Veseli: Shuarja e Ministrisë së Inovacionit, një ndër gabimet më të mëdha të qeverisë në ikje

17 maj 2020 | 13:59

Me rastin e Ditës Botërore të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova ka arsye për t’u krenuar sepse sipas tij rezultatet e “Anketës së përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2019” të realizuar nga ASK-ja, tregojnë se 93.2 për qind e familjeve kanë qasje në internet.

Veseli ka thënë se partia që drejton e ka mbështetur fushën e teknologjisë, si asnjë parti tjetër. Në këtë kontekst, Veseli ka thënë se qeveria në ikje ka bërë gabim të madh kur kishte vendosur ta shuante Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

“Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur si asnjë parti tjetër këtë fushë, prandaj, duke ndjekur modelin e vendeve të tjera evropiane si Suedia, Italia, Belgjika, Hungaria apo Rumania, vendosëm që të krijonim Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ky është sektori më premtues për rritjen ekonomike dhe për hapje të vendeve të reja të punës që paguhen mirë. Për këtë arsye, unë besoj se një ndër gabimet më të mëdha që ka bërë qeveria në ikje, ka qenë shuarja e kësaj ministrie”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Veselit:

Sot shënohet “Dita Botërore e Telekomunikacionit dhe Shoqërisë së Informacionit”, e përcaktuar prej OKB-së, për të ngritur vetëdijen lidhur me mundësitë dhe dobitë që sjell në shoqëri dhe ekonomi përdorimi i internetit dhe teknologjive të tjera të informacionit dhe komunikimit. Kosova ka arsye për t’u krenuar sepse rezultatet e “Anketës së përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2019” të bërë nga ASK-ja, tregojnë se 93.2 për qind e familjeve kanë qasje në internet. Me këtë përmasë, ne radhitemi ndër 30 shtetet që kanë mbulimin më të madh të internetit në botë.

Partia Demokratike e Kosovës e ka mbështetur si asnjë parti tjetër këtë fushë, prandaj, duke ndjekur modelin e vendeve të tjera evropiane si Suedia, Italia, Belgjika, Hungaria apo Rumania, vendosëm që të krijonim Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ky është sektori më premtues për rritjen ekonomike dhe për hapje të vendeve të reja të punës që paguhen mirë. Për këtë arsye, unë besoj se një ndër gabimet më të mëdha që ka bërë qeveria në ikje, ka qenë shuarja e kësaj ministrie.

Të rinjtë e talentuar të Kosovës, tashmë, kanë krijuar kompani të kësaj fushe duke konkurruar me sukses në nivel global apo duke iu ofruar shërbime e produkte kompanive të tjera më prestigjioze e vendeve më të zhvilluara. Prandaj, ne, duhet ta rikthejmë këtë ministri dhe ta rikthejmë vëmendjen e shtetit për të mbështetur lulëzimin e mëtejshëm të sektorit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Kosovë. (L.G/ Epoka e re)

https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/photos/a.268197093355504/1590131647828702/?type=3&theater

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Boksieri 15-vjeçar nga Kosova, Ensar Mujota, vdiq të dielën, ka…