
Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (V)
Fatmir Lekaj, politolog
Inkurajimi dhe mbështetja e ngritjes së shoqërisë civile në Kosovë si mjet demokratik kundër regjimit shtypës të Millosheviqit
Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH), inkurajoi dhe mbështeti ngritjen e bërthamës së shoqërisë civile në Kosovë, përkatësisht themelimin e Komitetit Kosovar të Helsinkit nëpërmes bashkëpunimit konkret në mes të Berit Backerit dhe Gazmend Pulës, Po ashtu, mbështeti vazhdimisht veprimtarinë e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, ku Gazmend Pula ishte gjithashtu një nga anëtarët themelues. Ky këshill fillimisht drejtohej nga Bajram Kelmendi, Zekeria Cana, Zenun Qelaj etj. Në këtë vazhdë, përpjekjet e këtij këshilli vetëm sa u shtuan pas lirimit nga burgu të Adem Demaçit, më 21 prill 1990, kur ai mori drejtimin e tij.
Në fakt, themelimi i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe i Komitetit Kosovar i Helsinkit (duke përfshirë themelimin e Shoqatës Bamirëse të Kosovës “Nëna Terezë” (1990) dhe organizatës për të drejtat e grave dhe grupeve të margjinalizuara, “Motrat Qiriazi” (1990) etj., përveçse e përbënin bërthamën e Shoqërisë Civile në Kosovë, njëkohësisht ndikuan (sidomos fillimisht) edhe për afirmimin dhe për përkrahjen e rezistencës paqësore në Kosovë në krye me Ibrahim Rugovën.
Gjatë kësaj periudhe përveç Ibrahim Rugovës, edhe aktivistë të tjerë në Kosovë luajtën një rol kyç në forcimin e lidhjeve paradiplomatike me vendet perëndimore. Në veçanti, kryetari i Komitetit Kosovar të Helsinkit– Gazmend Pula, dhe anëtarët e këtij komiteti Shkelzen Maliqi, Veton Surroi, Arbër Xhaferi etj. Njëri nga anëtarët e Komitetit Kosovar të Helsinkit, Muhamedin Kullashi, dha një kontribut të rëndësishëm edhe në kuadër të emigracionit politik shqiptar, pasiqë emigroi në Paris ku u përkushtua për ndërkombëtarizimin dhe për sqarimet e duhura në lidhje me çështjen e Kosovës, si përmes Komitetit të Kosovës në Paris ashtu edhe si profesor i filozofisë në Universitetin Paris 8.
Vlen të theksohet se kryetari i Komitetit Kosovar të Helsinkit përveçse ishte pjesë e delegacionit, njëherësh ishte shoqërues i rëndësishëm i Ibrahim Rugovës gjatë vizitës së parë zyrtare të delegacionit të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën në Kongresin Amerikan në muajin prill 1990. Përkatësisht gjatë vizitës në seancën dëgjimore të Grupit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, e mbajtur në Uashington, lidhur me çështjen e Kosovës. Kjo vizitë u organizua nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me Joseph DioGuardin. Në fakt, organizimi i dy vizitave të para dhe historike të delegacioneve të Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën (në shkurt 1990 në Oslo, dhe në prill 1990 në Uashington) u hapi rrugë vizitave të tjera gjithandej shteteve perëndimore udhëheqësit karizmatik të lëvizjes paqësore të Kosovës, Ibrahim Rugovës, njëkohësisht ndikuan në ngritjen edhe më të madhe të popullaritetit të tij (dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës në përgjithësi), si në Kosovë ashtu edhe në diasporën shqiptare. Dy kryeorganizatorëve të këtyre dy vizitave, ju ndalua hyrja në Jugosllavi, Berit Backerit ju ndalua hyrja në fillimvitin 1990, ndërsa Joseph DioGuardit ju ndalua hyrja në korrik 1990. Në këtë vazhdë, Grupi për Kosovën i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, organizoi një konferencë të përbashkët për shtyp në Komitetin Norvegjez të Helsinkit (si pjesë integrale e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit) për kryetarin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardin, dhe sekretarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Zekeria Canën, me synimin për të ndërkombëtarizuar më tej çështjen e Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit. Kjo konferencë është mbajtur konkretisht më 22 gusht 1990, gjatë vizitës evropiane të DioGuardit, dhe gjatë kësaj konference është ngritur për diskutim edhe tema në lidhje me ndalesën për hyrje në Jugosllavi për Berit Backerin dhe Joseph DioGuardin.
Përkundër këtyre ndalesave për hyrje në Jugosllavi, regjimi i Millosheviqit nuk mundi të ndalte hovin e veprimtarisë së shqiptarëve për ndërkombëtarizimin e çështjes se Kosovës, ngase kjo veprimtari pas shembjes së murrit të Berlinit u fuqizua gjithnjë e më shumë, sidomos duke e marr parasysh mobilizimin e përgjithshëm shoqëroro-politik në Kosovë. Për hovin e këtij mobilizimi ndikuan një sërë ndodhish dhe aktivitetesh politiko-shoqërore në Kosovë, përveç të tjerash: gjatë demonstratave të vitit 1989-1990 (si reaksion kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës), ranë dhjetëra dëshmorë. Më 2 shkurt 1990 filloi aktivitetin aksioni për pajtimin e gjaqeve dhe ngatërresave, i iniciuar nga disa veprimtarë të LPK-së (Jashar Salihu, Nurie Zeka, Naser Veliu, Ibish Neziri, Adem Grabovci, Hava Shala, Myrvete Dreshaj, Lulzim Etemaj, Ibrahim Dreshaj etj.) dhe u udhëhoq nga profesor Anton Qeta etj., duke evoluar në një mobilizim dhe solidaritet gjithëpopullor. Në këtë vazhdë, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate të Kosovës, u themeluan edhe disa parti të tjera të shqiptarëve në Kosovë (Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Liberale, Partia Fshatare, Partia Republikane, Parlamenti Rinor që, në fakt, ishte bërthama e Partisë Parlamentare etj.), dhe u organizuan në kuadër të një këshilli koordinues të udhëhequr nga LDK-ja, në krye me Ibrahim Rugovën. Paralelisht me këto zhvillime u themelua bashkësia e sindikatave të pavarura e Kosovës, në krye me Hajrullah Goranin. Ndërsa delegatët shqiptarë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, që filloi punën më 4 dhjetor 1989, morën vendimin e guximshëm dhe shpallën deklaratën kushtetuese të 2 korrikut 1990. Menjëherë pas këtij veprimi, Grupi për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GKKNH) e organizoi programin e vizitës së parë të delegacionit të Kuvendit të Kosovës në shtetet perëndimore, gjë që kontribuoi për forcimin e mëtutjeshëm të lidhjeve paradiplomatike të Kosovës me shtetet perëndimore.
Kështututje edhe organizimi në kuadër të emigracionit politik shqiptar u forcua edhe më shumë. Më 19 tetor 1991, u themelua Qeveria e Kosovës në Egzil, në krye me Bujar Bukoshin, që fillimisht u vendos në Lubjanë të Sllovenisë dhe më pastaj nga viti 1992 në Bon të Gjermanisë. Kjo Qeveri kishte edhe ministrinë e informacionit me seli në Gjenevë në krye me Xhafer Shatrin. Deri në këtë periudhë kohore ishin themeluar edhe degët e LDK-së në shtetet perëndimore dhe koordinoheshin nga një qendër në Gjermani në krye me Hafiz Gagicën. Në këtë drejtim, shumica e takimeve ndërmjet Ibrahim Rugovës dhe përfaqësuesve të shtetit gjerman, si dhe përfaqësuesve të tjerë evropianë, u koordinuan përmes zyrës së LDK-së në Shtutgart, e cila njëkohësisht e ka luajtur një rol si zyrë ndërlidhëse e Kosovës.
Që në vitin 1978, Berit Backer ishte kontaktuar dhe informuar nga Amnesty International, konkretisht nga shoqja e saj Melanie Anderson, lidhur me një të burgosur politik, përkatësisht Adem Demaçin. Gjatë kësaj kohe, Backer punonte si hulumtuese në Institutin Norvegjez të mirënjohur ndërkombëtarisht si PRIO – Peace Research Institute Oslo, duke specializuar në lidhje me shqiptarët në Jugosllavi dhe Shqipëri. Në këtë vazhdë, pas lirimit të Demaçit nga burgu (më 21 prill 1990), Backer pati një bashkëpunim të ngushtë me Demaçin. Përkatësisht që nga takimi i saj i parë personal në Norvegji me Adem Demaçin, lidhi miqësi me të. Ata krijuan një konsideratë dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, veçanërisht një bashkëpunim substancial në veprimtarinë e tyre për të drejtat e njeriut. Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, që shërbente si një bazë e fortë “për njohjen e realitetit në Kosovë” nga ana e diplomacisë perëndimore, e kishte peshën e vet të rëndësishme sepse udhëhiqej nga simboli i rezistencës së shqiptarëve për liri dhe barazi, Adem Demaçi, ndërsa Berit Backeri me diturinë dhe nëpërmes kontakteve të saj kudo në Evropë, ndikoi që ky “realitet” të shpërndahet më thellë në strukturat e pushtetit të shteteve perëndimore. Kjo pati ndikimin e vet të rëndësishëm edhe për kyçjen e drejtpërdrejtë dhe veçanërisht për promovimin e meritueshëm të Adem Demaçit në kuadër të Procesit të Helsinkit, si simbol i të drejtave dhe lirive të njeriut, që rezultoi edhe me mirënjohjen e tij me çmimin Sakharov (1991), dhe me mirënjohje të tjera, duke përfshirë çmimin Leo Eitinger (1995) etj. Me të drejtë Adem Demaçi e quante Beriten, Merita, dhe porosiste që të gjithë shqiptarët ta quajnë me këtë emër, siç zakonisht e thërriste Baca Adem: Merita e shqiptarëve. Për më tepër jo vetëm Ibrahim Rugova ishte bindur nga këshillat e Berit Backerit dhe Kristoffer Gjøtterudit që shqiptarët e Kosovës duhet të rezistojnë vetëm me rezistencë jo-violente, por edhe Adem Demaçi ishte bindur prej tyre për rëndësinë e rezistencës jo-violente, si e vetmja alternativë që mos ti jepet shkas Milosheviqit për pastrim etnik të Kosovës, dhe për të fituar dhe ruajtur vazhdimësinë e përkrahjes ndërkombëtare për shqiptarët e Kosovës edhe nëse në të ardhmen shqiptarëve të Kosovës do të ju imponohet ndonjë formë e rezistencës violente.
Në vijim, faksimilja e parë ilustron rëndësinë e bashkëpunimit të Berit Backerit në fushën e ngritjes së shoqërisë civile në Kosovë. Përkatësisht letra dërguar Backerit ku kërkohet mendimi i saj lidhur me përbërjen e Bordit të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Faksimilja e dytë është një ndër dëshmitë në lidhje me mbështetjen dhe bashkëpunimin e duhur në mes Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH-së) dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë. Më tutje është një foto e Backerit me Demaçin në një nga takimet e punës në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit. Në foton tjetër janë kryetari i Komitetit Kosovar të Helsinkit, Gazmend Pula, dhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Adem Demaçi, gjatë një vizite në Komitetin Norvegjez të Helsinkit. Në foton tjetër është kryetari i Komitetit Kosovar të Helsinkit, Gazmend Pula, duke e shoqëruar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryesuesin i delegacionit, Ibrahim Rugovën, gjatë vizitës në seancën dëgjimore të Grupit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, e mbajtur në Uashington, lidhur me çështjen e Kosovës. Dhe foto e katërt, është e shkrepur gjatë konferencës të përbashkët për shtyp në Komitetin Norvegjez të Helsinkit (si pjesë integrale e Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit) për kryetarin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi, dhe sekretarin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, Zekeria Canën, me synimin për të ndërkombëtarizuar më tej çështjen e Kosovës në kuadër të Procesit të Helsinkit, duke e ngritur për diskutim edhe temën në lidhje me ndalesën për hyrje në Jugosllavi për Berit Backerin dhe Joseph DioGuardin. Në këtë foto nga e majta janë: Osman Osmani, Joseph DioGuardi, Zekeria Cana, Mehdi Hajdari dhe Nufri Lekaj.