Vetëm 14 për qind të grave janë të punësuara

26 nëntor 2021 | 14:28

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Forumi për Lidership dhe Diplomaci kanë organizuar të premten diskutimin për lidhjen ndërmjet të drejtave pronësore dhe dhunës në familje, si dhe fillimin e fushatës për rritjen e ndërgjegjësimit “Mos vazhdo të jesh viktimë e dhunës në familje vetëm pse nuk ke nga të shkosh. Kërko të drejtën tënde në pronë”.

Në këtë diskutim është bërë me dije se vetëm 14 për qind të grave në Kosovë janë zyrtarisht të punësuara dhe kanë të ardhura nga burimet e tyre, ndërsa shumë gra punojnë si amvise me orar të plotë, ku kontributi i tyre domethënës ekonomik nuk materializohet. Po ashtu në këtë diskutim është thënë se gjyqësori duhet të bëjë më shumë në trajtimin e rasteve të dhunës, dhe t’i trajtojë rastet e diskriminimit të grave në pronë.

Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një përqindje shumë e vogël nga prindërit trashëgohet nga vajzat, ku një situatë e tillë sipas saj, ngjason me situatën kur ligjin e bënte kanuni. “Të diskutosh për të drejtën pronësore është përçim i një mesazhi të qartë se fuqizimi ekonomik dhe barazia gjinore për një shoqëri ku vajzat dhe gratë ndihen të sigurta dhe fuqizuara. Nuk mund të tolerohet tutje që e drejta për trashëgimi dhe të drejtë pronësore të jetë pre e diskriminimit gjinorë. Gratë dhe vajzat janë shtyllë e fuqishme e shoqërisë tonë”, ka thënë Osmani, duke shtuar se pjesëmarrja e grave në  shoqëri krahas burrave kontribuon në të mirën e familjes dhe shoqërisë. “Prona krijon mundësi për pavarësi ekonomike, dhe gjendja aktuale sa i përket trashëgimisë pronësore vazhdon të mos jetë e kënaqshme. Një përqindje shumë e vogël nga prindërit trashëgohet nga vajzat, ku një situatë e tillë ngjason me situatën kur ligjin e bënte kanuni ku përparësi i jepej gjinisë mashkullore”, është shprehur ajo.

Ndërsa shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Wigemark, ka thënë se ky mision është i përkushtuar për barazi gjinore dhe luftë kundër dhunës në baza gjinore. “Të mbash gjysmën e popullsisë larg pronësisë mbi pronë nuk është vetëm të parandalosh fuqizimin e grave dhe të pengosh rritjen ekonomike duke mbyllur me mijëra aktere femra potenciale në ekonomi. Është edhe pjesë e sëmundjes kulturore dhe sociale që kushton me mjerim të pathënë. Shumë gra kanë hequr dorë nga të drejtat e tyre pronësore apo të trashëgimisë, ndërsa 38 për qind e burrave dhe 33 për qind e grave nuk mendojnë se gratë duhet të kenë mundësinë e trashëgimit të pronës nga familjet e tyre. Vetëm 14 për qind të grave në Kosovë janë zyrtarisht të punësuar dhe kanë të ardhura nga burimet e tyre, ndërsa shumë gra punojnë si amvise me orar të plotë, ku kontributi i tyre domethënës ekonomik nuk materializohet”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kriza energjetike e cila ka prekur të gjitha shtetet evropiane…