Drenoc, veteranëve të UÇK-së e gjithë miqve të tij.

Zoti e mëshiroftë mësues Alushin!

I pikëlluar, ish nxënësi juaj Nexhat Krasniqi.

Drenoc, 14.01.2022.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një grup shokësh, ish-bashkëvuajtës në burgjet e Serbisë, kanë vizituar…