Veseli tregon se si mund të rrëzohet Qeveria

17 shkurt 2019 | 17:15

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë, ka folur edhe për taksën 100 për qind që ka vendosur Qeveria ndaj produkteve të Serbisë.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës, por sipas tij 

Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Ai ka thënë se Serbia e ka merituar dhe e meriton taksën, për shkak të sjelljeve të saj karshi nesh.

“Largimi i saj është i panegociueshëm, për shumë arsye. Por, përmbi emocionet e taksës ndaj Serbisë, dua të flas për urgjencën e racionalitetit shtetëror.  Vendimmarrja shtetërore nuk duhet të jetë as përgjegjësi dhe as kritikë individuale.

Në  vendimmarrje shtetërore, asgjë nuk duhet të ketë personale. Pra, edhe ky vendim, si çdo vendim tjetër për Kosovën, duhet të jetë shtetëror, institucional”.

“Duhet t’i vëmë në peshojë interesat strategjike të shtetit tonë përballë Serbisë, duke marrë parasysh edhe reflektimet për faktorët determinues të botës që na rrethon; Rusisë me aleatë në njërën anë, dhe SHBA-së e BE-së në anën tjetër. Me SHBA-të dhe BE-në në krah, Kosova është më mirë dhe më e sigurt”, ka thënë Veseli në fjalimin që ka mbajtur në Kuvendin e Kosovës me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë.

Ai ka thënë se interesat strategjike dhe gjeopolitike perëndimore dhe amerikane në Ballkan përputhen plotësisht me interesat e Kosovës dhe kombit tonë. 

“Andaj, Kuvendi dhe Qeveria duhet t’u qëndrojnë prapa zotimeve të përbashkëta Kosovë – SHBA dhe BE. Në të kundërtën, Kosova nuk fiton. Ndërsa, Serbia rehabilitohet. Sa i përket kësaj situate të ndjeshme dhe ndërlidhjes së saj me mandatin e Qeverisë, dua t’i siguroj qytetarët se, si lider i koalicionit qeverisës, nuk do të lejoj për asnjë moment që relacioni ynë me Serbinë ta përcaktojë stabilitetin dhe fatin e institucioneve tona, pra as të Qeverisë së Kosovës. Pra, Qeveria e Kosovës nuk do të bjerë për shkak të taksës. Ky është qëndrimi im i vendosur. Qeveria dhe Kuvendi mund të bien vetëm për shkak të interesave të qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve të tyre strategjikë si SHBA-të dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Veseli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në 11-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në Komunën e Deçanit…