Veteranët me peticion synojnë ndryshimin e ligjit për Specialen

15 dhjetor 2017 | 12:32

Veteranët e luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur me nënshkrimin e një peticioni për ndryshimin e fushëveprimit të Gjykatës Speciale.

Ata kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të miratojë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, për siç e kanë quajtur, çështjen diskriminuese ndaj Kosovës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka treguar për “Epokën e re” se ka përkrahjen e partive politike për iniciativën e kësaj organizate që të bëhet plotësim ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ai ka deklaruar që sa më parë përmes ndryshimit të këtij ligji duhet t’i mundësohet Gjykatës Speciale të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë.

“E kemi përkrahjen prej të gjitha subjekteve politike dhe prej qytetarëve për këtë peticion. Madje prej shumë qytetarëve kemi pasur edhe telefonata të ndryshme, të cilët na kanë dhënë përkrahje për këtë iniciativë që kemi ndërmarrë”, ka thënë Gucati. Ai ka vlerësuar se deputetët që kanë gabuar herën e parë për këtë ligj, tani e kanë mundësinë ta përmirësojnë gabimin e tyre. “Besoj shumë se subjektet politike do ta marrin parasysh kërkesën tonë dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Në Kuvendin e Kosovës kemi disa subjekte politike që kanë qenë kundër këtij ligji edhe atëherë. Kundër këtij ligji janë edhe tash”, ka deklaruar Gucati.

Pas mbledhjes së 10 000 nënshkrimeve, kryetari i OVLUÇK-së ka treguar se peticionin do t’ia dorëzojnë kryeparlamentarit dhe kryesisë së Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari Butrint Imeri ka publikuar së fundmi projektin e tij…