Vërsulja serbe mbi Kosovën dhe reagimi popullor

01 nëntor 2019 | 11:28

Shkruan: Mehmet HAJRIZI

Në 30-vjetorin e rënies së Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut (3)

8. Transformimet demokratike në rajon, nuk patën asnjë efekt pozitiv për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, sepse regjimi kriminal i Slobodan Milosheviqi, u vërsul me të gjitha mjetet për ta suprimuar edhe atë autonomi që e kishte Kosova dhe vendosi aty masa të dhunshme në çdo fushë të jetës, duke përjashtuar popullsinë shumicë shqiptare nga jeta politike, ekonomike, arsimore, kulturore, informative etj. Për pasojë, popullsia shqiptare u ndodh në një gjendje edhe më të rëndë dhe më të padurueshme.

Afrim Zhitia me penën e tij të mprehtë, do të shkruajë: “Dhe në fund mendojmë dhe jemi të bindur se reaksioni serbomadh nuk ka ku të shkojë më tej nga hapja e zjarrit kundër masave popullore shqiptare liridashëse. Lufta jonë e drejtë nacional-çlirimtare ka ku të shkojë më tej-drejt fitores, e cila gjithnjë e më tepër po bëhet e domosdoshme dhe kjo do të vijë patjetër. Në një tjetër shkrim ai, duke analizuar demonstratat e nëntorit të vitit 1988, i parashikon në mënyrë profetike zhvillimet e ardhshme në Kosovën e tij: “Kosova ka hyrë tashmë në një lëvizje të re e vendimtare për fatin e vet, zhvillimet e së cilës nuk do të ndalen dot derisa të mos arrihet liria”.

9. Nga fillimi i vitit 1989 në Kosovë zhvillohej një diskutim publik farsë, për ndryshimet kushtetuese me qëllim të heqjes së autonomisë. LKSH dhe qytetarët e Kosovës i kundërshtuan ndryshimet në mijëra mbledhje dhe protesta, në të cilat morën pjesë rreth gjysmë milioni njerëz. Do përmendur në mënyrë të veçantë protestën e mbi 1.300 minatorëve të Trepçës, më 1989, kur me vetëmohim u mbyllën në horizontet e thella të minierës në Stan Tërg, me të cilët u solidarizua i tërë populli shqiptar dhe sidomos studentët e Universitetit të Prishtinës. Bashkë me studentët dhe profesorët, në sallën e grevës, ishin edhe Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Lëvizja ilegale kombëtare e Kosovës, ndonëse e goditur rëndë dhe sistematikisht nga regjimi, ishte aktive dhe e fuqishme me organizimin e saj jashtë e brenda atdheut. Ajo i organizonte dhe u printe masave në rezistencën kundër pushtuesit. Regjimi ndërkaq, me aparatin shtypës ndërmori masa të egra dhe të përgjakshme për të shuar revoltën e popullit të pakënaqur të Kosovës, duke krijuar kushtet që udhëheqja serbe, më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës dhe, pesë ditë më vonë, në Kuvendin e Serbisë, ta suprimonte autonominë e Kosovës.

Më vonë Afrim Zhitia, duke analizuar kontekstin historik, në shkrimin e tij Lufta e popullit tonë është e drejtë, fushata antishqiptare nuk mund ta devijojë atë, midis tjerash thotë: “Ende na janë të freskëta kujtimet për skenat rrëqethëse të datës 23 të muajit mars, kur masakrimi i popullit liridashës shqiptar nga ana e barbarëve serbomëdhenj tronditi botën. Vrasja e plagosja e dhjetëra e qindra demonstruesve paqësorë, duke përfshirë edhe fëmijët e mitur…, përdorimi i tërë makinerisë ushtarako-policore ndaj popullit shqiptar – ‘fajtor’ sepse kërkon liri – janë treguesit më besnikë për atë se kush ndaj kujt po bën gjenocid në Kosovë, janë dëshmi për atë se sa gëzojnë liri shqiptarët në tokën e vet. Shtypja kombëtare, shovinizmi, histeria nacionaliste kurrë nuk e kanë treguar egërsinë e tyre kaq lakuriqe sa në Jugosllavi gjatë muajve shkurt – maj 1989. Pamjet rrëqethëse tregonin se kërbaçi policor, tanket dhe ushtria siguruan aprovimin e amendamenteve të Kushtetutës së Serbisë, prandaj populli sot me të drejtë Kushtetutën e ‘re’ e quan ‘Kushtetutë e tankeve’, antishqiptare e antinjerëzore”

10. Për mbrojtjen e Kosovës një popull i tërë u ngrit në këmbë, i udhëhequr nga bijat dhe bijtë më të mirë, siç ishin Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu. Në ditën e suprimimit të autonomisë në demonstratë regjimi i Milosheviqit vrau 29 shqiptarë. Deri në fund të prillit numri i të vrarëve arriti në 100.

Shqipëria që kishte qenë në vazhdimësi mbështetëse e LKSH dhe mbrojtëse e të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve të saj shtetërorë, gjatë viteve tetëdhjetë i intensifikoi dukshëm ato. Ndonëse edhe vetë e rrezikuar nga pretendimet e huaja pushtuese, me pozitën e saj të brishtë ndërkombëtare, me fuqinë politike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike që kishte, nuk mund të bënte shumë për Kosovën. Megjithatë mbështetja që ajo i dha Kosovës më 1981, e kalonte dukshëm intensitetin e deriatëhershëm.

Sipas dëshmisë së ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Shqipëria kishte hartuar Planin ushtarak “Shpërthimi” për ndërhyrje në Kosovë, me qëllim të çlirimit të saj. Për këtë qëllim, fill pas kryengritjes shqiptare të vitit 1981, Shqipëria kishte bërë ristrukturimin e Forcave të Armatosura, duke u dhënë funksionin shtesë të mësymjes, në rast se kryengritja në Kosovë merrte karakter të armatosur, ose në rast të shkallëzimit të dhunës mbi shqiptarët në Jugosllavi.

Studiues të ndryshëm kanë vlerësuar se më 1981 Shqipëria bëri kapërcimin e madh cilësor nga përparësia e ideologjisë në atë të interesit kombëtar. Jens Reuter, në librin e tij “Shqiptarët në Jugosllavi, Studim historiko-analitik”, thotë: Nga Kongresi i Tetë i PPSH më 1981, Shqipëria intensifikoi mbështetjen ndaj çështjes së Kosovës.“
Ramiz Alia, në cilësinë e presidentit të Shqipërisë në Sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dënoi dhunën dhe terrorin në Kosovë.

11. Me humbjen e subjektivitetit politik e ekonomik dhe nën veprimet shtypëse e shfrytëzuese serbe, në Kosovë u shkatërrua i tërë sistemi ekonomik që çoi në varfërim të skajshëm të rreth 60 për qind të popullsisë. Që nga viti 1989, ekonomia e Kosovës pati normë negative të ecurisë së prodhimit shoqëror prej -7.2%, dhe të ardhurave kombëtare prej -7.4%., të cilat shumë shpejt ranë në rreth 400 dollarë për kokë banori. Instalimi i administrimit të dhunshëm serb mbi institucionet publike dhe ndërmarrjet e Kosovës, rezultoi me dëbimin nga puna të rreth 150.000 punonjësve shqiptarë dhe me rritjen e shkallës së papunësisë mbi 70 për qind.
Si pasojë e mjerimit social, por edhe e përndjekjeve policore e ushtarake dhe e terrorit shtetëror, nga Kosova filloi një fluks i paparë deri atëherë i emigrimeve jashtë vendit, që përbënte rrezik serioz për të ardhmen e Kosovës, për më tepër që qindra mijë të ikur ishin kryesisht të moshës së re. Jugosllavia po vlonte nga kontradiktat e vjetra e të reja, derisa shpërthyen luftërat dhe u shemb Federata në pellgun e gjakut të popujve të saj. Populli shqiptar i Kosovës, jo vetëm ndiqej, vritej e torturohej, por edhe ishte dënuar me zi buke nga regjimi pushtues i Milosheviqit famëkeq. (Vijon)

* Fusnotat e këtij fejtoni i ka hequr redaksia

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri i Drenicës, Arion Ymeri ka thënë për “Epokën e…