Veseli: Dialogu përfundon me njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB

17 shtator 2018 | 17:43

Në një intervistë për gazetën serbe “Telegraf”, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se liderët në Serbi po e vazhdojnë retorikën e urrejtjes dhe po glorifikojnë kriminelë siç është Slobodan Millosheviqi.

Kjo, ka thënë ai, nuk i ndihmon së ardhmes.

Veseli ka deklaruar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me integritet territorial të pacenueshëm, dhe se kështu do të mbetet përherë, transmeton “gazetametro.net”.

Veseli ka thënë se dialogu në mes të palëve që ofron një zgjidhje e cila i hap rrugë njohjes së ndërsjellë, dhe anëtarësimit të Kosovës në OKB, BE dhe NATO është zgjidhja e vetme.

Kryeparlamentari Veseli ka thënë se gjuha dhe metodat e ndryshme manipuluese nuk iu ndihmojnë as serbëve në Kosovë, për të cilët tha se nuk kanë asnjë problem me shqiptarët dhe me institucionet vendëse.

Madje ai ka përmendur se në fshatrat dhe qytete ku banojnë serbë ka pasur investime në infrastrukturë e shumëçka tjetër. Serbia, ndërkaq ka deklaruar Veseli, investon në Kosovë në struktura paralele dhe në grupe të caktuara që nuk ju ndihmojnë qytetarëve.

Në intervistën e tyre, “Telegraf” e quan Veselin njëri të Amerikës dhe liderin kryesor të Kosovës, pa të cilin nuk merren vendime. Veseli ka thënë se ai është krenar që personalisht ai dhe populli i Kosovës ka miqësi me ShBA-në.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa republikanë kanë kërkuar që votimi për Brett Kavanaugh, i…