Veseli: Brenda dy vjetësh, çdo familje do t’i marrë fletët poseduese për pronat e tyre

23 shtator 2019 | 14:04

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka treguar më detajisht për projektin e tij për legalizimin e përshpejtuar të ndërtimeve pa leje.

Veseli ka thënë se sot kemi mbi 352 mijë ndërtesa dhe banesa pa fleta poseduese në Kosovë, që bllokojnë mbi 10 miliardë euro kapital, ndërsa me bazën aktuale ligjore, në procesin e legalizimit janë përfshirë vetëm 8 600 ndërtime pa leje.

Me ritmin e deritashëm, Veseli ka thënë se Kosovës do i duhen më shumë se 75 vjet për ta zgjidhur këtë problem, por që ai planifikon ta bëjë për vetëm dy vjet.

“Një ndër pikat kryesore të Planit Kundër Korrupsionit është legalizimi i përshpejtuar brenda dy vjetësh i të gjitha ndërtimeve pa leje, që nuk prekin pronat publike apo interesin publik. Sot kemi mbi 352 mijë ndërtesa dhe banesa pa fletë poseduese në Kosovë, që bllokojnë mbi 10 miliardë euro kapital. Me bazën aktuale ligjore, në procesin e legalizimit janë përfshirë vetëm 8600 ndërtime pa leje dhe me këtë ritëm duhen më shumë se 75 vjet për ta zgjidhur këtë problem. Prandaj ne do ta ndryshojmë këtë kornizë ligjore, duke bërë që qytetarët të paguajnë vetëm 1 euro për metër katror, ndërkohë që do lirohen tërësisht nga pagesa familjet që u përkasin kategorive të veçanta sociale. Do të krijojmë një agjenci të specializuar të përkohshme (Agjencia e Trajtimit të Ndërtimeve Pa Leje – ATNPL), e cila do të ofrojë shërbimet nën një çati për ta përmbyllur procesin brenda dy vjetësh, duke bashkëvepruar me komunat dhe koordinuar veprimet me institucionet e ndryshme shtetërore”, ka thënë Veseli.

Ai ka theksuar kjo nismë do t’i japë fund informalitetit në sektorin e patundshmërisë, duke i dhënë shtytje të fuqishme sektorit të ndërtimit, i cili zë 15 për qind të Bruto Prodhimit Vendor dhe mundëson 20 për qind të punësimit sot në Kosovë.

“Por, më e rëndësishmja është që kjo nismë do të mundësojë fluksin më të madh të kapitalit që ka pasur ndonjëherë ekonomia jonë, duke futur në qarkullim miliarda euro që do të përkthehen në rritje të fuqisë blerëse dhe në investime të reja”, ka thënë Veseli.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi…