Veriu i “liruar” i Kurtit, nga propaganda te autonomizimi i argumentuar serb
Shkruan: Hisen Berisha
Edhe një veprim tjetër që e demanton përfundimisht narrativën propagandistike të Albin Kurtit për “lirimin” e veriut dhe shtrirjen e sovranitetit shtetëror në atë pjesë të Kosovës. Çdo zhvillim i ri në veri dëshmon se ajo që u paraqit si strategji shtetërore ishte në të vërtetë një seri veprimesh të improvizuara, pa vizion politik, pa koordinim ndërkombëtar dhe pa vlerësim të pasojave afatgjata për shtetin.
Tërheqja e katër komunave me shumicë serbe, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës nuk është një akt administrativ i zakonshëm.
Është një sinjal i fortë politik që dëshmon dështimin e plotë të qasjes së Kurtit ndaj veriut dhe, njëkohësisht, fuqizimin e narrativës serbe për autonomi funksionale dhe institucionale.
Ironia është e plotë, komunat që gjatë verës së vitit 2023 u integruan në Asociacionin e Komunave të Kosovës nën drejtimin e kryetarëve shqiptarë, sot, sapo Lista Serbe riktheu pushtetin përmes zgjedhjeve lokale, po e braktisin atë për t’u rreshtuar drejt një asociacioni të veçuar etnik. Kjo nuk është “shtirje e sovranitetit”, por regres institucional.
Qeveria Kurti e paraqiti administrimin e komunave në veri si triumf historik.
Por realiteti tregoi se ajo qasje prodhoi tri pasoja të rënda për vendin, izolimin ndërkombëtar të Kosovës nga BE-ja dhe SHBA-ja, radikalizim të qëndrimit serb dhe konsolidim të argumentit për autonomi, si “zgjidhje stabilizuese”. Çdo ditë që kalon, veriu i Kosovës po përdoret si dëshmi e dështimit të qeverisjes së Kurtit, jo si sukses.
Veprimet e njëanshme, të pakoordinuara me aleatët në veri, u shiten opinionit si forcë shtetërore e shtrirje pushteti.
Në realitet, ato shërbyen si argumente politike për Listën Serbe dhe Beogradin, për të dëshmuar se bashkëjetesa institucionale në kuadër të sistemit të Kosovës “nuk funksionon”.
Reagimi i drejtpërdrejtë i presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe insistimi i tij se komunat me shumicë serbe duhet të jenë pjesë e një asociacioni të veçantë, sot tingëllon më i artikuluar dhe më i “arsyetuar” në sytë e faktorit ndërkombëtar, pikërisht për shkak të keqmenaxhimit të Kurtit. Refuzimi kategorik i Qeverisë së Kosovës për të ndërtuar një zgjidhje të mençur dhe të koordinuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe e ka kthyer këtë çështje në instrument presioni ndaj vetë Kosovës.
Sot, Lista Serbe paralajmëron rishikimin e të gjitha vendimeve të marra nga kryetarët shqiptarë, duke përdorur mekanizmat ligjorë të vetëqeverisjes lokale. Kjo tregon se “pushteti” i shtrirë nga Kurti në veri ishte i përkohshëm, artificial dhe i pambështetur në konsensus politik e shoqëror.
Veriu nuk u integrua; u instrumentalizua për konsum të brendshëm politik. Dhe çmimin për këtë e paguan shteti i Kosovës, me izolim diplomatik, me presion ndërkombëtar dhe me një narrativë serbe më të fortë se kurrë për autonomi.
Kjo është pasqyra reale e qeverisjes së Albin Kurtit në veri, jo çlirim, por dëmtim strategjik i interesit shtetëror.



