Verstappeni: Nëse makina është për të fituar, atëherë fitoj

30 maj 2025 | 12:23

Piloti holandez i Red Bullit, Max Verstappen, kampion në fuqi dhe katër herë fitues i titullit në Formula 1, ka treguar një qëndrim të përmbajtur dhe të rezervuar në lidhje me mundësitë e tij për të fituar titullin e pestë në sezonin 2025. Aktualisht, pas shtatë garave të para të sezonit, Verstappen gjendet 25 pikë prapa liderit Oscar Piastri dhe tri pikë prapa Lando Norris, të dy pilotë të McLarenit, që kanë dominuar këtë fillim kampionati. Edhe pse ka arritur dy fitore, performanca e përgjithshme e Red Bullit ka qenë e paqëndrueshme.

“Unë thjesht përpiqem të bëj më të mirën dhe ta shijoj këtë proces. Më entuziazmon ideja se do të jemi të shpejtë. Kjo është ajo që më motivon më shumë. Deri tani, sezoni ka pasur disa momente pozitive, por edhe shumë negative. Në disa gara, kemi qenë krejtësisht jashtë ritmit, dhe kjo është zhgënjyese”, ka thënë ai.

Verstappeni theksoi se makina Red Bull është e mirë në pista me shpejtësi mesatare dhe të lartë, si ajo e Barcelonës, por vuan në kthesa të ngadalta dhe në pista urbane me gunga apo ndryshime të mëdha në sipërfaqe.

“Nuk është se nuk besoj. Thjesht paraqitem në pistë dhe jap maksimumin çdo fundjavë. Nuk kam nevojë të besoj plotësisht. E di që sa herë që hipi në makinë, jap gjithçka që kam”, ka shtuar Verstappen. “Nëse makina është për vendin e pestë, unë do ta çoj në vendin e pestë. Nëse është për të fituar, atëherë fitoj. Qasja ime është shumë e thjeshtë dhe nuk më lodh shumë mendërisht, kështu që kam shumë kohë të lirë jashtë pistës”, ka deklaruar ai.

Gara e radhës do të zhvillohet në Barcelonë, në Çmimin e Madh të Spanjës, ku Red Bull shpreson të shfrytëzojë karakteristikat e pistës për të rikuperuar pikët e humbura ndaj McLarenit dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën e titullit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti Hisen Berisha ka reaguar ndaj deklarimeve të fundit të…