Vetëvendosje kërkon drejtësi për masakrën e 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë

03 shkurt 2019 | 16:05

Lëvizja Vetëvendosje ka [përkujtuar 19-vjetorin e masakrës se 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë, në të cilën janë vrarë dhjetë persona nga strukturat kriminale në veri.

Sipas kësaj lëvizje kjo masakër ka ndodhur para syve të KFOR-it francez.

Komunikata e plotë e Vetëvendosje:

Përkitazi me përvjetorin e masakrës së 3 dhe 4 shkurtit në Mitrovicë

Sot, 19 vite më parë, saktësisht në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, strukturat kriminale serbe të përfshirë në formacionet e pandjekura paramilitare të Sllobodan Millosheviqit para syve edhe të KFOR-it francez, zbatuan vrasjen e 10, plagosjen e mbi 80, si dhe dëbimin sistematik të mbi 1500 familjeve shqiptare nga veriu i Mitrovicës ditëve dhe muajve të ardhshëm.

Nezir e Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi gjetën vdekjen nën plumbat e bombat e planit të orkestruar nga Millosheviqi, për ta spastruar atë pjesë nga shqiptarët. Kjo masakër sot për shumkënd e tretur në analet e harresës falë investimit sistematik për t’u harruar, peshon më shumë se kurrë në aktualitetin e politik të vendit, për arsyet si vijon

“Kanë ngjarë gjëra shumë të këqija. Nuk mund ta mbështes atë që ka ndodhur por kërkoj mirëkuptim. Edhe unë isha shumë i zemëruar atë natë”. Kështu, gati deri në vetëpranim, do të deklaronte për “New York Time”-sin e datës 10 shkurt 2000, Oliver Ivanoviq politikan serb i dënuar me 9 vite burg për vrasje shqiptarësh në Mitrovicë. I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës i përkujtuar me një minutë heshtje nga Qeveria e Kosovës në të njëjtën ditë me komandant Jonuz Musliun.

Së pari, masakra në fjalë shënon përmbysjen vendimtare demografike të asaj pjese të Kosovës në favor të serbëve. Nga një pjesë e qytetit me shumicë shqiptare, veriu mori jo vetëm ngjyrimin por edhe kualifikimin si “pjesa serbe e qytetit”. Përmbysja në fjalë ishte sinjal i ri që politika serbizuese e Millosheviqit po vazhdonte, vetëm se – diktuar nga kontelacionet e reja – në një territor më të vogël. Më date 8 korrik 1988, akoma pa ardhur në pushtet Millosheviq për revistën “Nin” do të shprehej kësodore: “nataliteti në Kosovë është një nga më të lartët në botë, madje edhe më i lartë se në Shqipëri. Kjo temë tabu deri vonë, tash ka filluar të shqyrtohet. Nataliteti po merr elemente gjithnjë e më të mëdha shoqëroro-politike. Popujt që jetojnë me shqiptarët po bëhen ditë e më të paktë dhe po e humbin territorin jetësor të tyre. Nëse nuk ndërmarrim asgjë çka do të mund të ndodhë në të ardhmen…” Pra ishte fare e qartë se ndër plane të Millosheviqit, pas dështimit të eksodit 1999, ishin spastrimet e reja.

Së dyti, flet për kontributin sa të heshtur e sa të hapur por gjithsesi të qëllimtë të politikës vendore të kohës që ajo pjesë ta ketë fatin që pati. Fat ky në akord me synimin e sipërpermendur millosheviqian. Fat që po determinon trajtimin si territor kusuritjeje në pazare negociuese nga presidenti i sotëm dhe shpura pasuese të asaj pjese. Në disa xhirime të disponueshme që agjenci të huaja mediale kanë plasuar në kanalin “youtube”, shihen Hashim Thaçi e Kadri Veseli se si duke shfrytëzuar sentimentin e banorëve të Mitrovicës të posadalë nga lufta, tentojnë t’i paqtojnë me gënjeshtra e premtime të rreme nuk do të ketë ndarje të qytetit.

Së treti flet për një qasje sistematike dhe të qëllimtë të diskriminimit ekonomik të qytetit të Mitrovicës përgjatë gati dy dekadave. Nga një qytet industrie, rinie, kulture e sporti, Mitrovica sot është ndër komunat më të varfra në Evropë dhe me popullsi të përgjysmuar. Kjo natyrisht që nuk u trasua pa qëllim: deindustrializimi u pasua me privatizim të egër e diskrimin në buxhet, teksa banorëve të veriut u kërkohej mosshitja e pronave a vetëflijimi. Pasojat e kësaj qasjeje i shohim më shumë se kurrë sot: pos që ideja “për korrigjim të kufijve” mëton t’i jap goditjen përfundimtare një ekonomike klinikisht të vdekur, ajo bën çmos që edhe agjitimin e saj ta përçojë nga secila skutë që jetë e mëndur: që nga mediet e diplomacia. Gjithnjë, deri në fyerje.

Lëvizja Vetëvendosje përkujton me nder dhe respekt të rënët e 3 dhe 4 shkurtit 2000 dhe zotohet që drejtësia edhe për ta të gjejë dritë!

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona nuk arriti më shumë se një barazim 2-2 kundër…