
Veriu si strehë politike për dështimet në Prishtinë
Shkruan: Hisen Berisha
Kur Albin Kurti mbetet pa rrugëdalje në Prishtinë – në bllokadë parlamentare, në izolim ndërkombëtar ose në humbje të legjitimitetit politik – rikthehet te “kriza në veri”. Është një model qeverisjeje ku simbolika zë vendin e politikës reale, ndërsa krizat e sajuara zëvendësojnë zgjidhjet që ai nuk është në gjendje t’i ofrojë.
Këtë e ka bërë edhe më parë: kur e goditën masat e BE-së verën e kaluar, ringjalli temën e Urës së Ibrit – një temë që nuk ishte as urgjente, as nën kompetencën e tij. Bëri zhurmë, krijoi tensione, dhe për pak sa nuk e rrezikoi sigurinë e vendit – për asgjë. Vetëm për propagandë.
Sot, kur nuk ka më shumicë në Kuvend dhe nuk gëzon më besimin e partnerëve ndërkombëtarë, ai sërish i kthehet veriut. Jo për ta integruar atë, por për ta shfrytëzuar si skenë për projekte që nuk janë as reale, as të zbatueshme pa koordinimin e PUN – KFOR-it pa lejimin e të vilëve asgjë nuk ndodhë atje.
Saherë që ka krizë politike në Beograd dhe rrezikohet pozita e Vuçiqit, Kurti inskenon përplasje dhe tensione në Veri. Qëllimi është i qartë: të tërhiqet vëmendja e nacionalizmit dhe shovinizmit serb kah Kosova, për t’ia shpëtuar Vuçiqit situatën në Serbi. Është një skenar i njohur që nga koha e Millosheviçit, në shërbim të interesave serbe dhe ruse – dhe që prej ardhjes në pushtet në tetor të vitit 2019, këto skenarë janë rikthyer në mënyrë ciklike, me të njëjtën regji dhe të njëjtën skenografi. Ndërkohë, çështja e urës mbi Ibër, e strukturave paralele dhe e institucioneve ilegale serbe në veri, është trajtuar tashmë përmes marrëveshjeve teknike të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht dhe të ratifikuara në Kuvendin e Kosovës që nga viti 2013. Këto marrëveshje nuk kërkojnë as improvizim politik dhe as tensione të rreme, por zbatim në afatet e dakorduara dhe nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare.
Veriu i Kosovës nuk është vetëm një hapësirë fizike me tensione të trashëguara, por një zonë me status të veçantë të sigurisë ndërkombëtare. Çdo veprim institucional atje është i kufizuar nga Neni 153 i Kushtetutës, i cili e vendos mandatin e Pranisë Ndërkombëtare Ushtarake (KFOR) mbi çdo autoritet vendor. Ky nen e thotë qartë:
“Asnjë autoritet i Republikës së Kosovës nuk ka juridiksion të rishikojë, të pakësojë ose përndryshe të kufizojë mandatin, kompetencat dhe detyrimet e referuara në këtë nen.”
Prandaj, çdo paralajmërim për ndërtime, lëvizje të njësive policore apo veprime “sovrane” në veri, pa koordinim me KFOR-in, është thjesht teatër për konsum politik.
Kurti këtë e di mirë. Por ai mbështet një llogari të vjetër: sa më shumë tension, aq më lehtë kontrollohet diskursi publik. Sa më shumë zhurmë për “rrezikun nga veriu”, aq më pak pyetje për krizën në Kuvend, për dështimin në menaxhimin e institucioneve, për izolimin ndërkombëtar dhe për mungesën e një plani real shtetndërtues.
Ai e di se nuk mund të prodhojë zgjidhje, prandaj sajon krizë. Sepse vetëm në krizë e gjen arsyetimin për dështimin. E ndërkohë, shteti ngec, institucionet janë të paralizuara, dhe qytetarët lihen në pasiguri të plotë. E vetmja gjë që ecën është propaganda.
Sot, kur është politikisht i bllokuar, ai sërish po tenton të shpikë një krizë në veri – për të fshehur krizën në Prishtinë. Por sërish do të përplaset me realitetin: me faktin që asgjë nuk ndodh pa KFOR-in, që sovraniteti nuk ushtrohet me deklarata në media, dhe se nuk ka më hapësirë për mashtrime patriotike.
Sepse shumica e qytetarëve (përfshirë edhe ata të komunitetit serb – që duan të jetojnë të qetë në Kosovë – duke e pranuar realitetin e ri politik dhe të pamanipuluar politikisht) e kanë kuptuar tashmë se: pas çdo vale retorike për veriun, fshihet paaftësia për të qeverisur pjesën tjetër të vendit në Kosovë apo krizën e pushtetit të atyre në Beograd.