Vetëvendosje e dërgon në Kushtetuese presidentin Thaçi

01 korrik 2020 | 10:49

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për siç ka thënë “vlerësimin e veprimeve antikushtetuese të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi në rastin e nxitjes, bindjes dhe detyrimit të deputetit Haxhi Shala, për të ndryshuar qëndrimin për votën ndaj Qeverisë”.

Kërkesa është dorëzuar nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Jashtë autorizimeve e në cenim të rëndë të vlerave, parimeve kushtetuese e demokratike, të ndarjes së pushteteve e ndërhyrje në kompetencat e Kuvendit, presidenti ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës. Ai në mënyrë të drejtpërdrejtë ka ndikuar që deputeti Shala të ndryshojë qëndrimin dhe votën në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit të Republikës të datës 3 qershor”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes.

Vota e deputetit të partisë Nisma Socialdemokrate, Haxhi Shala, është kontestuar në ditën që është votuar Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti.

Shala ka nxitur reagime të shumta, pasi vetëm pak minuta para se të votohej qeveria, kishte marrë fjalën në Kuvend, duke thënë se kishte ndërruar mendje sa i takon votimit të qeverisë.

Këtë pati thënë se e ka bërë pasi i kishin shkuar në shtëpi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Vetë presidenti Thaçi e ka pranuar se kishte pasur takim me deputetin Haxhi Shala. Por, veprimin e tij, presidenti e pati cilësuar vetëm si këshillim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për siç…