Vetëvendosje fton LDK-në për organizimin e protestave

06 shtator 2018 | 15:55

Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të cilën e ka udhëhequr kryetari i kësaj lëvizje, Albin Kurti.

Sipas komunikatës së Vetëvendosjes, në këtë mbledhje është diskutuar për gjendjen politike, krizën institucionale dhe lojën e rrezikshme e presidentit Hashim Thaçi.

Pas diskutimeve të anëtarëve të Kryesisë është marrë vendim që ta ftojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për organizimin e përbashkët të protestave dhe të fillojmë përgatitjet për to.

Nga Kryesia e Vetëvendosje janë ngarkuar kryetari Albin Kurti, nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, që të vendosin kontaktet dhe të zhvillojnë takim me udhëheqjen e LDK-së.

Komunikata e plotë e Vetëvendosjes:

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat të Kuvendit po vrapon në negociata pa parime me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e Presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po i mashtron si qytetarët e Kosovës ashtu edhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet.

Qeveria e pakicës po e bojkoton Kuvendin e Republikës. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duhet të dorëhiqet. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re.

Institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë. Kuvendi është bllokuar. Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. ‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiq është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë.

Sa më shpejt nevojiten ndryshime për ta shpëtuar Republikën e Kosovës. Protestat janë të domosdoshme. Gatishmëria e popullit është e lartë. Sepse masivisht kuptohet dëmi që mund të sjellë vonesa. Le t’i kthehemi qytetarëve dhe le t’i mbushim bashkë sheshet. Le të organizojmë tubime me qytetarë për protesta qytetare.

Ta ruajmë dhe mbrojmë shtetësinë dhe pavarësinë, sovranitetin dhe kushtetutshmërinë, integritetin territorial e institucional të Republikës së Kosovës, popullsinë tonë në trojet e saj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Sindikatave të Shërbyesve Civilë (FSSHC) përkrah kërkesat legjitime…