Veseli: Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund ta ndajë

12 shtator 2018 | 18:02

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi, ka zhvilluar takime të ndara me ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në këto takime është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në të dyja vendet, me theks të veçantë për procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se te Sali Berisha Kosova gjithherë ka gjetur mbështetësin e madh e të parezervë, gjatë rrugëtimit të saj për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

Duke folur lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, Veseli ka thënë se Kosova është shtet i pavarur sovran dhe se askush nuk mund ta ndajë atë e as të bëjë “Republikë Serbe” brenda saj.

“Nëse jemi bashkë, pozitë opozitë, nuk mund të na sfidojë askush. Kemi nevojë për unitet. Në dialog me Serbinë shkojmë me jo nga dashuria, por nga pragmatizmi. Kuvendi i Kosovës do të jetë vendi ku në mënyrë transparente do të ndërtohet platforma nacionale e ballafaqimit me Serbinë, pa cenim territori, me sovranitet dhe integritet territorial, siç e kemi shpallur pavarësinë më 2008, dhe pa ‘Republika serbe'”, ka thënë Veseli.

Veseli ka deklaruar se Kosovës i duhet konsensusi dhe platforma nacionale, e cila, sipas tij, ka vetëm një rezultat: Kosova në OKB.

“Kosova nuk ka çfarë të japë, por as nuk dëshiron të marrë diçka nga të tjerët. Standardet që i kemi ndërtuar për serbët në Kosovë, të aplikohen njëtrajtshëm nga Serbia edhe për vëllezërit tanë në Luginë”, është shprehur Veseli.

Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, ka thënë se dialogu dhe marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë janë të një rëndësie të madhe, jo vetëm midis këtyre dy vendeve, por për rajonin në tërësi.

“Ndaj mendimin se integriteti territorial i Kosovës dhe sovranitetit nuk janë dhe nuk mund të jenë në asnjë rrethanë çështje diskutimi. Askush nuk ka të drejtë ligjore as kombëtare të hapë diskutim për çështjen e kufijve të Kosovës. Denoncoj me forcën me të madhe përpjekjet e Beogradit për të krijuar të struktura të ngjashme me ‘Republika Srpska’ në Kosovë. Ky është mekanizëm i shpifur i Beogradit për destabizilim. Thirrja ime për të gjitha partitë është që të ulen se bashku në shembullin më të mirë te Vjenës, të votojnë ne Parlament kornizën e këtij diskutimi dhe të krijojnë delegacionin e përbashkët. Kosova meriton që të votojë së bashku një kuadër ligjor, i cili nuk do të kundërshtohej nga askush më”, është shprehur Berisha.

Po ashtu, Berisha ka dënuar ashpër gjuhën e presidentit serb Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij ne Mitrovicë.

Edhe zëvendëskryeministri Limaj ka shtruar nevojën e ndërtimit e grupit të unitetit dhe qëndrimit unik të Kosovës në këtë proces.

Në anën tjetër, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka theksuar se Kosova duhet të jetë bashkë në këtë proces dhe nuk mund të bëjë lëshime në çështjet e sovranitetit dhe të konceptit unitar të shtetit.

/Epoka e re/

Image may contain: 3 people, people sitting, suit and indoorImage may contain: 1 person, standing and suit

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Flamurtarit po vazhdon shkëlqimin në IPKO Superligë, pasi…