
Vështrim mbi procesin e Helsinkit dhe disa nga arritjet e Kosovës në kuadër të këtij procesi (VI)
Fatmir Lekaj, politolog
Inkurajimi dhe mbështetja e ngritjes së shoqërisë civile në Shqipëri
Pas shembjes së murit të Berlinit, ndikimi dhe ndihma e Grupit për Kosovën në kuadër të Komitetit Norvegjez të Helsinkit (GBKNH), nuk mungoi as për Shqipërinë. Kjo ndihmë u realizua në kuadër të një projekti shtesë të GKKNH-së, i ashtuquajturi projekti Aksioni Norvegji – Shqipëri (ANSh), i mbështetur drejtpërdrejt nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (MPJN). Ky projekt u udhëhoq nga Berit Backer (përgjegjëse e projektit) dhe nga Nufri Lekaj (koordinator i projektit). Fillimisht, nëpërmes këtij projekti u realizuan ndihmat emergjente nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë për në Shqipëri dhe, në këtë vazhdë, me ndihmën e këtij projekti, u etablua OJQ-ja e parë në Shqipëri në vitin 1991, si bërthama e parë nga jashtë për të drejtat e njeriut dhe demokratizim në Shqipëri, përkatësisht Qendra për të Drejtat e Njeriut dhe për Rehabilitimin e të Përndjekurve Politikë nga Regjimi Totalitar. Në fakt, kjo është OJQja e parë e regjistruar në Shqipëri, e cila vazhdoi të funksionojë edhe pas vitit 1994 nën udhëheqjen e Kozara Katit etj. Gjithashtu, nëpërmes këtij projekti (ANSh-së) u ndihmua themelimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KSHN-së) në vitin 1991, nëpërmes bashkëpunimit konkret në mes Berit Backerit dhe Arben Putos, Kujtim Çashkut etj. Madje në kuadër të kësaj veprimtarie, Berit Backer, përveç të tjerash, ndihmoi që Shqipëria të përfaqësohet në takimin e ekspertëve të Konferencës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (KSBE-së). Gjithashtu në kuadër të kësaj veprimtarie, koordinatori i ANSh-së, Nufri Lekaj, si pjesë e koordinimit të Qendrës për Rehabilitimin e të Burgosurve Politikë në Tiranë me Qendrat Ballkanike, merr iniciativën në takimin në Greqi në vitin 1993, për etablimin e Qendrës në Kosovë për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë shqiptarë, e cila qendër u jetësua në vitin 1999 nga Feride Rushiti.
Në vijim në aneks, si ilustrim ca faksimile. Faksimilja e parë është një shkrim i profesor Shaban Sinanit, i titulluar “Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dallëndyshja e parë e demokracisë në Shqipëri”, ku pasqyrohet roli i Berit Backerit për themelimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit etj. Faksimilja e dytë është kopja në lidhje me hapjen e workshopit të parë rajonal më 8 – 10 dhjetor 2000, në Tiranë (organizuar nga Qendra e Rehabilitimit për të Mbijetuarit e Torturës, në bashkëpunim me Rehabiltation and Research Center for Torture Victims), ku u shprehen fjalët mirënjohëse për Berit Backerin dhe për Nufri Lekën për kontributin e tyre paraprak në lidhje me këtë çështje. Faksimilet tre, katër dhe pesë kanë të bëjnë me iniciativën e Nufri Lekës në takimin në Greqi në vitin 1993, për etablimin e Qendrës në Kosovë për rehabilitimin e ish të burgosurve politikë shqiptarë, e cila qendër u jetësua në vitin 1999 nga Feride Rushiti. Më tutje është një fotografi e Nufri Lekës, gjatë një fjalimi në vitin 1991, duke u solidarizuar me grevën e ish-të burgosurve dhe të mbijetuarve të torturës në Shqipëri.
Vlen të theksohet se Komiteti Norvegjez i Helsinkit, respektivisht Projekti “Aksioni Norvegji–Shqipëri” (ANSh), përveçse në fushën e të drejtave të njeriut dhe të asistencës për ish-të përndjekurit e regjimit totalitar, u angazhua edhe në grumbullimin dhe dërgimin e ndihmës humanitare në një periudhë krize për Shqipërinë. Koordinatori i ANSh-së, Nufri Lekaj, pas një qëndrimi në Shqipëri, në një apel të nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Norvegjez të Helsinkit, Bjørn Catto Funnemark, drejtuar autoriteteve dhe organizatave norvegjeze, përshkroi situatën socio-ekonomike në Shqipëri dhe kërkoi ndihmë të mëtutjeshme për Shqipërinë. Ky apel u publikua më 21 gusht 1991 edhe në disa media norvegjeze, ndër të tjera edhe në gazetën “Vårt Land”. Rrjedhimisht në vijim është edhe faksimilja e gjashtë, e kësaj gazete, ku apelohet për ndihmë ndaj Shqipërisë.